×
  • Lajme
  • Lajme

    Zona rreth QKUK-së “blindohet” nga Njësia Speciale pas kërcënimeve për sulme

    Reporteri
    06 Prill 2021 | 11:51

    Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është duke patrulluar në oborrin e QKUK-së për të siguruar këtë zonë, pas një kërcënimi për sulme që ka marrë sot Policia e Kosovës.


    Në pamjet e siguruara nga Reporteri.net, shihen pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët po e sigurojnë zonën rreth QKUK-së.

     

    Nga Policia e Kosovës kanë thënë për Reporterin se Policia e Kosovës me kohë ka ndërmarrë masat parandaluese dhe të sigurisë, pas sigurimit të një informate që ndërlidhet me kanosje.

    Sipas Policisë përderisa janë ndërmarrë të gjitha masat policore, situata vlerësohet e qetë dhe nuk ka vend për asnjë shqetësim nga ana e qytetarëve.

    “Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe trajton ç’do informacion apo rast të raportuar, të ç’farëdo natyre apo vepre penale.

    Të gjitha veprimet e nevojshme i ndërmerr konform autorizimeve ligjore në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, me qëllim të ofrimit të sigurisë, parandalimit të veprimtarive kriminale si dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në vend.

    Policia e Kosovës me kohë ka ndërmarr masat parandaluese dhe të sigurisë, pas sigurimit të një informate që ndërlidhet me kanosje, përderisa janë ndërmarrë të gjitha masat policore, situata vlerësohet e qetë dhe nuk ka vend për asnjë shqetësim nga ana e qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

    Ndryshe përpos Prishtinës, masa të rrepta po zbatohen edhe në veri të Mitrovicës, ku që nga mëngjesi i sotëm, pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë duke bërë kontrolle të rrepta për automjetet që hyjnë në zonën e Qendrës Spitalore në Mitrovicën e Veriut.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Besim Hoti, ka thënë për Reporterin se një aksion është duke u zhvilluar në të gjithë Kosovën, pasi një person nga Prshtina kërcënoi me sulme në spitalet e Kosovës.

    “Policia u kontaktua nga një person i cili kërcënoi të sulmonte dikë në spital, por pasi që ky person nuk tregoi kush ishte dhe në cilin qytet do të kryente sulmin, policia, për arsye parandaluese, po siguron spitalet në të gjithë Kosovën”, tha Hoti për Reporterin.

    Për detaje të mëtutjeshme, Reporteri ka tentuar të kontaktojë edhe me zëdhënësin e Policisë për Rajonin e Prishtinës, por të njëjtit deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk kanë kthyer përgjigje. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!