×
  • Lajme
  • Lajme / Tregu i hapur i energjisë

    ZRrE: Konsumatorët pa furnizues kalojnë automatikisht te FMF, brenda 60 dite duhet zgjedhur një

    Reporteri
    01 Qershor 2025 | 14:28

    Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se ka filluar me sukses sot liberalizimi i tregut të energjisë elektrike, shkruan Reporteri.net.

    Ky proces i cili përfshin bizneset e mëdha, sipas ZRrE përbën një hap të rëndësishëm me të cilin synohet të ketë përfitime konkrete për konsumatorët përmes rritjes së konkurrencës ndërmjet furnizuesve.

    Në komunikatën e tyre, ZRrE-ja ka ftuar të gjithë konsumatorët e kualifikuar për të dalë në treg të lirë, e që ende nuk e kanë zgjedhur furnizuesin e tyre, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme që ta gjejnë atë sipas nevojave të tyre.

    Ata që nuk zgjedhin, ZRrE thotë se kalojnë automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, por kjo duhet të jetë një zgjidhje e përkohshme, pasi pas 60 ditësh, siç thonë në komunikatë, duhet zgjedhur një furnizues.

    Komunikata e plotë:

    Zyra e Rregullatorit për Energji njofton opinionin publik dhe të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës se ka filluar me sukses vazhdimi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

    Ky proces përbën një hap të rëndësishëm dhe të shumëpritur drejt ndërtimit të një tregu të hapur, konkurrues dhe transparent, i cili do të ofrojë më shumë mundësi për konsumatorët që të zgjedhin lirshëm furnizuesin e tyre të energjisë elektrike. Liberalizimi i tregut synon të sjellë përfitime konkrete për konsumatorët përmes rritjes së konkurrencës ndërmjet furnizuesve, përmirësimit të cilësisë së shërbimit dhe krijimit të kushteve të favorshme për çmime transparente dhe në parime të tregut të lirë. Ky është një hap thelbësor drejt përmbushjes së standardeve evropiane dhe integrimit të plotë të tregut të energjisë së Kosovës në tregun rajonal dhe atë evropian.

    ZRRE fton të gjithë konsumatorët e kualifikuar për të dalë në treg të lirë, që ende nuk kanë përzgjedhur furnizuesin e tyre të energjisë elektrike, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të gjetur furnizuesin më të përshtatshëm sipas nevojave të tyre dhe kushteve më të favorshme që ofron tregu. Çdonjëri nga këta konsumator obligohen të zgjedhin lirshëm furnizuesin e tyre në tregun e hapur, duke u bazuar në oferta që përputhen me profilin dhe kërkesat individuale të konsumit.

    Konsumatorët që mbesin pa furnizues, kalojnë automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), por ZRRE thekson se qëndrimi te FMF është një mundësi e fundit për furnizim të garantuar, dhe se ky furnizim nuk përfaqëson një zgjidhje të qëndrueshme, e as kushte të volitshme për konsumatorët. Furnizuesi i Mundësisë së Fundit duhet të shihet si një zgjidhje e përkohshme, deri në zgjedhjen e një furnizuesi nga ana e konsumatorit, i cili zgjatë jo më shumë se 60 ditë. ZRRE, infomon se, për te gjithë konsumatorët që janë duke u furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit është siguruar energjia përmes bursës Shqiptare (APLEX).

    Për të lehtësuar këtë proces, ZRRE ka publikuar në faqen zyrtare www.ero-ks.org listën e furnizuesve të licencuar të energjisë elektrike dhe ka vënë në dispozicion udhëzime praktike për mënyrën e përzgjedhjes së furnizuesit, krahas informacioneve për të drejtat dhe obligimet e konsumatorëve në tregun e liberalizuar.

    ZRRE mbetet e përkushtuar që të sigurojë një treg të drejtë, funksional dhe në shërbim të konsumatorit, duke vazhduar angazhimin për monitorim aktiv, informim të rregullt dhe mbrojtje të interesit të konsumatorit final.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!