Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka reaguar pas raportimeve për pezullimin e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, duke sqaruar se vetëm një rast individual është pranuar nga Gjykata Komerciale, ndërsa të gjitha paditë e tjera janë refuzuar si të pabazuara, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas ZRrE-së, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, me aktvendimin e datës 19 qershor 2025, ka refuzuar kërkesën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës për caktimin e masës së sigurisë ndaj njoftimit për liberalizimin e tregut të energjisë të bërë më 12 mars.
ZRrE konfirmon se vetëm në një rast specifik, që ka të bëjë me përgjigjen e dhënë ndaj një kërkese individuale për furnizim në kuadër të shërbimit universal, Gjykata Komerciale ka pranuar kërkesën për pezullim të njoftimit përkatës. Megjithatë, sipas ZRrE-së, ky vendim nuk ndikon në procesin e përgjithshëm të hapjes së tregut.
ZRrE thekson se do të shfrytëzojë të drejtën e ankesës në instancat më të larta gjyqësore dhe mbetet e përkushtuar ndaj reformave strukturore në sektorin e energjisë, në përputhje me Ligjin për Energjinë Elektrike Nr. 05/L-085.
Reagimi i plotë:
SQARIM PËR OPINIONIN PUBLIK
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) njofton opinionin publik se, pas fillimit të zbatimit të dispozitave ligjore që rregullojnë hapjen e tregut të energjisë elektrike, konsumatorët individualë dhe disa Oda Ekonomike kanë parashtruar padi pranë gjykatave kompetente, konkretisht në Gjykatën Komerciale të Kosovës dhe në Gjykatën Themelore, me kërkesa për pezullimin e Njoftimit për dalje në tregun e hapur të energjisë elektrike i cili i ka pasur karakter informues.
ZRrE rikonfirmon faktin se, në të gjitha proceset e konflikteve administrative të inicuar nga palët në procedurë, gjykatat kompetente kanë refuzuar si të pabazuara kërkesat për pezullimin e zbatimit të Njoftimit për dalje në tregun e hapur të energjisë elektrike.
ZRRE informon publikun se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative me Aktvendimin A. nr. 1839/2025 të datës 19.06.2025, ka refuzuar propozimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, për caktimin e masës së sigurisë ndaj Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të datës 12.03.2025, i cili ka pasur karakter informues.
Deri më tani, vetëm në një rast të veçantë për përgjigje Individuale që ka të bëj me kriteret për furnizim me energji elektrike në kuadër të shërbimit universal, ku ZRRE me datën 03.06.2025 i ka kthyer përgjigje dhe ndaj përgjegjës/njoftimit së ZRRE është parashtruar Padi me kërkesën për pezullim të këtij Njoftimi. Gjykata Komerciale, përmes aktvendimit KA .nr. 283/25 ka aprovuar si të bazuar propozimin e paditësit, por kjo nuk nënkupton pezullimin e procesit të hapjes së tregut.
Për më tepër, ZRrE do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në instancat më të larta gjyqësore, gjithmonë në funksion të mbrojtjes së ligjshmërisë dhe vazhdimit të zbatimit të reformave strukturore në sektorin e energjisë, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Ligji nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike.
ZRRE rithekson se procesi i liberalizimit është i bazuar në dispozitat e Ligjit për Energjinë Elektrike Nr. 05/L-085, dhe në vendimin përkatës të ZRRE-së për daljen në treg të hapur për ndërmarrjet ekonomike, të cilat tejkalojnë njërin nga kriteret e përcaktuara: më shumë se 50 të punësuar ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro.
ZRRE mbetet e përkushtuar për të garantuar një treg funksional, konkurrues dhe të drejtë për të gjithë pjesëmarrësit në sektorin e energjisë, duke ofruar transparencë të plotë dhe mbrojtje të interesit publik.
/Reporteri.net/