Zv/kryeministri Bislimi tregon temën e vetme që u diskutua në takimin me Petkoviqin në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka qëndruar për dy ditë në Bruksel ku ka pasur takim me kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviq takim i ndërmjetësuar nga Emisari Miroslav Lajcak.


Bislimi përmes një postimi në Twitter ka njoftuar se me palën serbe ka biseduar vetëm për një temë, atë të të pagjeturve.

Reklamë

“Familjet kanë nevojë të dijnë fatin e familjarëve të tyre sa më parë. Ky është mesazhi që kemi përçuar në këto bisedime me Serbinë, ku tema e vetme ishin të pagjeturit. Kemi kërkuar të intensifikohen përpjekjet për gjetjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, ka shkruar Bislimi.

Ndryshe, zëvendëskryeministri Bislimi dje pas takimit ka thënë se s’do të ketë takim Kurti-Vuçiq në shtator përshkak se palët në bisedimet teknike s’kanë arritur ndonjë përparim.

“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi të mërkurën në Bruksel, pas përfundimit të takimit me delegacionin serb, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.