×
  • Lajme
  • Lajme / 25-vjet nga çlirimi

    Zv.presidentja e PE-së: Shpresoj që së shpejti ta mirëpresim Kosovën në familjen e madhe të BE-së

    Reporteri
    12 Qershor 2024 | 21:27
    Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Pina Picierno

    Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, politikanja italiane Pina Picierno, derisa ka përmendur 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ka thënë se pret që së shpejti Kosova të bëhet pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Evropian, shkruan Reporteri.net.

    “Kosova sot feston vitin e saj të njëzetepestë të çlirimit, e cila përkon me përvjetorin e përfundimit të konfliktit të armatosur pas tërheqjes së forcave serbe të Sllobodan Millosheviqit dhe ardhjes së KFOR-it, si forcës paqeruajtëse e NATO-s”, shkroi deputetja evropiane në platformën X.

    Picierno, këtu ka përmendur nevojën që Kosova të anëtarësohet në BE.

    “Shpresoj që së shpejti të mund ta mirëpres Kosovën në familjen e madhe të Bashkimit Evropian”, shkroi deputetja Picierno.

    Sot, parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë së Kosovës (PK) shënoi ceremoninë kryesore të shënimit të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës. Pjesëtarë të njësiteve të ndryshme të këtyre dy institucioneve parakaluan në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se FSK-ja është e gatshme ta mbrojë sovranitetin e vendit. Forca të paqes i quajti FSK-në dhe Policinë, presidentja Vjosa Osmani.

    NATO-ja autorizoi sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake serbe më 24 mars, 1999.

    Clinton tha atëkohë se “forca është e nevojshme për të ndalur agresionin e serbëve kundër shqiptarëve në Kosovë”.

    “Sonte, për herë të parë në 79 ditë, qiejt mbi Jugosllavi janë të heshtur”, tha presidenti amerikan, Bill Clinton, më 10 qershor të vitit 1999.

    Atë natë, NATO-ja ndërpreu bombardimet kundër caqeve ushtarake serbe në ish-Jugosllavi./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!