×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyra e BE-së: Ndiejmë keqardhje për përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga ENQA

    Reporteri
    03 Tetor 2019 | 10:59

    Zyra e BE-së në Kosovë ka reaguar pas përjashtimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).


    Në reagim thuhet se Zyra e BE-së shpreh keqardhje që Kosova nuk është më anëtare e ENQA-s.

    “Me keqardhje kemi kuptuar që Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka dështuar në përpjekjet për të ripërtërirë anëtarësimin në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA)”.

    “Të qenit anëtar i kësaj organizate nuk ishte vetëm një arritje e madhe për institucionet e Kosovës, por edhe shumë e rëndësishme për të lehtësuar mobilitetin për studentët dhe të rinjtë e kualifikuar të Kosovës. Ndërprerja e anëtarësimit është një kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën, siç ishte vendimi i Qeverisë në shtator të vitit 2017 për të shkarkuar të gjithë Bordin e Agjencisë pa arsyetimin e duhur”.

    Zyra e BE-së në reagim thotë që ENQA ka renditur disa faktorë e që një ndër ta është edhe mosangazhimi i Qeverisë për t’ia mundësuar Agjencisë së Akreditimit fondet që i nevojiten.

    “ENQA ka renditur faktorët që çuan në vendimin e tyre. Është dëshpëruese të shohësh që shumica e tyre mund të adresohen me vullnet politik të Qeverisë për t’ua siguruar Agjencisë dhe Bordit të saj resurset e nevojshme”.

    Zyra e BE-së në Kosovë në reagim ka thënë se qeveria e ardhshme duhet menjëherë të adresojë të gjitha çështjet së bashku me AKA-n që Kosova të bëhet sërish pjesë e ENQA-s në dy vjetët e ardhshëm.

    “Qeveria e ardhshme duhet të adresojë menjëherë të gjitha çështjet së bashku me AKA-në dhe të sigurojë që pas dy vjetësh, kur Kosova përsëri të ketë të drejtën të aplikojë për anëtarësim, Kosova të rifitojë me sukses vendin e vet në dy institucionet evropiane për cilësi në arsim të lartë. Më e rëndësishmja, Qeveria e re nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës”.

    Tutje në reagim Zyra e BE-së inkurajon Agjencinë e Akreditimit të Kosovës që të marrë parasysh rekomandimet e ENQA-s për të siguruar kualitetin në institucionet e Arsimit të Lartë.

    “Ne inkurajojmë Bordin e AKA-s që të adresojë rekomandimet e ENQA-s dhe të vazhdojë përpjekjet për të siguruar cilësi në institucionet e arsimit të lartë. Bashkimi Evropian gjithmonë do të jetë i gatshëm ta ndihmojë këtë proces”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!