×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyra e Klitschkos mohon lajmin e gazetarit shqiptar në Zvicër, e quan marrëzi

    Reporteri
    27 Maj 2022 | 16:16

    Një portal shqip në Zvicër ditë më parë publikoi një lajm, kinse kanë intervistuar kryetarin e Kievit Vitali Klitschko, dhe ai ka deklaruar se ukrainasit po luftojnë kundër Rusisë sikurse shqiptarët kundër okupatorit serb. Por kjo deklaratë sot është demantuar nga zyra e kryetarit të Kievit.

    Portali shqip në Zvicër “Le Canton 27” ditë më parë ka publikuar një intervistë të pretenduar me kryetarin e Kievit Vitali Klitschko, gjatë qëndrimit të tij në Davos. Aty me ish’boksierin e famshëm në foto shihet edhe gazetari shqiptar nga Presheva, Nefail Maliqi, i njohur për prodhim të lajmeve të rrejshme, sidomos gjatë kohës sa ishte në portalin Preshva Jonë.

    Portali shqiptar në Zvicër “Le Canton 27” në lajmin e publikuar pretendon se Klitschko ishte intervistuar nga Maliqi, dhe ai e kishte krahasuar Rusinë me Serbinë e kohës së Millosheviqit.

    “Më vjen shumë mirë që takoj për herë të parë një gazetar shqiptar, një rast i mirë për t’ju përcjellur një mesazh juve, popullit shqiptar në ballkan. Kemi dëgjuar e lexuar se edhe ju shqiptarët si ne ukrainasit jeni njerëz të paqës, liridashës, por edhe luftarak që e do nevoja, që na e imponon ndokush. Ne sot po luftojmë kundër regjimit rus që po tenton të okupoj vendin tonë-Ukrainën që mëse 100 ditë, sikur ju që ishin dikur të okupuar nga Serbia…”, citon Klitschkon portali shqip i Zvicrës Le Canton27.

    Ky artikull i këtij portali i cili më pas u transmetua pothuajse në të gjitha portalet kryesore të Kosovës, e edhe në mediat në Serbi, ka nxitur reagimin e zyrës së kryetarit të Kievit, e cila e ka demantuar atë, madje e ka quajtur marrëzi se si ka mundur ai gazetar i cili ka bërë vetëm një foto me Klitschkon të i thotë atë fjalë në emër të politikanit ukrainas, pa i thënë ai fare, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një bisedë për portalin serb Nova.rs, i cili njihet si media liberale në Serbi, zyra e Klitschkos e ka demantuar lajmin e portalit shqip të Zvicrës duke thënë ‘Ne përgatisim një deklaratë zyrtare për këtë marrëzi. Do të njoftojmë së shpejti’.

    Në tekstin e përmendur, i cili ishte publikuar me titullin “Kryetari i Kievit, ukrainasi Klitschko me duar të përgjakur në Davos: Faleminderit Kosovë, faleminderit shqiptarë! “Pasi ju u çliruat nga Serbia, ne do të çlirohemi nga Rusia!” Më tej shkruhet se ish-boksieri edhe ka falënderuar shqiptarët.

    “Faleminderit Kosovë, faleminderit shqiptarë! Pasi ju u çliruat nga Serbia edhe ne do çlirohemi nga Rusia!”, ishte cituar rrejshëm kryetari i kryeqytetit ukrainas. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!