×
  • Lajme
  • Lajme / E fundit

    Zyra e Kurtit “merr mandatin” e Prokurorit të procedurës penale: Intervistimi i kryeministrit në PSRK, formalitet procedural që s’ndikon në thelbin e çështjes

    Reporteri
    07 Mars 2025 | 15:14

    Zyra e Kryeministrit ka dalë me një tjetër reagim rreth çështjes së intervistimit të Kryeministrit Albin Kurti, lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore. Në këtë reagim ZKM thotë se Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar të dëshmojë, pavarësisht se i njëjti nuk u paraqit të martën në Prokurorinë Speciale ndonëse kishte edhe urdhëresë Gjykate.

    Aty thuhet se Kurti vazhdon të jetë i gatshëm të dëshmoj “sa më shpejt, aq më mirë”, por në Kryeministri. Madje, thuhet se “insistimi” që Kurti të dëshmojë në Prokurori Speciale, është i panevojshëm për një formalitet procedural që nuk ka ndikim në thelbin e çështjes.

    “Në të gjitha demokracitë e zhvilluara, përfshirë ShBA-në dhe Francën, është praktikë standarde që zyrtarët e lartë të shtetit të dëshmojnë nga zyrat e tyre, për të ruajtur diskrecionin dhe për të shmangur politizimin e proceseve ligjore. I njëjti parim është zbatuar edhe në Kosovë, së paku në rastin e dy ish-kryeministrave dhe madje te zëvendëskryeministri aktual! Atëherë, pse në këtë rast po bëhet përjashtim? Pse ky insistim i panevojshëm për një formalitet procedural që nuk ka ndikim në thelbin e çështjes?”, thuhet në reagim.

    Edhe në këtë reagim, Zyra e Kurtit pretendon se motivi i ftesës është politik.

    “Mos reagimi ynë i deritanishëm, nuk ka qenë mungesë vëmendjeje, por respekt për procesin ligjor që duhet të zhvillohet pa ndërhyrje të jashtme. Sidoqoftë, është bërë e qartë se po përballemi me një orvatje të hapur për të manipuluar dhe hutuar opinionin publik. Duam të jemi të qartë: Kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar të dëshmojë. Përkundrazi, ka ofruar bashkëpunim të plotë për të ndihmuar drejtësinë të kryejë punën e saj me integritet”.

    “Kryeministri vazhdon të jetë i gatshëm të dëshmoj – sa më shpejtë, aq më mirë, për qëllime të drejtësisë e respektimit të institucioneve. Qeveria jonë ka sjellë reforma të mëdha, veçanërisht në transparencën qeveritare dhe luftën kundër korrupsionit, të cilat janë njohur dhe vlerësuar nga organizata të pavarura ndërkombëtare si Transparency International. Ne mbështesim fuqishëm pavarësinë e sistemit gjyqësor, por refuzojmë përdorimin e tij si një mjet për përfitime politike”, thuhet tutje.

    Ndryshe, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, të martën, ka deklaruar për Gazetën Online Reporteri.net se prokurorët do të duhej të kërkonin nga Gjykata që t’i shqiptojë gjobë dhe që ta obligojë Kurtin të japë dëshminë. Për secilën herë që ai refuzon t’i përgjigjet ftesës për intervistim, gjoba është 250 euro. Miftaraj ka thënë se nëse Kurti insiston për të dhënë mos dhënë dëshminë, atëherë Gjykata mund t’i shqiptojë deri në 30 ditë burgim për mosrespektim të urdhrave të saj.

    “Nëse insiston për të mos dhënë dëshminë, atëherë Gjykata mund t’i shqiptojë deri në 30 ditë burgim për mosrespektim të urdhërave. Gjoba është çdo herë nga 250 euro sa herë refuzon me iu përgjigj ftesës së Prokurorisë, apo në këtë rast urdhrit të gjykatës”, ka thënë Miftaraj.

    “250 euro gjobë, 30 ditë burgim” – Çka e pret Kurtin nëse nuk paraqitet në Prokurorinë Speciale?

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!