×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyrtare: Më 3 prill nis gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    15 Shkurt 2023 | 15:55

    Është miratuar kërkesa e mbrojtjes së të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara për shtyrje të gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, më 3 prill në ora 9:00.

    Atyre u është dhënë afat kohor prej pesë orësh për mbajtjen e seancës.

    Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi do të ketë tri orë kohë, ajo e Rexhep Selimit do të ketë një orë kohë, mbrojtja e Jakup Krasniqit do ketë një orë e gjysmë kohë, ndërsa mbrojtja e Kadri Veselit do ketë kohë 45 minuta, përfshirë edhe pyetjet nga trupi gjykues, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Prokuroria e Gjykatës Speciale të Kosovës ka bërë të ditur se deri më tani ka siguruar mbi 300 dëshmitarë në rastin kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!