×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyrtari i LDK-së ka frikën se lidershipi i partisë po mundohet të riciklojë figurat që çuan në humbje

    Reporteri
    26 Shkurt 2021 | 10:01

    Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Naser Rugova, ka kërkuar nga kryetari Isa Mustafa, që ka paralajmëruar dorëheqjen dhe udhëheqësit tjerë partiak, që të qëndrojnë jashtë procesit zgjedhor të paralajmëruar për 14 mars.


    Kryetari Mustafa ka paralajmëruar dorëheqjen pas humbjes së thellë të LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit ku doli e treta me rreth 13 për qind të votave.

    Rugova, në një intervistë për Ksp-në, thotë se ka tendenca që po të njëjtit zyrtarë të imponojnë kryetarin e ri të partisë.

    “Ky lidership, sipas meje, duhet të qëndrojë komplet anash për shkak të debaklit zgjedhor që e ka pësuar LDK-ja nën udhëheqjen e këtij lidershipi. Ata nuk duhet t’i fusin duart në zgjedhjen dhe lidershipit (të ri) të partisë. Po vërehen tendenca që këta të imponojnë, po konsideroj se këta po duan ta thirrin Kuvendin e Jashtëzakonshëm dhe zgjedhor pa një analizë dhe elaborim të shkaktarëve. Këta munden edhe ta bëjnë një kozmetikë të tillë, por si mund të reformojnë partinë dhe të ecin tutje me këtë lidership që e solli partinë në këtë gjendje dhe këtë shkallë. Çdo improvizim dhe tentim për riciklim të figurave që janë pjesë e kësaj fiasko zgjedhore, frikësohem që do ta dëmtojë LDK-në”, ka thënë Rugova.

    Ndryshe nga Mustafa që ka paralajmëruar se dorëheqjen do ta ofrojë në Kuvendin zgjedhor, për Kryesinë e LDK-së ka pasur paqartësi, nëse është në dorëheqje edhe ajo.

    LDK-ja përmes një komunikate të enjten tha se Kryesia ka autoritet të plotë, ndërkohë sekretari i përgjithshëm Arban Abrashi, po të enjten pas takimit të Kryesisë, tha se edhe ajo është “teknikisht në dorëheqje” dhe se pas zgjedhjes së kryetarit të ri do të zgjidhet edhe kryesia e re.

    Rugova, deputet në legjislaturën e fundit, thotë se pa një kërkimfalje, të atyre që sipas tij e sollën partinë në këtë gjendje, nuk mund të shkohet përpara.

    “Ky lidership duhet t’i kërkojë falje atij kuvendi që e ka zgjedhur, duhet t’i kërkojë falje Këshillit të Përgjithshëm që e ka mandatuar këtë kryesi dhe duhet t’i kërkojë falje anëtarësisë së LDK-së. Pa një reformë dhe pa zgjedhje nga baza, rifreskim dhe rikonfigurim substancial me emra kompetentë dhe liderë që reflektojnë unitet, frikësohem se në zgjedhjet lokale, LDK-ja do të dëmtohet edhe më shumë”, thotë Rugova.

    Në fakt, kryetari i LDK-së Mustafa dhe nënkryetari Lutfi Haziri, pas humbjes në zgjedhje tha se janë të çuditur me disfatën.

    “Do të isha i lehtësuar po ta dija pse qytetarët na ndëshkuan me votë”, kishte thënë Mustafa.

    Pas kësaj deklarate, Rugova kishte thënë: Kur s’ke çfarë flet, më mirë hesht”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!