×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyrtari i LDK-së që dikur e quante VV-në Lëvizje Anarkiste, tash i thotë t’i bashkojmë forcat e të “vallëzojmë”

    Reporteri
    23 Dhjetor 2019 | 19:12

    Bajram Gecaj sa mbante pozitën e zv.ministrit në qeverinë “Mustafa” ishte “armiku” më i madh i Lëvizjes Vetëvendosje.


    Ai ishte aq i ashpër sa partinë e Kurtit nuk e quante Lëvizje Vetëvendosje por Lëvizja Anarkiste Vetëvendosje.

    “Pjestarët e Lëvizjes Anarkiste të Vetëvendosjes (LAV) nuk janë të dizajnuar për rend e siguri, por janë të ushtruar që me Brigadat e Kuqe të shkaktojnë dhunë e anarki. Andaj, misionet si organizimi i mirefillte i Beerfesit janë “mission impossible” për ta”, kishte shkruar Bajram Gecaj në korrik të 2016-tës.

    Por tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe Gecaj, po kërkon nga VV që të ketë mirëbesim në LDK-në dhe siç thotë së bashku të “vallëzojnë”, pra ta formojnë qeverinë e re, shkruan Reporteri.net.

    “Pasi që ‘nevojiten dy veta për një tango’, t’i bashkojmë forcat e të ‘vallëzojmë’ drejt një epoke krejtësisht të re në jetët dhe në skenën tonë politike. Sistemi ynë republikan-parlamentar, i një demokracie konsensuale (të ujdisë së drejtë), njeh vetëm një tip zgjedhjesh të nivelit të përgjithshëm, nga i cili burojnë të gjitha institucionet relevante qendrore”, ka shkruar ndër të tjera Gecaj.

    Postimi i tij i plotë:

    1 … 2 … 3 … DEKADA … të ‘vallëzojmë’ drejt epokës së re!

    Slogane të përafërta me porosi për ndryshime kishim dëgjuar nga pothuaj të gjitha partitë politike që garuan në zgjedhjet e fundit, por është tanimë e qartë si kristali se populli më së shumti u besoi dy partive: Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), deri tani të paprovuar në nivelin qendror të qeverisjes; dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila përgjatë 30 viteve të fundit ishte shtylla kryesore e të gjitha proceseve pozitive – ishte balancuese dhe civilizuese. Dhe ky besim, aq shumë i baraspeshuar elektoral, do të duhej patjetër të shndërrohej në një udhërrëfyes për ndërtimin e një qeverisjeje, ngjashëm të baraspeshuar, drejt ndryshimeve të premtuara nga të dyja anët e medaljes. Vetëm ashtu do të mund të arsyetonim besimin e dhënë për të rikthyer shpresën në vendin tonë dhe në institucionet e ndërtuara me aq mund, djersë e gjak. Ndryshimet nuk do të vijnë asnjëherë nëse paraprakisht nuk arrijmë të ndërtojmë mirëbesimin në njëri-tjetrin, por as nëse në qeverisje hyjmë të pabarabartë, përkundër barabarësisë aq të mprehtë që na u dhurua nga vota popullore. Pasi që ‘nevojiten dy veta për një tango’, t’i bashkojmë forcat e të ‘vallëzojmë’ drejt një epoke krejtësisht të re në jetët dhe në skenën tonë politike. Sistemi ynë republikan-parlamentar, i një demokracie konsensuale (të ujdisë së drejtë), njeh vetëm një tip zgjedhjesh të nivelit të përgjithshëm, nga i cili burojnë të gjitha institucionet relevante qendrore. Ne zgjedhim 120 deputetët, të cilët, rrjedhimisht, zgjedhin (emërojnë) presidentin, krye-parlamentarin, kryeministrin, e kështu më radhë. LDK është testuar në vazhdimësi se nuk qëndron asnjëherë as kokëfortë e as e ngurtë kur është në pyetje interesi kombëtar e shtetëror – interes i tillë në këtë kohë mjaft të ndjeshme besojmë fuqishëm të jetë balancimi dhe kundërpeshimi real i pushtetit si dhe eliminimi i plotë i çfarëdo politike apo logjike dominuese, e që rrjedhimisht do të rrezikonin si shkronjën ashtu dhe frymën e Kushtetutës sonë. Sot, në 30-vjetorin tonë jubilar, LDK zotohet të jetë e gatshme, e përgatitur dhe e dedikuar si kurdoherë të sfidohet për një ndryshim përmbajtjesor e kualitativ – Urime Ditëlindja LDK! /Reporteri.net/.

    https://www.facebook.com/bajram.gecaj.1/posts/497557951136282

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!