×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyrtari i VV-së akuzoi ndërkombëtarët për nxitje trazirash në veri, Çitaku: Eksponent tipik që sheh armiq kudo

    Reporteri
    22 Maj 2025 | 20:10

    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të një zyrtari të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat ajo i cilëson si të papërgjegjshme dhe dëmtuese për interesin shtetëror të Kosovës.

    Çitaku shpreh shqetësimin se pikërisht në ditën kur Kosovën e viziton Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, një eksponent i Vetëvendosjes ka zgjedhur t’i akuzojë partnerët ndërkombëtarë për nxitje trazirash në veri të vendit.

    Sipas saj, kjo qasje përfaqëson një politikë të izolimit dhe tensionit, që sipas saj, “i shërben vetëm vetes” dhe jo interesit qytetar apo vizionit për shtetndërtim.

    “Ky zyrtar është një eksponent tipik i një qasjeje që sheh armiq të brendshëm e të jashtëm kudo,” shkruan ajo.

    Deputetja e PDK e lidh këtë qasje politike me gjendjen aktuale të institucioneve, duke theksuar se Kuvendi ende nuk është konstituuar dhe institucionet nuk po formohen, si pasojë e kësaj retorike përçarëse dhe protagonizmi politik.

    “Kosova sot është më e izoluar se kurrë më parë. Nuk është faji i qytetarëve, por i atyre që e vendosin egon para shtetit, protagonizmin para institucioneve dhe retorikën para realitetit,” shkruan ndër të tjera Çitaku.

    Ajo nënvizon se në një kohë kur qytetarët po përballen me krizë ekonomike, pasiguri dhe mungesë perspektive, “u ofrohet vetëm egërsia e fjalëve boshe dhe mburrja me qëndrime të forta.”

    Në fund të reagimit të saj, Çitaku bën thirrje për një lidership të përgjegjshëm, që di të dëgjojë dhe bashkëpunojë, duke parë kritikat si mundësi për përmirësim e jo si sulm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!