Për dy ditë në Prishtinë, por edhe në komuna tjera, qytetarët me lugë dhe tenxhere kanë protestuar kundër politikanëve. Zhvillimet e fundit rreth shpalljes apo jo gjendje të jashtëzakonshme, si dhe mocioni për rrëzimin e Qeverisë kanë nxitur irritim tek qytetarët ndaj politikanëve pa dallim. Kjo për shkak se Kosova tashmë është izoluar sikur edhe krejt vendet për ta mposhtur pandeminë Covid 19.
Por, në Vetëvendosje bëjnë sikur ata nuk janë politikanë. Këtë protestë ata kanë filluar ta shohin sikur është në mbështetje të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, kryetar i VV-së.
Një asamblist i VV-së në Prishtinë, Egzon Azemi tentoi ta përvetësojë këtë protestë dhe ka bërë thirrje dalje në rrugë me makina. Ai dje postoi një video e një thirrje për protesta me sirena të makinave, nga Hotel Grandi e deri të Rrethi i Flamurit.
Por, siç duket autoritetet kanë marrë masa që ta ndalojnë këtë protestë, për shkaqe të sigurisë. Dalja në rrugë këto ditë po kërkohet të reduktohet në maksimum për të parandaluar çdo mundësi të përhapjes së COVID0 19.
Se protesta është anuluar kanë njoftuar edhe organizatorët. Blend Zymi, si një nga organizatorët, ka thënë se anulohet për shkak edhe të rregullave të reja të lëvizjes.
“A din per qat protesten e nesrit qe tham?
Ehhhh..ANULOHET se ni fmij i vogel ka shkrujt.
Sipas rregullores se re, na neser nuk mujn me organizu protest me vetura. Dmth terhekem nga ky moment dhe kerkoj falje shum. Nuk kemi leje, nuk e thejm ligjin.E gjejm nje form tjeter pa pas pasoja te tjeret”, ka shkruar ai.
Çdo ambient me shumë njerëz konsiderohet në masë të madhe shkelje e rregullave të sigurisë. Edhe kjo protestë është parë si e tillë.
Kritika për qasjen e VV-së në këto situata, për thirrjen e njerëzvë në rrugë ka dhënë edhe një asamblist i PSD-së në Prishtinë, Nol Nushi.
“Kete djaloshin fatkeqesisht e kam kolege ne asamble te Prishtines. Kur i madh e i vogel po ben thirrje qe njerezit bejne levizje minimale dhe te rrine ne shpi, ky cari ben thirrje per protesta sepse lideri qe ky e adhuron po ia humb pushtetin vetes. Kurti eshte nder pak njerezit e vetem qe jane testuar per COVID-19. Ai nuk e ka rrezik shendetin por pushtetin. Kjo eshte mendesia e militantit te verber, e rrezikon shendetin publik per nje lider i cili iku nga detyra”, ka shkruar ai për postimin e Azemit.
Ndërkohë, pritjet janë edhe që edhe sonte të ketë protestë nga ballkoni. LDK tashmë ka dërguar në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë. Krejt partitë po e mbështesin, përveç VV-se. Në javën e ardhshme pritet të mbahet seanca. VV thotë se s’ka kushte për shkak të sigurisë, por rregullorja mundëson edhe hapësira tjera. /Reporteri