Për një periudhë gjashtëmujore, Egzonjeta Kadishani ka zënë një vend pune në Ministrinë e Arsimit.
Kadishani, përmes kontratës për shërbime të veçanta, është punësuar si zyrtare për informim në MASHT këtë muaj, ani pse ajo është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për veprat penale “Ndërhyrje në sisteme kompjuterike” dhe “Ngacmim”.
“Për rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke e trajtuar dhe se e njëjta është duke u hetuar për dy veprat penale.
Aktualisht, ky rast ndodhet në fazën e hetimeve, andaj prokurori i rastit është duke i zhvilluar hetimet lidhur me këtë çështje penale”, ka thënë zëdhënësja Laureta Ulaj.
Egzonjeta Kadishani nuk ka kthyer përgjigjeje në pyetjet e KTV-së se si u bë që ajo të punësohet sërish në këtë ministri, as pas një jave. Ajo ishte punësuar edhe në maj të vitit të kaluar në Ministrinë e Arsimit në pozitën zyrtare administrative.
Megjithatë, në një përgjigje me shkrim, Ministria e Arsimit thotë se Egzonjeta nuk është punësuar, por është angazhuar vetëm përkohësisht.
“Fillimisht, duam t’ju informojmë se personi në fjalë nuk është punësuar ne MASHT, por është angazhuar përkohësisht me marrëveshje për shërbime te veçanta.
Sipas komisionit përkatës, kandidatja në fjalë i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara.
Lidhur me çështjet tjera të ngritura, edhe pse nuk kërkohen me konkurs, e angazhuara në fjalë i ka ofruar Ministrisë edhe dokumente që dëshmojnë të kundërtën e asaj që thoni”, ka thënë Valmir Gashi, këshilltar për media i ministrit të Arsimit.
Muajt e fundit, kjo ministri ka shpeshtuar konkurset të cilat kryesisht kanë qenë me kontrata mbi vepër.