Një proces rekrutimi për pozitat e zyrtarëve administrativë në Universitetin e Prishtinës, i nisur në fund të qershorit 2025, kishte arritur pothuajse në fazën përfundimtare. Në mesin e dhjetëra aplikantëve për më shumë se 20 pozita të shpallura, ndodhej edhe Safet Thaçi, zyrtar ligjor në po këtë universitet. Konkursi kishte përfshirë tri faza: verifikimin e dokumentacionit, testimin me shkrim dhe intervistën me gojë.
Sipas dokumenteve që ka siguruar Gazeta Online Reporteri.net, Thaçi kishte kaluar me sukses dy fazat e para, por kishte dështuar në fazën e tretë – intervistën me gojë.
Në konkursin për pozitën e Sekretarit të Fakultetit Filozofik, ai nuk ishte përzgjedhur, pozita iu besua një kandidati tjetër.
Megjithatë, zhvillimet që pasuan brenda Universitetit e bënë këtë rast edhe më të pazakontë.
Në fund të shtatorit 2025, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, i udhëhequr nga Altin Sahiti, u mblodh sërish, edhe pse Sahiti kishte dhënë dorëheqje më 20 korrik 2025 – dorëheqje që, sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, duhej të hynte në fuqi një muaj më vonë, më 20 gusht.
Në atë mbledhje, Këshilli mori një vendim: Safet Thaçi u emërua ushtrues detyre i Sekretarit të Universitetit të Prishtinës – një nga pozitat më të rëndësishme për drejtimin administrativ dhe ligjor të institucionit. Thaçi do ta mbajë këtë pozitë për tre muaj, nga data 01.10.2025 deri më 31.12.2025.
Ky emërim u bë në mënyrë të hapur, ndonëse neni 20 i Rregullores për Punën e Këshillit Drejtues të UP-së parashikon votim të fshehtë për vendime të tilla.
Kështu, nga një aplikant i pasuksesshëm për një pozitë fakulteti, Thaçi u ngjit në pozitën më të lartë administrative të gjithë Universitetit.
Vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës, sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta online Reporteri.net, një nga vendimet e para të tij – në mos i pari – ishte anulimi i konkursit për pozitat administrative, të njëjtin konkurs ku ai vetë kishte qenë kandidat.
Në arsyetim të vendimit thuhet se procedura e rekrutimit ka tejkaluar afatin ligjor prej 90 ditësh të përcaktuar në Rregulloren për organizimin e brendshëm, sistematizimin dhe klasifikimin e vendeve të punës, çka ka detyruar anulimin e procesit në përputhje me nenet 179 dhe 182 të Statutit të UP-së.
Për të sqaruar rrethanat e këtij vendimi dhe për të kuptuar procedurën e emërimit të tij, Reporteri.net i është drejtuar me pyetje zyrtare Safet Thaçit. Redaksia ka kërkuar sqarime mbi: arsyet e anulimit të konkursit, kohën dhe mënyrën e emërimit të tij si ushtrues detyre, nëse është kërkuar opinion nga Zyra Ligjore ose Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) për shmangien e konfliktit të mundshëm të interesit, si dhe nëse Thaçi ka bërë vetë-deklarim për konflikt interesi, në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, u.d. Sekretari Thaçi e as UP-ja nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e mediumit.
Pyetje janë dërguar edhe në adresë të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, për të marrë interpretim nëse një vendimmarrje e tillë mund të konsiderohet rast i konfliktit të interesit, duke qenë se zyrtari në fjalë ka qenë pjesë e procesit që më vonë e ka anuluar. Deri tani, Agjencia nuk ka dhënë përgjigje.
Ligji Nr. 06/L-011 përcakton qartë se çdo zyrtar publik është i detyrueshëm të shmanget nga çdo vendimmarrje ku ka interes personal apo profesional.
Sipas nenit 11 të ligjit, “zyrtari publik duhet të përmbahet nga marrja pjesë në vendimmarrje kur interesi privat mund të ndikojë ose shihet se ndikon në ushtrimin e detyrës publike”, ndërsa neni 12 ndalon “çdo pjesëmarrje në vendime që lidhen me çështje ku zyrtari ose persona të afërt të tij kanë interes personal”.
Këto dispozita janë baza ligjore mbi të cilat Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit shqyrton rastet e mundshme të konfliktit të interesit në institucionet publike. /Reporteri.net/.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka filluar hetimet lidhur me konkursin e anuluar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, rast për të cilin ka raportuar Gazeta Online Reporteri.net, javën qe shkoi, ku u ngritën dyshime serioze për konflikt interesi, kur ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm, Safet Thaçi, kishte anuluar një konkurs në UP në të cilin kishte qenë vetë kandidat.
Burime të Reporteri.net në Prokurori, bëjnë të ditur se Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës të sigurojë nga Rektorati të gjithë dokumentacionin që lidhet me konkurset e mbajtura gjatë muajve maj dhe qershor të vitit 2025. Këto konkurse kishin për qëllim plotësimin e 32 vendeve të lira të punës në administratën e universitetit.
Gazeta ka kërkuar nga Prokuroria Speciale detaje shtesë mbi personat që janë objekt i hetimeve, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë përgjigje.
Procesi i rekrutimit, i nisur në fund të qershorit 2025, ishte zhvilluar në tri faza: verifikimi i dokumentacionit, testi me shkrim dhe intervista me gojë. Në mesin e aplikantëve për mbi 20 pozita administrative ishte edhe Safet Thaçi, zyrtar ligjor në këtë institucion. Dokumentet e siguruara nga Reporteri.net tregojnë se ai kishte kaluar me sukses dy fazat e para, por kishte dështuar në intervistën me gojë, duke mos u përzgjedhur për pozitën e Sekretarit të Fakultetit Filozofik.
Megjithatë, zhvillimet që pasuan e bënë rastin edhe më të pazakontë. Në fund të shtatorit 2025, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, i kryesuar nga Altin Sahiti, u mblodh sërish – edhe pse Sahiti kishte dhënë dorëheqje më 20 korrik, e cila, sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, duhej të hynte në fuqi më 20 gusht.
Në këtë mbledhje, u vendos që Safet Thaçi të caktohej ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm të UP-së. E menjëherë pas marrjes së kësaj pozite, Thaçi anuloi konkursin në të cilin kishte marrë pjesë vetë, veprim që ka ngritur dyshime të forta për konflikt interesi, e që tashmë është bërë objekt hetimi nga Prokuroria Speciale.
Ajo që nisi si dyshim i bazuar në dokumente dhe burime të brendshme të Universitetit të Prishtinës, tashmë është konfirmuar zyrtarisht nga shteti.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka konstatuar se u.d. Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës, Safet Thaçi, ka vepruar në konflikt interesi “rast për rast”, duke marrë vendim për anulimin e një konkursi në të cilin kishte qenë vetë kandidat.
Ky konstatim vjen pas hulumtimit të publikuar nga gazeta online Reporteri.net, të cilat ngritën dyshime serioze për ligjshmërinë e procesit dhe për përplasjen mes interesit privat të zyrtarit dhe kompetencës së tij vendimmarrëse.
Rasti lidhet me një konkurs të shpallur nga Universiteti i Prishtinës për pozita në administratën e UP-së.
Në këtë proces rekrutimi, Safet Thaçi nuk ishte pjesëmarrës në garë për një nga pozitat e shpallura.
Sipas dokumenteve, Thaçi nuk u përzgjodh si kandidat fitues. Pas këtij rezultati, Këshilli Drejtues i UP-së mori vendim që edhe pse dështoi në konkurs, ta caktonte atë në pozitën e dytë më të lartë në UP, pas Rektorit – u.d. Sekretar i krejt universitetit.
Ai, në cilësinë e u.d. Sekretarit të Përgjithshëm mori vendim për anulimin e të gjithë konkursit, duke e kthyer një proces rekrutimi të përfunduar në një procedurë të shfuqizuar.
Ky vendim u cilësua problematik që në raportimet e para, pasi ngriti dyshime serioze nëse një zyrtar mund të vendosë mbi një proces në të cilin ka pasur interes personal.
Aplikantë në konkurs, përfshirë edhe punonjës të UP-së, kërkuan opinion nga APK-ja.
Anti-korrupsioni të martën konfirmoi se çështja është trajtuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit pas disa kërkesave të parashtruara në institucion, përfshirë edhe raportimin e Gazetës Reporteri.net.
APK njofton se kërkesa është shqyrtuar në përputhje me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, si dhe duke marrë për bazë edhe Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, konkretisht dispozitat që lidhen me përjashtimin e nëpunësit nga procedura administrative.
Pas analizës së plotë, Agjencia ka dalë me konstatim të prerë:
“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit rastin në fjalë tashmë e ka shqyrtuar dhe trajtuar konform dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, duke dhënë përgjigje për palën me konstatimin se në një situatë të tillë shfaqet konflikti i interesit “rast për rast” për shkak të vendimmarrjes për anulimin e konkursit të shpallur nga Universiteti i Prishtinës për pozita në administratën e UP-së, në të cilin proces rekrutimi ai ka qenë kandidat për njërën nga pozitat e shpallura në kuadër të këtij konkursi”, thuhet në përgjigjen e APK dhënë Gazetës Reporteri.
Sipas APK-së, rasti është vlerësuar nga këndvështrimi i raportit ndërmjet interesit privat të zyrtarit dhe vendimmarrjes së tij zyrtare, elemente këto të përcaktuara qartë në ligjin në fuqi.
“Për më tepër pala është njoftuar edhe për obligimet ligjore të përcaktuara me Ligjin e Parandalimit të Konfliktit të Interesit, Neni 19 lidhur me masat për parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesave”.
Përveç konstatimit të konfliktit të interesit, Agjencia e ka njoftuar palën edhe për obligimet ligjore të përcaktuara me Nenin 19 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i cili parasheh masat që duhet të ndërmerren për parandalimin dhe zgjidhjen e situatave të tilla.
Ky nen obligon zyrtarët publikë që, në rast se ndodhen në konflikt interesi, të përjashtohen nga vendimmarrja dhe të mos përdorin funksionin publik në rrethana ku interesi privat ndikon apo mund të ndikojë në proces.
Siç ka raportuar gazeta Reporteri.net më 12 nëntor 2025, për këtë konkurs edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nisur grumbullimin e informatave, duke e trajtuar çështjen si pjesë të dyshimeve për shkelje ligjore në procedurën e rekrutimit.
I kontaktuar nga mediumi, në lidhje me konkursin dhe dyshimet për konflikt të interesit, Safet Thaçi në nëntor të 2025, nuk ishte përgjigjur në interesimin e mediumit për të sqaruar rrethanat. Njëjtë ka vepruar edhe UP-ja.
Prokuroria Speciale heton konkursin e UP-së që u anulua nga u.d sekretari, pjesëmarrës në garë