Një studim i ri sugjeron se njerëzit që kanë pasur qoftë edhe një infektim të lehtë me Covid-19 mund të u jetë përshpejtuar plakja e trurit dhe ndryshime të tjera në të, raporton CNN, përcjell në shqip Gazeta Online Reporteri.net.
Ky studim, i botuar të hënën në revistën Nature, besohet të jetë më i madhi i këtij lloji. Ai zbuloi se truri i atyre që kanë qenë të infektuar me Covid-19 kishin një humbje më të madhe të lëndës gri dhe anomali në indet e trurit krahasuar me ata që nuk kanë qenë të infektuar. Shumë nga këto ndryshime janë vërejtur në zonën e trurit të lidhur me shqisën e nuhatjes.
“Ne ishim mjaft të befasuar kur pamë dallime të qarta në tru edhe me infeksion të shkallës minimale,” tha për CNN autorja kryesore e studimit, Gwenawlle Douaud, një profesoreshë e asociuar e neuroshkencave në Universitetin e Oksfordit.
Duoaud dhe koleget e saj vlerësuan fotografimet e trurit të 401 njerëzve që kishin qenë të infektuar me Covid-19 mes muajve mars 2020 dhe prill 2021. Tutje, ato i krahasuan rezultatet me fotografimet e trurit të 384 njerëzve të tjerë të të njëjtës moshë por që nuk kishin qenë të infektuar.
Të gjithë pjesëmarrësit ishin të moshës 51 deri 81 vjeç.
Shkencëtarja dhe profesoresha Douaud shpjegoi se është normale që njerëzit të humbin 0.2% deri në 0.3% të lëndës gri në tru çdo vit në zona që lidhen me kujtesën, por në studim u pa se të infektuarit me koronavirus kishin humbur një përqindje shtesë prej 0.2% deri në 2% të materialit në krahasim me të tjerët.
Zonat më të prekura të trurit janë ato të nuhatjes; Douaud tha se nuk ishte e ditur pse, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ajo shtoi se hulumtuesit e këtij studimi planifikojnë t’i testojnë këta pjesëmarrës pas një ose dy vitesh për të parë nëse ka ndonjë ndryshim.
Autorët paralajmëruan se gjetjet janë thjesht momentale, por megjithatë vunë në dukje se “ekziston mundësia që ky infeksion, pra Covid-19, mund të kontribuojë në sëmundjen e Alzheimerit ose në forma të tjera të harresës”.
Gjetjet ishin më se të dukshme, por prapë nuk ishin të mjaftueshme për të shkaktuar panik, tha Dr Richard Isaacson, neurolog dhe drejtor i Qendrës së Universitetit Atlantik të Floridës për Shëndetin e Trurit. Isaacson nuk ishte i përfshirë në studim.
“Ajo që ky studim tregon pothuajse me siguri është ndikimi në aspektin e ndryshimeve nervore,” tha ai. “Por unë nuk mendoj se kjo na ndihmon të kuptojmë mekanizmat që shkaktojnë ndryshime kognitive në tru pas infeksionit,” përmbyll neurologu Isaacson. /Përktheu: Rexhep Kameraj – Reporteri.net/