×
  • Mjekësi
  • Mjekësi

    Gjithçka që duhet të dini mbi vaksinën e re kundër kancerit të gjirit

    Reporteri
    16 Qershor 2025 | 17:13

    Në kërkim të një kure për kancerin e gjirit, është shënuar më në fund një përparim i madh.

    Kompania bioteknologjike Anixa Biosciences, Inc. njoftoi këtë muaj se vaksina e saj kundër kancerit të gjirit, e zhvilluar në bashkëpunim me Klinikën Cleveland, ka përfunduar fazën e parë të testimeve klinike. Tani do të kalojë në fazat e tjera të zhvillimit dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, mjekët mund të jenë në gjendje të parandalojnë formimin e tumoreve kancerogjene.

    “Vaksina është krijuar për të aktivizuar sistemin imunitar të pacientit që të gjejë, njohë dhe shkatërrojë qelizat e kancerit të gjirit në mënyrë parandaluese,” shpjegon Amit Kumar, Ph.D, drejtor ekzekutiv i Anixa Biosciences, Inc., për Vogue. “Nëse një pacient vaksinohet dhe sistemi i tij imunitar trajnohet për të shkatërruar qelizat kancerogjene që në shfaqjen e parë të tyre, ato nuk do të kenë kohë të zhvillohen në tumor.”

    Vaksina përbëhet nga tri doza që administrohen çdo dy javë. Ajo synon posaçërisht alfa-laktalbuminën, një proteinë e qumështit që prodhohet gjatë gjidhënies. Normalisht, kjo proteinë nuk gjendet më në indin e gjirit pasi përfundon periudha e gjidhënies, por shkencëtarët kanë zbuluar se ajo shfaqet në rreth 70% të rasteve me kancer të gjirit të tipit triple-negativ (TNBC). Mjekja onkologe Rima Patel, asistente pedagoge në departamentin e hematologjisë dhe onkologjisë mjekësore në Mount Sinai, shpjegon se qëllimi është që vaksina të trajnojë sistemin imunitar që ta njohë këtë proteinë si të dëmshme dhe ta sulmojë përpara se të zhvillohet kanceri.

    “Ajo është krijuar për të paralajmëruar sistemin imunitar që të sulmojë tumorin në gji përpara se të zhvillohet apo të rikthehet, duke parandaluar rritjen e tij,” thotë Dr. Patel. “Vaksina është testuar në një provë klinike të fazës së parë te 35 gra me histori të kancerit TNBC në fazë të hershme dhe me rrezik të lartë për rikthim, si edhe te pacientë që nuk kanë pasur kancer, por kanë predispozitë gjenetike apo faktorë të tjerë që rrisin rrezikun. Deri tani, studimi ka treguar se vaksina ka prodhuar përgjigje imunitare në shumicën e pacientëve.”

    Kërkimet te minjtë kanë treguar se vaksina ka aktivizuar me sukses sistemin imunitar kundër alfa-laktalbuminës dhe ka parandaluar formimin e tumoreve në gjoks. Por për të provuar efektivitetin dhe sigurinë e saj te njerëzit, Dr. Kumar thotë se është e nevojshme të kryhen teste me grupe më të mëdha dhe me grup kontrolli.

    TNBC konsiderohet një nga format më agresive të kancerit invaziv të gjirit. Sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, ky lloj kanceri ka tendencë të rritet shpejt dhe përhapet para se të diagnostikohet. Ai prek rreth 14 në çdo 100,000 gra në SHBA dhe ka një rrezik të lartë për t’u rikthyer edhe pas trajtimit. Shkalla e mbijetesës pesëvjeçare është rreth 77%, më e ulët se në format e tjera të kancerit të gjirit. Edhe pse vaksina aktualisht synon vetëm parandalimin dhe trajtimin e TNBC, ajo përfaqëson një hap të madh në luftën kundër një prej formave më të zakonshme të kancerit te gratë.

    “Kjo vaksinë përfaqëson një përparim emocionues dhe është unike në synimin e saj për të parandaluar TNBC, i cili është më i vështirë për t’u trajtuar për shkak të mungesës së terapive të synuara,” thotë Dr. Patel. “Jemi shumë të entuziazmuar,” shton Dr. Kumar. “Nëse të dhënat vazhdojnë të jenë pozitive, kjo vaksinë do të ndryshojë lojën.”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!