×
  • Mjekësi
  • Mjekësi

    Një teknologji e re ndalon dridhjet e pacientëve me Parkinson

    Reporteri
    18 Shkurt 2025 | 12:29

    Mjekët thonë se një teknologji e re mund të përmirësojë jetën e pacientëve që vuajnë nga Parkinson.

    Teknologjia e re mund të gjurmojë me saktësi aktivitetin e trurit të pacientit dhe të dërgojë në kohë reale stimulimin elektrik të nevojshëm për të ndaluar lëvizjet dhe dridhjet e pavullnetshme.

    Eric van Breda nga Roterdami është ndër pacientët e parë me Parkinson që provoi pajisjen e re të stimulimit të vendosur brenda trurit.

    “Filloi me vështirësinë për të shtypur në kompjuter dhe duke qenë se gruaja ime është neurologe, shumë shpejt zbuluam se ishte sëmundja e Parkinsonit. Shkova tek një neurolog, bëra një skaner dhe e mora diagnozën brenda dy javëve. Në vazhdim u rrënua e gjithë jeta ime”, thotë Van Breda.

    Sëmundja e Parkinsonit shkaktohet nga humbja e qelizave nervore në tru. Janë këto qeliza që prodhojnë dopaminën, e cila vepron si një ndërmjetëse mes trurit dhe sistemit nervor, që ndihmon në kontrollin dhe koordinimin e lëvizjeve të trupit.

    Kur qelizat vdesin, pacientët bëhen gjithnjë e më të paaftë për të kontrolluar lëvizjet e tyre. Përveç dridhjeve dhe problemeve të ekuilibrit, pacientët mund të kenë gjithashtu dhimbje nervore, marrje mendsh dhe probleme me gëlltitjen.

    Në total janë 108 pacientët që janë pjesë e një programi pilot, të cilëve u është vendosur tashmë brenda trurit pajisja me një version tjetër të programit për stimulimin e thellë të trurit.

    Teknologjia ka ekzistuar prej tre dekadash./tiranapost/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!