Çdo i gjashti në botë vuan nga vetmia, e cila, së bashku me izolimin social, mund të çojë në zhvillimin e një numri të madh sëmundjesh fizike, çka në fund përfundon me 871.000 raste vdekjesh çdo vit në mbarë botën, sipas të dhënave të komisionit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Vetmia rrit rrezikun e goditjes në tru, infarktit, zhvillimit të diabetit, depresionit, ankthit dhe në fund të fundit vetëvrasjes, njoftoi OBSH.
Është vërejtur një gjasë 22% më e madhe që adoleshentët e vetmuar të marrin nota më të ulëta sesa bashkëmoshatarët e tyre që nuk janë të vetmuar, ndërkohë që të rriturit e vetmuar përballen me më shumë probleme kur bëhet fjalë për ta gjetur apo mbajtur një punë.
“Një ndjenjë e dhimbshme dhe subjektive”
Ndikimi nuk është vetëm individual, por edhe shoqëror, duke pasur parasysh miliarda që shpenzohen për funksionimin e sistemeve shëndetësore, dhe lidhet edhe me humbjen e vendeve të punës.
Bashkëkryetari i komisionit të OBSH-së, Vivek Murthy, vetminë e përkufizon si “një ndjenjë e dhimbshme, subjektive që shumë prej nesh e përjetojmë kur marrëdhëniet që na nevojiten nuk përputhen me marrëdhëniet që kemi. Ndërsa izolimi shoqëror, përkundrazi, është një gjendje objektive e numrit të kufizuar të kontakteve, marrëdhënieve apo ndërveprimeve”.
Në raport vlerësohet se në botën e sotme çdo i treti person i moshuar dhe çdo i katërti adoleshent janë të izoluar shoqërisht.
Shkaqet janë sëmundje të ndryshme, arsimimi formal i dobët, të ardhurat e ulëta, mungesa e mundësive për ndërveprim shoqëror e përdorimi i teknologjive digjitale.
Murthy thekson se njerëzit prej mijëra vjetësh janë mësuar të komunikojnë, jo vetëm me fjalë, por edhe me shprehje fytyre, gjuhë trupi, ton zëri apo edhe me heshtje, dhe këto forma komunikimi humben kur njerëzit mbështeten vetëm në telefonë dhe rrjete sociale.