×
  • Mjekësi
  • Mjekësi

    Politikat e dhurimit të spermës në Evropë vihen në pikëpyetje pas skandalit të kancerit

    Reporteri
    10 Qershor 2025 | 14:22

    Pabarazia e ligjeve të dhuruesve të spermës në Evropë është vënë në pikëpyetje pasi një dhurues danez i spermës me një mutacion të trashëguar të kancerit thuhet se ka ndihmuar në ngjizjen e të paktën 67 fëmijëve në të gjithë Evropën, kryesisht në Belgjikë.

    Banka Evropiane e Spermës (ESB) dyshohet se përdori dhurimin e një danezi i cili pa vetëdije mbante një variant të rrallë të gjenit TP53 që rrit rrezikun e kancerit të hershëm.

    Nga 67 fëmijët që ai ndihmoi të ngjizeshin, 23 prej tyre janë bartës të variantit, 10 prej të cilëve kanë zhvilluar kancer.

    Rasti u zbulua në fund të majit nga Dr. Edwige Kasper, biologe në Spitalin Universitar të Rouen, në një takim të Shoqatës Evropiane të Gjenetikës në Milano.

    “Është një sindromë e quajtur sindroma Li-Fraumeni, e cila shkakton kancere të shumëfishta me një spektër shumë të gjerë, kështu që fëmijët që janë bartës të këtij varianti duhet të monitorohen nga afër”, thotë Kasper.

    Nga 10 fëmijët që kanë zhvilluar një formë kanceri, mjekja numëron katër hemopati, katër tumore në tru dhe dy lloje që prekin muskujt.

    Rasti ka nxjerrë në pah mangësitë e politikave të dhurimit të spermës në të gjithë Evropën.

    Ndërsa shumica e vendeve evropiane kufizojnë numrin e fëmijëve të lindur nga një dhurues i vetëm, ose numrin e familjeve që mund të ndihmohen nga një dhurues i vetëm, nuk ka asnjë kufizim në nivel ndërkombëtar ose evropian.

    Kushtet rreth anonimitetit ndryshojnë gjithashtu nga një vend në tjetrin.

    “Do të përfundojmë me një përhapje jonormale të një patologjie gjenetike, sepse banka e spermës e përfshirë në këtë rast ka vendosur një limit prej 75 familjesh nga donatori. Bankat e tjera të spermës nuk kanë vendosur një limit”, shpjegoi Kasper.

    Edhe pse donatorët i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore dhe testeve gjenetike, “nuk ka një parapërzgjedhje të përsosur”, shpjegon Ayo Wahlberg, studiuese.

    “Teknologjia po zhvillohet kaq shpejt. Teknologjitë e testimit gjenetik dhe kostot e tyre po bien kaq shpejt sa, nëse krahasojmë 10 ose 15 vjet më parë dhe sot për sa i përket rekrutimit dhe llojeve të testeve gjenetike që mund të kryhen si pjesë e procesit të shqyrtimit, shumë gjëra kanë ndryshuar”, shpjegoi studiuesja.

    Kufijtë kombëtarë
    Rregullat që rregullojnë dhurimin e spermës ndryshojnë nga një vend europian në tjetrin. Numri maksimal i fëmijëve nga një donator i vetëm varion nga 15 në Gjermani në 1 në Qipro.

    Vende të tjera preferojnë të kufizojnë numrin e familjeve që mund të përdorin të njëjtin donator për t’u dhënë atyre mundësinë të kenë vëllezër dhe motra. Për shembull, i njëjti dhurues mund të ndihmojë 12 familje në Danimarkë dhe 6 familje në Suedi ose Belgjikë.

    Përveç kësaj, donacionet mbahen anonime në vende si Franca dhe Greqia.

    Në shtete të tjera anëtare si Austria, personi i lindur nga një dhurim sperme mund të ketë akses në identitetin e prindit të tij ose të saj.

    Në Gjermani dhe Bullgari, donacionet mund të jenë ose jo anonime, varësisht nga rrethanat.

    Në Holandë, procesi nuk është anonim.

    Një kornizë evropiane
    Këshillat Kombëtare të Etikës Mjekësore Daneze, Suedeze, Finlandeze dhe Norvegjeze ngritën shqetësime për mungesën e rregullimit në nivel ndërkombëtar dhe evropian, duke pretenduar se kjo rrit rrezikun e përhapjes së sëmundjeve gjenetike dhe lidhjes së gjakut.

    “Rreziku që një sëmundje gjenetike të përhapet pa vetëdije shumë më gjerësisht (me një numër të madh pasardhësish) sesa nëse numri i pasardhësve do të kishte qenë më i vogël”, tha Wahlberg.

    “Hapi i parë është të vendoset ose të futet një limit familjesh për dhurues. Hapi i dytë është të krijohet një regjistër kombëtar. Dhe hapi i tretë është sigurisht të kemi një regjistër evropian bazuar në regjistrat kombëtarë”, thotë Sven-Erik Soder, President i Këshillit Kombëtar Suedez për Etikën Mjekësore./gazetasi/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!