×
  • Raporto
  • Mjekësi

    Rritje alarmante e infeksioneve seksualisht të transmetueshme në Evropë

    Reporteri
    22 Maj 2026 | 17:21

    Evropa po përballet me një alarm serioz shëndetësor, pasi infeksionet seksualisht të transmetueshme po shënojnë nivelet më të larta të dekadës së fundit.

    Sipas të dhënave të reja të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), rastet e gonorresë, sifilizit dhe sifilizit kongjenital janë rritur ndjeshëm gjatë vitit 2024, duke ngritur shqetësime për përhapjen e vazhdueshme të këtyre infeksioneve dhe mungesën e masave parandaluese në shumë vende evropiane.

    Kështu, të dhënat për vitin 2024 tregojnë se rastet e gonorresë arritën në 106 mijë e 331, një rritje prej 303% krahasuar me vitin 2015. Rastet e sifilizit më shumë se u dyfishuan gjatë së njëjtës periudhë, duke arritur në 45 mijë e 577 raste.

    Klamidia mbetet infeksioni seksualisht i transmetueshëm më i raportuar, me 213 mijë e 443 raste. Ndërkohë, lymphogranuloma venereum (LGV) vazhdoi të përhapet, me 3 mijë e 490 raste të raportuara.

    “Infeksionet seksualisht të transmetueshme janë në rritje prej 10 vitesh dhe arritën nivele rekord në vitin 2024. Nëse nuk trajtohen, këto infeksione mund të shkaktojnë komplikime serioze, si dhimbje kronike dhe infertilitet, ndërsa në rastin e sifilizit, probleme me zemrën ose sistemin nervor. Më shqetësuesja është se midis viteve 2023 dhe 2024 kemi parë pothuajse dyfishim të rasteve të sifilizit kongjenital, ku infeksioni transmetohet tek të porsalindurit dhe mund të shkaktojë pasoja gjatë gjithë jetës”, tha Bruno Ciancio, drejtues i njësisë për sëmundjet e transmetueshme dhe ato të parandalueshme me vaksina.

    “Përdorni prezervativë me partnerë të rinj ose të shumtë dhe bëni teste nëse keni simptoma si dhimbje, sekrecione apo plagë”, shtoi ai, duke theksuar kështu se mbrojtja e shëndetit seksual mbetet e thjeshtë.

    Sipas raportit, meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj mbeten grupi më i prekur, me rritjen më të madhe afatgjatë të rasteve të gonorresë dhe sifilizit. Ndërsa te popullsia heteroseksuale, sifilizi po rritet sidomos tek gratë në moshë riprodhuese.

    Pasojë direkte e kësaj është pothuajse dyfishimi i rasteve të sifilizit kongjenital, nga 78 raste në vitin 2023 në 140 raste në vitin 2024, në 14 vende që raportuan të dhëna.

    ECDC thekson se shumë vende ende kanë mangësi në kontrollin prenatal, mungesë të testimeve të përsëritura dhe trajtim jo të mjaftueshëm. Gjithashtu, 13 nga 29 vendet raportuese vazhdojnë të kërkojnë pagesë nga qytetarët për testet bazë të SST-ve.

    Institucioni europian rekomandon përmirësimin e protokolleve të kontrollit gjatë shtatzënisë për të siguruar diagnostikim dhe trajtim të shpejtë të sifilizit, në mënyrë që të parandalohet transmetimi tek fetusi.

    ECDC paralajmëron se pa masa urgjente, tendenca në rritje e infeksioneve seksualisht të transmetueshme pritet të vazhdojë, duke sjellë pasoja më të rënda për shëndetin publik dhe pabarazi më të mëdha në aksesin ndaj kujdesit shëndetësor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!