×
Opinione / Shkruan Mero Baze

Bujar Bukoshi – doktori që mori në dorë fatin e Kosovës

Autor:Mero Baze
10 Qershor 2025 | 14:14

Bujar Bukoshi është ndarë nga jeta sot në mëngjes, pas një sëmundjeje me të cilën luftoi shumë gjatë.

Dy ditë më parë e vizitova në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe shpresoj të më ketë njohur. Sot në mëngjes, në orën 5, ai është ndarë nga jeta.

Miqësia ime me të ka nisur në vitet ’90, kur unë isha i angazhuar në shtypin e Kosovës, dhe vazhdoi më pas si një raport njerëzor.

Është kjo arsyeja që ndjehem i detyruar që sa herë të shkruaj për Kosovën, t’ua kujtoj të gjithëve si nisi dhe çfarë detyrimi kanë brezat më pas të respektojnë, mes të tjerash, ato sakrifica që janë bërë për shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Befasia e shqiptarëve në Perëndim pas vitit 1990, ishte rruga që ndoqi Ibrahim Rugova për ta ruajtur Kosovën nga goditja e parë fatale që mund të merrte bashkë me shembjen e Jugosllavisë. Orientimi nga Perëndimi dhe rezistenca paqësore, justifikuan lindjen e UÇK-së dhe ndërhyrjen ushtarake perëndimore.

E vërteta e madhe është se rruga drejt pavarësisë së Kosovës mund të ishte e gjatë dhe e pashpresë, nëse nuk do të lindte UÇK dhe të provokonte ndërhyrjen ndërkombëtare të NATO-s. Por nga ana tjetër, ajo ditë nuk do të vinte kurrë, nëse problemi i Kosovës nuk do të hynte në kancelaritë perëndimore si problem i një shoqërie të orientuar nga Perëndimi që luftonte për të drejtat e saj themelore me rrugë paqësore.

Pak para se të përballej me gjykimin në Hagë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dikur ish-rival i ashpër politik i Ibrahim Rugovës, duke nderuar kujtimin e tij tha:

“Lufta jonë ishte përpjekja jonë për të mos dështuar paqja në Kosovë!”.

Kryeministri i parë

Paraditen e 12 tetorit 1991, Ibrahim Rugova vendosi të thërrasë në zyrë një nga mjekët më të famshëm të Kosovës në atë kohë, urologun Bujar Bukoshi. Si mjek në kulmin e karrierës së vet, i shkolluar në Beograd dhe më pas i specializuar dhe doktoruar në Gjermani, ai ishte popullor në masën e gjerë të qytetarëve të Kosovës.

As e kishte menduar kurrë karrierën politike edhe pse iu ishte bashkuar nismëtarëve të themelimit të LDK-së dhe ishte ndër figurat kryesore të saj, pas Rugovës më karizmatiku.

Bukoshi, momentin e bisedës në zyrën e tij atë paradite tetori, e përshkruan si të sikletshme për Ibrahim Rugovën.

“Ai nuk përdorte shkrepëse, cigaren pasardhëse e ndizte me atë që ishte duke përfunduar. Iu desh të mbaronte cigaren që kishte në dorë e të niste tjetrën, për të m’u ankuar se askush nuk po pranonte të bëhej Kryeministër i Kosovës.

– Të gjithë frikohen nga ky post dhe e refuzojnë…

Më pyeti mua nëse e pranoja.

M’u duk diçka e çuditshme, si çdo e panjohur e atyre kohëve”. 000000

Dhe Bukoshi e pranoi pa debat, pa ngurrim, pa frikë dhe pa ndonjë emocion të përgjegjësisë që mbartte ai post që në fakt ishte më shumë mision, sesa detyrë.

“Nuk i shtrova asnjë pyetje. Thjesht e pranova.”

Ibrahim Rugova u ndie i çliruar.

Ndezi me ngut cigaren tjetër dhe më tha se duhet të dal nga Kosova.

– Diku jashtë… E bisedojmë. Dy qeveri në një territor nuk mund të qëndrojnë, pasi shpërthen konflikti. – tha ai”.

Përshkrimi i Bukoshit në këtë pikë ka dhe një dorë të lehtë humori, kur përpiqet të përshkruajë kujdesin e Rugovës për të mos pasur konflikt.

“Ai…, ai ishte fanatik kundër konfliktit”.

Të nesërmen e bisedës me Rugovën, Bujar Bukoshi bëri gati çantën e udhëtimit me sende të domosdoshme; pizhamet, furçë dhëmbësh dhe një libër të Fan Nolit, “Bethoveni dhe revolucioni frëng”.

Në mbrëmjen e 13 tetorit nuk fjeti në shtëpi, sepse policia e kishte rrethuar në distancë. Pati prerë biletat së bashku me gruan dhe vajzat në linjën Shkup-Zyrih e pastaj Zyrih-Bon, për datën 14 tetor.

Sllovenia ishte zgjedhur si vend i sigurtë. Në qershor kishte shpallur pavarësinë dhe një vit më parë u bë mbështetësja kryesore e kërkesave të Kosovës nëpërmjet forumit që opozita sllovene organizoi në Cankarjev Dom, qendra kulturore e Lubjanës.

Deputetët që kishin shpallur Deklaratën Kushtetuese dhe Kosovën si Republikë të Pavarur në Kuvendin e Kaçanikut, në shtator 1991, ishin shpallur në kërkim nga policia. Ata u bënë bashkë në mërgim me ekipin e ri të Qeverisë së Kosovës, për herë të parë, me shpresë se do riktheheshin si triumfatorë. Por kjo nuk do të ndodhte aq shpejt dhe jo aq lehtë sa e mendonin.

Qeveria e tyre ishte atipike. Ajo do të funksiononte larg shtetit që përfaqësonte, nuk do të kishte buxhet të siguruar nga veprimtaria ekonomike, por nga solidariteti. Mbi të gjitha, kushtëzohej nga një mision dhe jo nga një mandat normal. Ajo ishte qeveri e përkohshme dhe siç ndodh rëndom, gjërat e përkohshme zgjasin pafundësisht.

Kush ishte Bujar Bukoshi?

Bujar Bukoshi u shkollua për mjekësi dhe shërbeu në vitet 70 në disa zona të Kosovës në Drenicë, dhe në Prizren.

Në vitin 1980, ai kishte mundur të siguronte një specializim të mëtejshëm në Gjermani. Pas mësimit të gjuhës në Institutin “Gëte”, në Koblenc, nisi specializimin e thelluar po aty.

Bursa DAAD ishte 1200 marka në muaj, e mjaftueshme për të dhe gruan e tij Zanën, për të vazhduar studimet.

Pas një përvoje të shkurtër në spitalin e Prishtinës, në vitin 1984, niset për në Berlin të mbrojë doktoratën për urologji dhe onkologji. Për rreth gjashtëmbëdhjetë muaj qëndroi në Berlin, pranë Prof. Bauer, me të cilin u lidh shumë fort edhe në vitet në vazhdim.

Në atë kohë pati një ofertë të parezistueshme për punë, si asistent i tij në Munih.por ai u kthye nuë Kosovë dhe pas vitit 1985, filloi të ishte më aktiv në jetën publike. Por ajo që po ngjizej aty ishte një rezistencë e re, jo e bazuar mbi nacional-komunizmin, por mbi modelet e sjella nga Perëndimi. Ishte ky trend i ri i politikës në Kosovë që në fakt e shpëtoi atë.

Bujar Bukoshi u bë pjesë e kësaj historie të re politike të Kosovës. Ai u bë i njohur fillimisht si organizator i nënshkrimit të Apelit të dyqind e pesëmbëdhjetë intelektualëve, një javë para heqjes së autonomisë, në mars të vitit 1989. Më pas, në vitin 1990, së bashku me mjekun e famshëm holandez, Barend Cohen ai dokumentoi dhe bëri popullor në Perëndim helmimet e nxënësve në Kosovë. I shkolluar në Gjermani dhe me lidhje në botën gjermane kryesisht nëpërmjet veprimtares së Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, ish-publicistes Christine von Kohl dhe Barend Cohen, u bë referencë për shtypin perëndimor në fillimet e proceseve demokratike mes shqiptarëve në Kosovë.

Ai është ndër themeluesit e LDK, në dhjetor të vitit 1989, shumë aktiv në konsolidimin e strukturave pas Kuvendit të parë edhe sekretar i përgjithshëm i saj.

Më 12 tetor 1989, Ibrahim Rugova i ofroi atij postin e Kryeministrit të Kosovës, një qeveri që kishte për mbështetje politike Këshillin Kordinativ të Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, pas referendumit për pavarësi, të shtatorit 1991. Pas kësaj, u zhvendos në Perëndim, fillimisht në Lubjanë dhe më pas në Gjermani, në një fshat afër Ulmit, nga ku drejtonte qeverinë në mërgim.

Qeveria fillimisht shpresonte te legjitimiteti ndërkombëtar dhe filloi ta mendojë veten si qeveri e kompletuar me gjithë ministritë. Në tetor dhe nëntor 1991, nëpërmjet një marrëveshjeje me qeverinë e Tiranës, erdhën në Shkollë të Bashkuar dy grupe vullnetarësh me nga tridhjetë vetë për trajnim, drejtuar nga Sali Çekaj.

Por me sa duket, informacioni rrodhi shpejt dhe qeveria shqiptare u detyrua të ndërpresë praktikën, duke i dhënë fund trajnimit të tyre. Më pas hapi një kamp grumbullimi për të rinjtë e larguar nga shërbimi ushtarak në Kosovë që i çonin në një fshat afër Labinotit, por dhe ajo qendër degradoi në mjerim, mungesë disipline dhe mungesë fondesh, derisa u mbyll.

Edhe pse quhej Kryeministër i Kosovës, praktikisht Bujar Bukoshi ka funksionuar më shumë si Ministër i Jashtëm i saj, pasi gjithë veprimtaria e tij ishte në aspektin e kontakteve diplomatike me Perëndimin.

Bujar Bukoshi i hapi boll telashe vetes me një intervistë, në fillim të vitit 1995, ku deklaroi se në Perëndim ka 300.000 shqiptarë gati të luftojnë në Kosovë, duke alarmuar diplomacinë ndërkombëtare që e qetësonte Ibrahim Rugova të krijonte besim të plotë se nuk kishte mendje për luftë.

Deri në Konferencën e Dayton, ata vazhduan të kishin një kohezion politik rreth qëndrimeve ndërkombëtare. Pas Dayton, Bukoshi dhe Rugova janë dy zëra të ndryshëm. Bukoshi kërkon mobilizim për luftë, është në krah të çdo zëri për radikalizëm, përkrah daljet e para publike të UÇK, përkrah madje dhe forca të reja politike në Kosovë që janë pro UÇK, duke dashur të jetë një pol i fortë presioni mbi politikën ndërkombëtare.

Më tej ngjarjet e vrullshme në terren, ofensiva serbe dhe krijimi i UÇK, nuk lanë më vend për debate të brendshme.

Bujar Bukoshi, i vetëm, bëri përpjekje të unifikohej me UÇK dhe të shkrihej me ta, duke tërhequr në shenjë kompromisi emërtimin zyrtar të ushtrisë së krahut qeveritar FARK, dhe duke i dhënë prioritet vetëm emrit të UÇK. Ai financoi disa prej njësive të UÇK në terren, të Llap-Dukagjin-Suharekë, brigadën “Agim Ramandani” në Kosharë, si dhe ndihmoi direkt drejtues të UÇK, duke u dhënë një fond të konsiderueshëm. Por ngjarjet e shtatorit 1998, vrasja e ish-ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi dhe atentatet ndaj disa ish-zyrtarëve të LDK, si Sabri Hamiti e më pas vrasja e Enver Malokut, krijuan një klimë të fortë ndarjeje. Njeriu që kishte qenë mbështetësi më i madh i UÇK, në krahun zyrtar, u bë tani armiku më i madh i tyre dhe rrezikuan ta vrasin gjatë një udhëtimi në Tropojë, në mes të bombardimeve, sikur Kryeministri Pandeli Majko të mos kishte çuar aty helikopterin për ta marrë dhe për të shmangur pritën.

Në javën e parë të çlirimit ai hyri i vetëm në Kosovë, pa roje dhe ushtarë dhe iu përkushtua investimit në rreth katërqind shkolla nga fondi i mbetur për arsimin në fondacionin në Gjermani.

Më pas vazhdoi jetën e tij politike jo shumë aktive, duke bashkëpunuar me Ibrahim Rugovën sa ishte gjallë dhe nëpërmjet një partie të re që krijoi, por që nuk pati suksesin që priste. Më shumë sukses pati rikthimi i tij si deputet i LDK, në vitin 2007, dhe më pas stabilizimi dhe pajtimi i tij me rivalët politikë, kryesisht Hashim Thaçin, me të cilin krijoi raporte pozitive.

Për dhjetë vjet ai ishte portreti i Kosovës në Perëndim, duke trokitur në dyer që nuk hapeshin dhe duke u ballafaquar me histori të pabesueshme mbijetese, mobilizimi dhe vlerash njerëzore të një populli që ia doli të pranohej nga Perëndimi si paqësor dhe bindi Perëndimin të luftonte për lirinë e tij.

Bashkëjetesa Bukoshi – Rugovën ka qenë një histori plot ngjyra, shpeshherë gri e të errëta, por në tërësinë e saj një kombinim që arriti të mbajë gjallë besimin e shqiptarëve se do t’ia dilnin.

“Një herë e pashë që e kisha shkelur me deklaratat e mia, vazhdimisht të ashpra që kontestonin pasivitetin. I thashë:

– Ibrahim, a mos po e teproj me këto deklaratat, mos po prish më shumë punë?

– Ani, mirë e ke! Ti nxehtë, unë ftohtë, del diçka e vakët. – m’u përgjigj jo aq pa humor”.

Dhe kështu të dy bashkë, si murgjër të një rruge që nuk ia dinin fundin, ata ia dolën të ndërtojnë Republikën e Parë të Kosovës, një shtet me letra që nuk i njohu Perëndimi, por i njohën shqiptarët dhe e besuan më shumë se çdo qeveri tjetër e mëpasme në Kosovën e lirë. Ishte e vetmja Republikë pa ushtri, pa territor dhe pa njohje ndërkombëtare.

E mbante në këmbë besimi te liria!

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!