Dëmet maksimale të rrogës minimale

Autor: Adri Nurellari 


Një ndër motot më të famshme të Marksit ka qenë: “Të gjithëve të marrin sipas nevojave dhe të japin sipas mundësive”. Këtu e ka frymëzimin politika e rrogave minimale që kërkojnë prej punëdhënësve që të paguajnë punëtorët një shumë të ‘përshtatshme’ për nevojat e tyre, duke vendosur një rrogë mbase më të lartë sesa ia garanton tregu.


Marksistët kanë frymëzuar në ekonominë politike vendosjen e rrogave minimale duke u nisur nga bindja që punëdhënësit, domethënë borgjezët, janë klasa shfrytëzuese që kurrë nuk do t’ia rriste vullnetarisht rrogën një punëtori e për rrjedhojë shteti duhet të ndërhyjë që të rregullojë këtë ‘padrejtësi’. Kjo politikë në Shqipëri po justifikohet me idenë që po ndihmohen punëtorët që marrin rrogën më të ulët, duke i nxjerrë ata nga varfëria nëpërmjet detyrimit të punëdhënësve që të paguajnë një rrogë më të lartë. Nëse vërtetë rroga minimale do të ulte varfërinë atëherë pse tregohemi dorështrënguar dhe mos ta bëjmë një milionë lek? Dhe meqenëse jemi në këtë linjë dhe iludohemi se me një të rënë të shkopit magjik mund të luftohet varfëria, pse mos të vendosim çmime të ulëta për ushqimin, strehimin transportin e kështu me radhë?

E vërteta është që kjo rrogë minimale bën krejt të kundërtën e asaj që pretendon të realizojë. I penalizon ata që marrin rrogën më të ulët sepse këta njerëz janë krahu i punës që është i pakualifikuar të cilit po t’i rritet kostoja, thjesht nuk punësohen. Pra mekanizmi ofertë kërkesë do luajë rolin e vetë. Po qe se rritet çmimi i picave do blejmë më pak pica dhe po kështu po u rrit kostoja e krahut të punës do punësohen më pak punëtorë.

Nëse ta zëmë një pronari të një dyqani modest i duhet të rrisë rrogën e shitëses me zor, më shumë sesa i konvenon dhe sesa ka rënë dakord në mënyrë vullnetare me shitësen, atëherë pronarit në më të shumtën e rasteve do t’i duhet që të dalë vetë të shesë dhe ta heqë nga puna shitësen e punësuar. Marrim për shembull një punonjës pjatalarës të një restoranti, nëse shteti do ta detyronte pronarin e restorantit që t’i rriste rrogën, atëherë pronarit do t’i leverdiste më mirë të blinte një enëlarëse elektrike sesa të rriste rrogën.

Pra një alternativë ndaj rritjes së rrogës me detyrim do të ishte automatizimi duke rritur papunësinë. Një rast tjetër, reagimi i bizneseve mund të ishte outsourcing pra heqja e një procesi pune nga kompania dhe komisionimi i këtij shërbimi tek një kompani tjetër. Për shembull një hotel që punëson disa gra për të larë shtresat, apo rrobat po qe se detyrohet t’i paguajë këto gra me rroga më të larta nga sa kishte parashikuar, fare mirë mund të vendoste që për t’i mbajtur kostot minimale t’i heqë këto gra nga puna dhe këtë shërbim ta siguronte nëpërmjet lavanderive private duke mos u marrë më vetë me pastrimin. Pra, rritja e rrogës minimale jo vetëm që nuk i nxjerrë nga varfëria këta punonjës por i nxjerr nga puna duke i zhytur në varfëri.

Rritja e rrogës minimale është në të vërtetë një mënyrë për të diskriminuar më të varfrit dhe rasti më klasik ka qenë ai i periudhës së aparteidit dekada më parë në Afrikën e Jugut. Sindikatat e të bardhëve nëpërmjet klientelizmit që kishin me shtetin asokohe siguruan në shtetin e Afrikës së Jugut vendosjen e një niveli të lartë të rrogës minimale, e cila i mbante zezakët jashtë tregut të punës. Duke e bërë të pamundur për punonjësit me ngjyrë që të shisnin krahun e tyre të punës më lirë sesa punëtorët e bardhë, bëhej që popullsia me ngjyrë të dënohej me papunësi.

Por rroga minimale jo vetëm që dëmton krahun e pakualifikuar të punës duke e nxjerrë jashtë tregut, pasi i jep një çmim që nuk e bën joshës për punëdhënësit potencialë, por dëmton edhe bizneset e vogla dhe të brishta, të cilat kanë një marzh të ulët fitimi. Punëtorët që preken nga rroga minimale në fakt janë të punësuar në më të shumtën e rasteve nga biznese të cilat janë goxha të brishta dhe nuk kanë norma të larta fitimi. Kështu rritja e kostos së krahut të punës për shumë dyqane të vogla, bare apo restorante mund të çonte në falimentimin e mirëfilltë të këtyre firmave modeste duke e thelluar më tej varfërinë në vend dhe duke ngadalësuar rritjen ekonomike të vendit tonë.

Kjo politikë e rrogave minimale cenon rëndë fleksibilitetin e tregut të burimeve njerëzore dhe dëmton shumë rëndë mundësinë e njerëzve më të varfër për të rritur të ardhurat nëpërmjet punësimit të shumëfishtë, apo part time. Për shembull, në Tiranë ka vërdallë pastruese që punojnë në disa organizata apo firma të ndryshme, që veçmas i paguajnë relativisht pak këto pastruese. Ose më saktë iu japin rroga që janë më të ulëta sesa sanksionohet nga rroga minimale. Mirëpo, duke punuar në disa punë me rroga të ulëta, sigurohen gjithsesi të ardhura të larta. Por këto firma do mateshin shumë para se të pajtonin një pastruese po qe se rroga do të ishte ta zëmë 200000 mijë lekë, përkundrejt 50000 mijë lekëshit (me të vjetra) që i japin deri tani. E njëjta gjë vlen për punësimin part-time, ka shumë të rinj që punojnë nëpër bare apo klube vetëm për fund-javën sepse gjatë javës janë të zënë me mësime dhe plus në këtë pjesë të javës edhe ka nevojë për ta. Kuptohet që ata paguhen për ato tetë ditë në muaj me një çmim më të ulët sesa paga dysheme e vendosur nga shteti, që do të thotë se nëse kjo pagë do të imponohej me rigorozitet, për këta të rinj nuk do të kishte më shanse pune me kohë të pjesshme.

Një tjetër dëm i jashtëzakonshëm i pagës minimale është ai që i shkaktohet njerëzve pa përvojë, ose të rinjve që sapo dalin nga bankat e shkollës. Janë të shumtë ata të rinj që janë të gatshëm që të futen ne programe stazhi, apo internshipe të paguara modestish ose fare pa u paguar, vetëm e vetëm që të përfitojnë përvojë pune, të mësojnë më mirë një zanat, apo që të aplikojnë në praktikë mësimet e marra në teori. Kjo përvojë fillestare është jashtëzakonisht e rëndësishme për t’u profesionalizuar ose për të bërë një CV konkurruese. Mirëpo firmat e ndryshme vështirë se do t’i pranonin këta të rinj po qe se do të detyroheshin që t’i paguanin me çmime të diktuara nga shteti.

Një tjetër problem jo i vogël ka të bëjë me sistemin tonë të kontrollit dhe të informalitetit. Tregu ynë i punës është jashtëzakonisht informal dhe kjo politikë do të inkurajojë akoma më tej informalitetin, duke shtyrë shumë firma që të fshehin shumë punëtorë që paguhen pak. Dhe jo vetëm do thellonte informalitetin, por do të rriste korrupsionin, pasi do t’i jepte administratës një instrument më shumë për të bërë presion dhe për të vjelë ryshfete apo favore. Logjika e ‘qeverisë së vogël’ e pretenduar nga koalicioni në pushtet duhej të kishte të bënte me një shtet që ndërhynte sa më pak dhe jo thjesht me një shtet e drejtuar nga një klikë më e vogël njerëzish.

Në sistemin tonë ekonomik dhe politik që bazohet tek tregu i lirë, nuk ka hapësirë për ndërhyrjen e shtetit tek vendosja e çmimeve. Çmimi i krahut të punës është njësoj si çmimi i një shërbimi apo malli që shitet në treg. Ashtu sikurse shteti nuk e ndalon dot një kompani që të ulë çmimin e një produkti që shet ose prodhon ashtu, edhe nuk ka të drejtë që të pengojë një punëtor që ta shesë vullnetarisht punën e tij për një çmim më të ulët. Çmimi i lirshëm i krahut të punës është një ndër pjesët thelbësore të ekonomisë së tregut dhe prandaj çmimet duhen lënë në dorë të tregut për t’u vendosur qoftë kur bëhet fjalë për çmime me të cilat paguhen punëtorët që iu shërbejnë punëdhënësve, qoftë kur bëhet fjalë për çmime për të cilat paguhen kompanitë që iu shërbejnë konsumatorëve.