×
Opinione

Editorial i Reporterit/ Sa e turpshme për një vend kur Presidenti e Kryeministri në ardhje ‘takohen’ veç me ndërmjetës të huaj

Reporteri
05 Dhjetor 2019 | 20:35

Editorial i Gazetës Online ‘Reporteri’


Hashim Thaçi dhe Albin Kurti janë parë tash e një kohë si rivalët më të ashpër politikë. Nuk ka gati asgjë që ata janë pajtuar. Gjërat tash po ndryshojnë.


Tash e dy ditë në Kosovë ishte një lajm i madh. Një takim i mundshëm mes Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe me gjasë kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti.

Ky takim pritej të ndodhte në Berlin dhe do të ndërmjetësohej nga një i huaj, ambasadori i SHBA-ve në Berlin, Richard Grenell. Por, nuk ndodhi asgjë. Të dytë po qëndrojnë në Berlin e nuk do të takohen. Nuk janë takuar as në Kosovë.

Hashim Thaçi e Albin Kurti kanë më shumë se një dekadë që zhvillojnë beteja dialog në distancë. Nuk dihet kur është hera e fundit që kanë shtrënguar duart.

Kurti konsideron se Thaçi ka bërë shumë kompromise si Kryeministër, në dialogun me Serbinë dhe për më tepër ka qeverisur keq. Thaçi, që tash e quan vetën apolitik, konsideron se Kurti ndjekë një ideologji të rrezikshme për Kosovën dhe se ka dezertuar gjithmonë kur kanë qenë momentet historike për Kosovën.

Përtej dallimeve politike, gjuhës së ashpër politike të instaluar në Kosovë, do të duhej të ishte koha e fundit që liderët e vendit të silleshin normalisht, dialogun ta kishin mjet, mendimin ndryshe si vlerë për garë, e bashkëpunimin për vendin si virtyt.

Këto ditë duket interesante ta shohësh një takim mes Thaçit dhe Kurtit, një shtrëngim duarsh e një buzëqeshje në fytyrë.

Por, në një kohë kur shumë të rinj të vendit mendimin e parë e kanë largimin nga Kosova, kur ka dhjetëra e dhjetëra probleme ekonomike e politike, është e turpshme të diskutosh e të befasohesh nga një takim i mundshëm mes Presidentit të vendit dhe Kryeministrit në ardhje. Vërtetë çfarë turpi.

Asgjë tjetër. Turp për ne e më shumë për ata.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!