×
Opinione

Fundi i një epoke qeverisëse dhe trashëgimia e saj

Reporteri
05 Dhjetor 2021 | 11:54

Autor: Afrim Kasolli


Në një ceremoni të veçantë, Angela Merkel, para dy dite i dha fund qeverisjes së saj gjashtëmbëdhjetëvjeçare në shtetin gjerman. Kjo politikane mund të konsiderohet si njëra nga drejtueset më të rëndësishme në historinë politike të Gjermanisë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Karriera e saj, mbase mund të krahasohet më atë Konrad Adenauer-it, që e inkuadroi Gjermaninë Perëndimore në strukturat euro-atlantike, dhe nuk u josh nga dinakëria e Stalinit kur e lejoi bashkimin e dy Gjermanive, me kusht që ky shtet i bashkuar të ishte neutral gjatë Luftës së Ftohtë dhe të mos ishte pjesë e NATO-së, Willy Brandt-in që u dallua me inaugurimin e konceptit të tij “Ostpolitik” si pjesë e përmirësimit të marrëdhënieve me Lindjen si dhe Helmut Kohl-it që i ra fati të jetonte dhe vepronte në kohën e triumfit të “fundit të historisë”, rrënimit të Murit të Berlinit dhe bashkimit të Gjermanisë Perëndimore me atë Lindore. E, ky i fundit, konsiderohet si më meritori, që ia hapi dyert e karrierës politike Angela Merkelit. Ndonëse në fund ajo u distancua nga mentori i saj, pas akuzave për korrupsion që shpërthyen kundër Helmit Kohl-it. Me një formulim të guximshëm dhe lakonik, ajo deklaroi, se tash e tutje partia (CDU), “duhet të marrë frymë” edhe pa Helmut Kohli-in, pavarësisht rolit të jashtëzakonshëm historik që ai zinte në historinë moderne të Gjermanisë.

Kuptohet jetëshkrimin politik të Angela Merkelit nuk e karakterizuan kthesa dhe yllësi të tilla historike. Ajo më shumë u dallua si një menaxhere e krizave imediate që u imponuan gjatë qeverisjes së saj si në nivel global, evropian ashtu edhe në shtetin që e drejtonte. Kriza financiare, ajo e refugjateve, administrimi sa më me pak pasoja për BE-në, i Brexitit dhe në fund shpërthimi i pandemisë Covid 19 e konsumuan një pjesë të madhe të energjive dhe veprimtarisë së saj politike.

Kancelarja Merkel ishte apologjete e vendosur e ruajtjes së raporteve transatlantike. Kjo politikane me origjinë nga Gjermania Lindore, e cila dikur ishte pjesë e universit totalitar komunist, në vazhdimësi e potenconte nevojën për marrëdhënie specifike që BE-ja duhet ta kishte me Uashingtonin. Mirëpo, pas fitores së Donald Trump-it në Amerikë dhe tensioneve që shpërthyen ndërmjet këtyre dy vendeve, Angela Merkel deklaroi hapur se tash e tutje BE-ja, e ka obligim ta mendojë autonominë e saj strategjike, sepse ky entitet trans-nacional nuk do të mund ta bazojë sigurinë e tij kolektive duke u mbështetur gjithmonë në mbrojtjen qendrore që e ofronte prezenca amerikane në kontinent.

Ndërkaq në politikën e jashtme ajo vazhdoi traditën “pasive” të këtij shteti të vendosur mbi të nga fitimtarët e luftës që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Madje edhe nëse rrethanat aktuale globale e kërkonin një angazhim më dinamik të shtetit gjerman, për shkak të peshës që e ka ky shtet në ekonominë botërore.

Një paradoks të tillë kohë më parë e ka pasqyruar në mënyrë simptomatike  Radoslaw Sikorski, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë, kur deklaroi se “ kam filluar t’i frikësohem më shumë joaktivitetit të Gjermanisë, se sa ushtrimit të pushtetit të saj në nivel global” ( I fear German power less than I am beginning to fear German inactivity).

Çështja gjermane dhe BE-ja

Tipar tjetër i Angela Merkelit ishte përkushtimi i saj për ta fuqizuar dhe përmirësuar sa më shumë që të ishte e mundur rolin, peshën dhe funksionin e Bashkimit Evropian. Dhe këtë jo pa arsye. Sepse ajo e dinte ashtu si paraardhësit e saj, se mbijetesa e këtij formacioni “post historik” mbetet një kusht i domosdoshëm për ta akomoduar edhe çështjen gjermane.

Siç ka pohuar me të drejtë studiuesi i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare Robert Kagan, në artikullin e tij “The New German Question”, të botuar kohë më parë në Foreign Affrairs, se bashkimi i Gjermanisë që në vitin 1871 e kishte debalancuar ekuilibrin e forcës që kishte dominuar deri atë kohë në kontinentin evropian. Në mes të tij ishte krijuar një shtet i fuqishëm, i pasur, i madh dhe tejet i pushtetshëm për t’u mbajtur nën kontroll nga fuqitë tjera evropiane. Kjo kthesë solli gradualisht rrënimin e atij rendi dhe u hapi rrugën tensioneve të reja gjeopolitike që rezultuan në dy luftëra tragjike botërore. Agravimi i këtyre kontradiktave u kushtëzua nga kalkulimet strategjike të Francës, Rusisë dhe Britanisë për potencialin e jashtëzakonshëm të kësaj fuqie qendrore si dhe apetitet e Berlinit për tregje të reja dhe lëndë të parë, për të mirëmbajtur në ritme të larta forcën industriale të këtij kombi vibrant. Madje ky ankth u vërejt në rezervat dhe dyshimet që këto vende demonstruan edhe në vitin 1990 lidhur me ribashkimin e Gjermanisë. Ishte vetëm insistimi dhe garancia e Uashingtonit që e i qetësoi këto dilema dhe shqetësime gjeopolitike.

Në këtë kontekst çështja gjermane solucionin me adekuat deri më tani e ka gjetur në kuadër të institucioneve multilaterale ndërkombëtare që u krijuan pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Dhe këtu për shkak të distancës historike, pohon R.Kagan, është harruar fakti se veçanërisht NATO si njëra ndër organizatat kryesore të sigurisë ndërkombëtare u themelua atëbotë me motiv për ta mbajtur “Gjermaninë të përkulur dhe Bashkimin Sovjetik jashtë sferës së interesave strategjike amerikane në Evropën Perëndimore”. (“Keep the Soviet Union out, the Americnas in, and the Germans down”)

Nën dritën e këtij zhvillimi u hap shtegu për krijimin e shumë institucioneve tjera multilaterale edhe me karakter ekonomik, me qëllim intensifikimin dhe bashkëpunimin e qarkullimit tregtar, ekonomik, të shërbimeve dhe kapitalit në kuadër të një tregu të përbashkët dhe të hapur. E tillë ishte fillimisht ai i Bashkësisë Evropiane të Qymyrit dhe Çelikut (The Europan Steel and Coal Community), e cila mund të themi se i parapriu krijimit të Bashkimit Evropian. Madje, siç kishte pohuar Geroge Kenan, ish-diplomat amerikan, “një formë e integrimit evropian ishte e vetmja mundësi për të ofruar një zgjidhje adekuate për problemin e Gjermanisë dhe pjesës tjetër të Evropës”. Sepse me anë të kësaj formule mund të akomodoheshin shtytjet dhe nevojat e ekonomisë gjermane për një treg të madh pa rënë pre e ambicieve territoriale, hegjemonike dhe nacionaliste. Dobësimi i një pjese sovranitetit shtetëror për hir të përfitimeve ekonomike e karakterizonte këtë formule “magjike”. Dhe dizajnimi i këtij rendi u etablua nën ombrellën e sigurisë amerikane. Mirëmbajtja e kësaj koniunkture shfaqet si një imperativ strategjik për Gjermaninë edhe sot.  Siç dihet, ky shtet mbi 50% të GDP-së e ka të garantuar nga eksporti. Një fenomen ky i paprecedent. Prandaj me anë të këtij modeli ky shtet ka mundësi ta ruajë mrekullinë e tij ekonomike pa u tunduar nga doktrinat hegjemonike. Çdo çekuilibrim i këtyre parametrave mund të prodhojë pasoja të paparashikueshme për stabilitetin kontinental. Këto kontradikta tregojnë për rëndësinë që ka BE-ja për Gjermaninë dhe anasjelltas.

Kjo është edhe arsyeja e tensioneve që u shpërfaqen ndërmjet ish-administratës së Trumpit dhe shtetit gjerman. Sepse, sipas bindjeve të së parës, nga rendi që e kanë themeluar dhe mirëmbajtur SHBA-të për më shumë se gjysmë shekulli, më së shumti ka përfituar ekonomikisht Gjermania, prandaj edhe kjo e fundit duhet të tregohet me gjeneroze për të investuar në politikat kolektive të sigurisë. Berlini nuk duhet të tregohet koprrac dhe indiferent në këtë drejtim. Dhe nuk mund të jetojë në iluzionin e “parajsës së paqes së përjetshme kantine” duke e lënë vetëm Amerikën të përballët në një “botë kaotike hobsbiane”. Madje Gjermania nuk duhet të mendojë vetëm për interesat e veta sa u përket marrëveshjeve energjetike që bënë me Moskën, sikurse është rasti me gazpërçuesin Nord Stream 2, duke e dëmtuar ekonomikisht Poloninë dhe Ukrainën si dy vendet që ndodhen në vijën e parë të frontit kundër ambicieve revizioniste gjeopolitike të Putinit.

Në rajonin tonë iniciativa më e njohur e Angela Merklit mbetet inaugurimi i Procesit të Berlinit, një nismë kjo për të lehtësuar bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor- Shqipërisë, Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Qëllimi i kësaj nisme formalisht ishte t’u mundësohet atyre që në staze afatgjata t’i bashkohen BE-së. Por fillimisht duke e inkurajuar këtë rrugëtim nëpërmjet “agjendës së lidhshmërisë”, në shumë fusha si ato të transportit, energjisë etj. Dhe po ashtu me anë të kësaj strategjie mëtohej të tejkaloheshin rivalitet politike, etnike dhe historike ndërmjet vendeve të rajonit. Sidoqoftë , refuzimi i Serbisë për ta njohur shtetin e Kosovës edhe mungesa e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve, edhe përkundër zhvillimit të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për më shumë se një dekadë, ka bërë që progresi të mos jetë shumë domethënës.

Përpjekjet e saj për të promovuar konturat e stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë, jo rrallëherë janë sfiduar dhe sabotuar “tinëzisht” nga Franca. Ky qëndrim “subversiv” i Parisit kushtëzohej pikërisht nga rivaliteti për influencë në rajon. Depërtimi në masë të madhe i mallrave “Made in Germany” në këtë hapësirë gjeoekonomike ndikoi që Parisi ta shihte më dyshim këtë sukses. Prandaj edhe u bë pengesë serioze në avancimin e proceseve integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor si pjesë e strategjisë për t’iu kundërvënë planeve të mbështetura nga Gjermania që pretendonin ta përshpejtonin këtë agjendë.

Për aq kohë sa qëndroi si Kancelare, ajo kurrë s’e vizitoi Kosovën, përkundër dashurisë dhe respektit të qytetarëve të këtij shteti për punën e saj. Arsyetimet se refuzimi për ta vizituar Kosovën lidhej me korrupsionin e elitave politike që dominonin në Prishtinë dhe mungesën e progresit demokratik në shtetin më të ri të Evropës, nuk duken bindëse dhe të qëndrueshme. Sepse ajo shkoi për vizitë shtetërore disa herë Serbi, vend ky që vazhdon jetë ende i zhytur në kthetrat e mentalitetit fashist dhe nacionalist të epokës se Milosheviqit.

Sidoqoftë, si çdo dukurie tjetër në politikë, edhe qeverisjes së Angela Merkelit i erdhi fundi. Kjo politikane e përkulur, që s’u josh nga moda, fama shterpe dhe pasioni për luks, e drejtoi vendin e saj me një stil modest dhe e udhëhequr nga parimet e “mendimit shkencor”. Ajo e la pozitën e kancelares pa asnjë skandal korruptiv dhe duke lënë pas vetes një shembull se si duhet t’i shërbehet vendit me pietet dhe devotshmëri të plotë.

Ajo u largua nga një botë ndoshta edhe më pak stabile dhe më pak e sigurt se sa kur u ngjit në majat e pushtetit në Gjermani. Dhe ky përkeqësim i ambientit ndërkombëtar u intensifikua nga hovëzimi i forcave rivale historike, gjeopolitike, ekonomike dhe anarkike në të katër anët e globit. Kuptohet, kontrollimi dhe menaxhimi i tyre nuk mund të bëhet nga asnjë personalitet dhe asnjë qendër e vetme e pushtetit. Sepse frenimi i tyre kërkon një bashkëpunim të shumëfishtë multilateral ndërkombëtar.

Në këtë mision Angela Merkel pa dyshim se krahas sukseseve kishte edhe ngecje. Qëllimi i saj primar ishte menaxhimi i krizave në mënyrë që ato të mos shpërthenin në mënyrë të pakontrolluar. Ndërkaq gjatë përballjes më krizën e refugjatëve ajo shpërfaqi humanizmin më të ndritshëm të saj. Dhe kështu u la brezave të ardhshëm një udhërrëfim se si duhet të sillen politikisht dhe moralisht me ata që i nënshtrohen vuajtjes, abuzimit dhe trajtimit çnjerëzor. Hapja e dyerve dhe zemrës për ‘tjetrin e ndryshëm’ që ndodhet në zgrip të ekzistencës njerëzore  është mbase trashëgimia më e vyer politike dhe morale që Angela Merkel e mbolli me shumë guxim dhe kurajë në një botë të trazuar, përçarë dhe gjithnjë e më armiqësore, të pushtuar nga urrejtja shkretane, fantazimi dhe ksenofobia.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!