×
Opinione

KUJTIME NGA LUFTA (1) – Jeta në shtetrrethim -1999…

Reporteri
19 Maj 2020 | 17:07

Autor: Besim Kajtazi 


Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, 1997-1999, forcat pushtuese ushtarake – policore serbe, por edhe ato paraushtarake, Prishtinën e patën si vendstrehimin kryesor…


Këto forca, duke i ikur konfrontimeve të drejtpërdrejta më Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kryenin krime e spastrime të popullatës civile shqiptare, gjithandej Kosovës … dhe pas krimeve të kryera, riktheheshin të dehur në kryeqytet…

Prej këtu, err e terr, sipas skenarit, niseshin ekspeditat ndëshkuese në tërë territorin e Kosovës, duke kryer krime të rënda ndaj popullatës civile shqiptare, krime këto me përmasa gjenocidi, që eskaluan veçmas pas fillimit të bombardimeve të caqeve ushtarake e policore nga Aleanca Ushtarake e NATO-s, më 24 mars 1999.

U pa qartë se përkundër trysnisë ndërkombëtare, kasapi serb i Ballkanit Millosheviqi, nuk u bindej këshillave ndërkombëtare, për të ndërprerë sulmet ushtarake e policore ndaj shqiptarëve, madje në një rast ai i kishte thënë Riçard Hollbrukut, se “unë do ta kryej punën me UÇK-në, ashtu siç vepruam në Drenicë më 1944-1945”. Ky veprim edhe më shumë përshpejtoi vendimin për parandalimin e këtyre krimeve fashiste…

Në këto vlime të mëdha politike ndërkombëtare, ne ende punonim në gazetën e përditshme “Rilindja”, dhe më ka ndodhur që gjatë rrugës për në punë me vëllanë Xhavitin, shpesh të ndaleshim nga policia serbe, e kjo iu ndodhte edhe disa kolegëve të tjerë… puna u vështirësua tej mase, dhe pasi e nisëm botimin e gazetës tashmë me emrin “Rilindja”, për shkak të shtetrrethimit të egër, u deshtë ta ndërpresim, pasi që jeta na u rrezikua në çdo hap…

U bënë plot 21 vjet qëkur Kosova përjetoi tmerrin më të madh të luftës, dhe jo pa qëllim vendosa që t’i përkujtoj ato ditë të rënda nën pushtimin serb , të cilat si duket një pjesë bukur e madhe e qytetarëve i kanë harruar!…

Dy tri-ditë para se të nisin bombardimet, u përhap paniku, nisi zbrazja e dyqaneve ushqimore, njerëzit po krijonin rezerva ushqimore, për ditët rënda që do të vinin…
Unë së bashku me Gëzimin dhe Xhavitin dolëm nga puna. Me veturë morëm rrugën drejt “Taukbashqes” , ku ishin disa markete për të blerë ushqim për shtëpi. Por nuk na buzëqeshi fati, raftet kishin mbetur thatë. Njerëzit kishin blerë çdo gjë dhe unë në shtëpi i dërgova vetëm pak patate edhe atë gati të prishura, për çka edhe u qortova me arsye nga bashkëshortja ime, e cila tri-katër ditë më parë, më paralajmëroi se bombardimet do të ndodhin shumë shpejt, pasi ajo kontaktonte shpesh me familjen e saj që jetonin në Amerikë, prandaj edhe kërkonte të sigurojmë ushqime…

Lufta në Kosovë po përshkallëzohej; daljet i kufizuam gati në tërësi dhe erdhi çasti i vendimit të madh. Presidenti i SHBA-së Bill Klinton shpalli fillimin e sulmeve ajrore ndaj caqeve ushtarake e policore serbe, vendim ky të cilin nga selia e NATOS-s e kumtoi sekretari i Aleancës Veri-Atlantike, spanjolli Havier Solana…

Pikërisht më 24 mars, aeroplanët e parë u nisën nga baza e Avianos, ndërsa kryeqyteti, pak para orës 20:00, u dridh nga bombardimet e Aleancës ushtarake më të fortë në rruzull. Siç mësuam dhe sa mund të shikoja nga shtëpia, së pari u goditën Kazerma ushtarake në hyrje të Prishtinës, pastaj ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme, afër stadiumit të qytetit, e më pas edhe depot e armatimit, në Hajvali, të cilat njëherësh ishin bazë e Njësive Speciale policore serbe…

Pikërisht në këtë kohë, cingëroi telefoni. Nga Nju Jorku i SHBA-së, thirri Faton Halili, një shok yni, i cili tha: “Shokë, mos u brengosni, çdo gjë do të marrë fund shpejt, besoj që puna do të kryhet për një ose dy javë!…”…

Parashikimi i Fatonit ishte optimist; sigurisht këtë besim e shprehu për t’na dhënë edhe neve pak zemër, neve, që, siç thotë populli, ishim në gojë të ujkut të çartur, mirëpo, lufta për fatin tonë të keq vazhdoi edhe për 78 ditë…

Ky ishte edhe fillimi i fundit i makinerisë vrastare serbe, e cila në shenjë hakmarrje, nisi fushatën e spastrimit etnik, duke vrarë me mijëra civilë e duke djegur me dhjetëra mijëra shtëpi e prona të tjera të shqiptarëve…

Ata që patën fatin e keq të qëndrojnë në kryeqytetin e Kosovës, ishin në ankth të vazhdueshëm, të mbyllur nëpër shtëpitë e tyre, duke jetuar dhe pritur me shpresë lajmin për kapitullimin e Serbisë…

Lëvizjet ishin të kufizuara dhe të fshehta. Ditën bashkëbisedonim me fqinjët, të cilët ende qëndronin nëpër shtëpitë e tyre dhe në këto biseda, temë e vetme ishte lufta dhe si të shpëtonim pa u dëmtuar…

Posa errësohej, avionët e NATO-s e pushtonin qiellin e kryeqytetit dhe të tërë Kosovës… Në oborr e mbanim qenin e shtëpisë, një pastor belg, Rion. Rio hetonte i pari, kur avionët e NATO-s pushtonin qiellin mbi Prishtinë. Posa fillonte të cijatej, e dinim se pas pak do të nisnin bombardimet dhe detonimet e forta nga bombat e hedhura, por edhe nga raketat “Tomahawk”…

Miell kishim jo më shumë se edhe për një muaj, dhe nga Gjermania vëllezërit Arsimi dhe Fitimi, përmes kanaleve të tyre na dërguan para, në mënyrë që edhe nëse vendosnim të iknim jashtë Kosovës, mos të ishim pa asgjë… paratë kryenin punë në kriza të tilla lufte…

Sulmet ajrore dhe thirrjet nga selia e NATO-s, për dorëzimin e armatës jugosllave nuk u ndalën gati çdo ditë, në Konferencat me gazetarë në Selinë e NATO-s, të cilat më së shpeshti i udhëhiqte zëdhënësi Xhimi Shia, e ku jepeshin caqet e sulmuara serbe gjatë 24 orëve, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe shqiptarët po e përjetonin tmerrin e hakmarrjes fashiste serbe…

Qindra mijëra njerëz, duke lënë pronat e tyre, u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre, me trenin famëkeq, që nisej gati çdo ditë nga stacioni hekurudhor i Prishtinës dhe fotografitë nga këtu i ngjanin atyre të holokaustit të Luftës së Dytë Botërore, të cilat edhe më shumë ndikuan në sensibilizimin e botës së qytetëruar.

Kolonat e njerëzve të dëbuar nuk ndaleshin, ndërkohë që pushtuesit përgatitën edhe autobusë, për dëbimin e njerëzve, e pati familje të tilla që u nisën edhe me vetura drejt Bllacës së Maqedonisë; kurse rrugës plaçkiteshin nëpër punktet e policisë dhe të paramilitarëve serbë…

Natën e sulmeve, nisi hakmarrja serbe, ndaj të gjithë atyre që në një apo mënyrë tjetër kishin vepruar kundër pushtimit serb të Kosovës dhe për këtë ishin përpiluar edhe listat për likuidimin e veprimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë, të cilët po strehoheshin në Prishtinë e qytetet tjera…

Në fillim , siç u mësua shpejt, policia hyri në shtëpinë e avokatit të njohur, Bajram Kelmendi, në rrugën “Vellusha” në Prishtinë , të cilin e ekzekutuan së bashku me dy djemtë, Kushtrimin dhe Kastriotin. Po këtë natë, në Mitrovicë u ekzekutua veprimtari tjetër, profesori Latif Berisha, kurse më vonë edhe veprimtari i mirënjohur, profesor Fehmi Aganin, të cilin policia e nxorën nga treni. Likuidime pati edhe nëpër qendrat tjera të Kosovës dhe pikërisht në këtë periudhë u kryen edhe masakrat më të mëdha kundër popullatës shqiptare…

*Ndalohet kopjimi apo publikimi pa lejen e autorit

(Vijon)

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!