Autor: Veronë Selimi
Është edhe një virus tjetër, i cili përkrah me COVID-19, është duke sunduar botën. Ndonëse nuk ka një emër specifik, mund ta quajmë “virusi i informacionit”.
Njëjtë sikur pandemia, që në thelb do të thotë sëmundje që përhapet në zona të gjera gjeografike, edhe virusi i informacionit është përhapur globalisht e është shndërruar në infodemi. Si rrjedhojë, përshtatshëm është shtruar një tryezë në të cilën çdo ditë po servohen dezinformata, konspiracione dhe lajme të pavërteta.
Kuzhinierë e servues janë disa medie dhe individë të papërgjegjshëm. Akterë në kuzhinë janë besa edhe politikanët.
Para disa ditësh isha duke e shikuar një emision ku i ftuar ishte mikrobiologu, Lul Raka. Pyetjet që iu adresoheshin nga audienca, shumica vallëzonin nën vorbullën e infodemisë.
– “A është e vërtetë që koronavirusi u shpik se janë tu dashtë me i vendosë satelitët për 5g?”; “A është koronavirusi politikë farmaceutike botërore?” – ishin disa nga pyetjet që u parashtruan.
Përgjigjet e Lul Rakës rrotulloheshin brenda një rrethi vicioz dhe një thirrjeje: “Kujdes ku po i merrni informatat!” Shikuesit shpreheshin se këto informacione po i lexojnë nëpër mediet online. Qysh me shpalljen e pandemisë, medie vendore e ndërkombëtare vazhdimisht kanë dhuruar konspiracione kreative.
Qarkullonin zëra se me ngritjen e temperaturave shuhen edhe mundësitë për ekzistencën e virusit ose se alkooli ndikon në shërimin e të infektuarve. Në tërë këtë katrahurë është edhe rasti tipik《Made in Kosova》që, kinse, hudhra e Rahovecit e mbyt virusin.
Krejt këto janë pjellë e individëve që parapëlqejnë konspiracionet, e përfitimet financiare i vendosin para aspektit human. I pari i karvanit të infodemisë ka qenë presidenti amerikan, Donald Trump, i cili nuk na ka kursyer prej deklaratave kontraverse. Gafa e fundit e tij ishte thirrja që të injektohet dezinfektues në organizëm si metodë për parandalimin e virusit korona.
I pamohueshëm është fakti se COVID-19 ka mbjellë frikë e panik ndër homosapiensët. Në gjendjen aktuale, ku vazhdimisht lypim informacione se çka po ndodh; sa janë të vdekur; sa të infektuar, priremi të lexojmë edhe gjëra të pavërteta. Në këtë sens, ka humbur edhe mendimi kritik. Mungesa e fact-checking nga mediet në përgjithësi, ia lehtëson edhe më shumë rrugën shpërndarjes të së pavërtetave edhe dyshimeve.
Nëse kjo anashkalohet nga mediet, atëherë, nga vetë njerëzit, mund të krijohet një auto-fact-checking. Mjafton një hulumtim i vogël për të qartësuar se, nëse virusi korona nuk i mbijeton temperaturave të larta , si ka mundësi që edhe vendet tropikale e ekuatoriale janë prekur; apo si mundet alkooli të ndihmojë organizmin në luftimin e virusit, kur marrja e alkoolit në masë të lartë ndikon negativisht në imunitet.
Po ashtu, është e vërtetë që hudhra përmban vitaminë C, e cila mund ta luftojë virusin, por nuk është shëruesi kryesor. Është idiotike të mendohet që i infektuari mund të shërohet vetëm duke ngrënë hudhra, dhe me këtë mendësi t`i mënjanojë konsultat me mjekë. E prekur nga virusi është edhe Kosova, ani pse ende nuk janë krijuar mekanizmat për internet 5g.
Mjafton kaq për ta kuptuar se valët ose rrjetet e lëvizshme nuk janë as krijues e as transportues të virusit, dhe, natyrshëm, ta lironi racion tuaj nga këso lloj teorish të pakuptimta. Ndërsa për politikanët, kjo është një mundësi që ta shtrijnë ndikimin e tyre edhe më shumë, qoftë edhe përmes deklaratave imbecile. U deshën pak minuta që sugjerimet e Trumpit të vlerësoheshin jovalide prej ekspertëve të fushës. E gjithë kjo mesele po ndikon që të vihen në dyshim faktet shkencore dhe besimi ndaj institucioneve relevante, që veçse është fragjil, të thyhet edhe më shumë.
Pasojat infodemike janë të mëdha dhe të dukshme. Kuptohet që, për nga natyra, njeriu është qenie kureshtare. Kërkon që vazhdimisht të lexojë informacione të reja, ndër to edhe dezinformata e konspiracione. Infodemia ngjason me një hallkë zingjirore, dhe është në dorën tuaj nëse doni që zingjirin ta këpusni në hallkën e parë.
Për t’u informuar mjaftueshëm, mjafton të shikoni një edicion të lajmeve, apo thjesht t`i merrni të rejat nga institucionet gjegjëse dhe kredibile. Shfrytëzoni kapitalin tuaj intelektual dhe lehtësisht e kuptoni kur ka rrjedhë të dezinformatave.
Nuk është e nevojshme të krijohet qasje mbrojtëse ndaj menysë që ofrohet nga mediet anembanë. E rëndësishme është ta përpunosh informacionin, të besosh ose jo. Andaj, sa është jetike ta ruani shëndetin fizik, po aq kruciale është edhe shëndeti mendor, pasi informacionet që lexojmë, me ose pavetëdije, ndikojnë në sjelljen tonë, dhe jo vetëm. Vëmendja juaj u jep fuqi atyre, të cilët, edhe në këtë gjendje, duke llogaritur në faktorin njeri, bëjnë kalkulime financiare e politike.
*Autorja është studente e gazetarisë në UP