×
Opinione

NE DHE ATA….

Reporteri
25 Prill 2021 | 15:23

Autor: Frrok Gjergjaj


Se kush jemi ne, e kush janë ata, kisha mësuar nga sintaksa për vetat e foljes për ti dalluar grupet e veprimit, e jo për ti diferencuar si përkatësi gati etnike.


Nuk na ndan as ngjyra, as gjaku, as gjeografia, bile as veshja e kultura e të ushqyerit, pos, porosia mentale me një status gati ligjor i pashkruar.

Ne, jemi ne, përderisa “ata” si të tjerët, janë shumë të huaj. Se globalizmi po kërkon epërsi ndaj shteteve me fuqi industriale, në konfrontim gjeopolitik, është autokraci që ne s’mund ta ndryshojmë, si popull i vogël që jemi në këtë shoqëri të brishtë nga aspekti ekonomik e politik.

Ne, jemi pasoja e çdo të keqe që vjen nga fuqitë e mëdha. U pa se jemi nën mëshirën e të tjerëve për vaksinën, sikur ishim nën mëshirë kur u desh ta shpëtojmë këtë copë tokë që Zoti e bëri për ne. Të jetosh nën mëshirë të mëson fisnikërinë e ndërgjegjes, aq sa të bënë imun ndaj popujve me fuqi.

Diçka interesante po ndodhë të ne, ndoshta nuk është krejt e re, por inati është më i shtuar. Çka na ha palla për rrezikun e brishtësinë ekonomike, kur është në pyetje inati ndaj diferencimit në baza regjionale, ndarje në mentalitet dhe ndarje brenda ditës në përkatësi partiake. Sado bota e vogël garon në epërsi ekonomike, ne mbesim të ndarë në lagje, e para lagje të qytetit, që s’jemi larg as një kilometër.

Diferenca e jonë nuk bëhet nga aftësitë profesionale, lëre më ngritjen intelektuale, por në zonën ku banon ti. Vetëm për një kilometër larg, e merr statusin tjetër. Kjo fisni nuk është as në fiset Lulu, as të paktën në demokracitë evropiane. Kjo është mbetje e regjimeve sunduese, sikur thotë populli, kur ta ka andja.

Demokracia, kur sundon populli me ligje që janë marrë vesh përfaqësuesit, e krijon një shoqëri me diferenca vetëm brenda respektimit të tyre. Nëse vepron jashtë tyre, e merr pozitën anarkistit. Këto janë norma që e rregullojnë sjelljen tonë për të na ndarë në ne, dhe ata.

Diferencim bën dhe kapitali, kur lejon jetë më ndryshe tek ata që e posedojnë me sasi të shtuar. Por, të të bëjë të diferencuar vetëm se ke lindur një kilometër larg, është reflektim i inkuizicionit që të qon deri te urrejtja e pashërueshme.

Hajde, se bota po vuan nga ngrohja globale, nga mungesa e ujit, nga uria, nga mungesa e barnave e po shtohen edhe kërcënimet e armëve biologjike e kimike. Në mos o Zot të ndahemi në të sëmurë e në të pashëruar, sikurse po shihet gjithnjë e më shumë se nuk na bie ndërmend se nga jemi, e sa çereminde i kemi ndërruar në çatitë tona. Industrializimi është diktat në vete, që e perfeksionon teknologjinë, e kjo e fundit, e krijon rendit e vetë shoqërorë. Jo ne, por diçka nga mendja e dikujt prej nesh, izolohet dhe krijon kushtetutë të brendshme, për interesa që s’mund të pajtohet demokracia.

Leni ndarjet, se po minimizohemi brenda vetes, po i tendosim deri në zhdukje motivet që dikush bëri rezistencë kurrë pa u liruar nga burgjet, deri të flijimi për të sotmen sa më të përbashkët. Leni more se po turpërohemi para demokracisë.

Unë do të qeshi sa herë ia shohë tjetrit ndarjen, diferencim në baza klanore, regjionale, në fshatra, lagje e para lagje, e në aso çaste, nuk jam prej këtuhit.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!