×
Opinione

Populizmi dhe ideologjia

Reporteri
10 Mars 2019 | 15:57

Nga: Zgjim Hyseni

Rritja e populizmit është mungesë e kritikës së ideologjisë. Kjo mungesë është kusht për lidhjet e shkurtra që populistët sajojnë. Të japësh versionin tënd të shpjegimit mbi temat që shtrojnë ata, pa pretendimin moral dhe ekskluziv për “fjalën e popullit” është sot nevojë e domosdoshme.

(Të popullit jemi, nga populli kemi ardhur, tek ai prapë do të kthehemi)


Kjo fjali amalgamë, me formë fetare diskursi, pa garancinë qiellore dhe e mbushur me subjektin tokësor, mund të jetë një nxitje provokuese për të shqyrtuar ndërfutjet dialektike, dallimet dhe të përbashkëtat midis ideologjisë dhe populizmit. Do të bëjmë kështu duke marrë në shqyrtim vetë ndarjet midis Popullit e popullit, Ideologjisë e ideologjisë; dhe në fund midis populizmit e ideologjisë.

Forma diskursive prej rituali fetar e këtij teksti sikur nuk përkon me përmbajtjen dhe subjektin e përmendur. A nuk është demokracia, pra ardhja e popullit, pikërisht fundi i lutjes!? Me Revolucionin Francez, populli i organizuar përmes kontratës shoqërore e kishte zbritur pushtetin real bashkë me arsyen e tij, nga qielli në tokë. Kështu, regjimi politik dhe konceptimi i legjitimitetit pësuan përmbysjen epokale-zoti dhe monarkia i lëshuan rrugë popullit dhe republikës, ndërkaq dogma fetare u spostua nga iluminizmi e dija shkencore.

Pavarësisht shkëputjeve të mëdha, çfarë vazhdon pa mbarim, megjithëse me tjetër strukturë, mënyrë arsyetimi është pikërisht ideologjia. Dogma fetare u spostua nga dija shkencore, por kjo nuk e bëri situatën më të qartë. Tash kishim marrëdhënie e interesa tjera, prandaj edhe formë e aparate tjera ideologjike. Transparenca e pritur pas mjegullnajës fetare prapë nuk u zbulua. Heqja e lëvozhgës nuk e zbuloi thelbin, as velloja trupin shoqëror. Ajo ka të vërteta të padiskutueshme, siç ka edhe praktika e rituale. Dikur në emër të shenjtërisë zot, sot në emër të sovranit popull që jo rrallë shenjtërohet, praktikat ideologjike kryejnë të njëjtën punë. Ideologjia pra, jo si mirëmbajtje e riprodhim i kushteve të prodhimit, por si heterogjenitet midis gjuhës dhe qenies, është e përhershme. Ideologjitë ndryshojnë, por ideologjia si e tillë është gjithmonë mes nesh.

Përveç që ideologjia nuk ka histori, në kuptimin që ajo është tejhistorike, teza tjetër që lokalizon Althusser, teksa analizonte mënyrën e funksionimit të saj, është pikërisht se ideologjia nuk ka të jashtme. Dominimi i saj nuk konsiston tek propaganda që e vërejmë si shtrëngesë apo censurë. Ideologjia është normalja e pavërejtshme, rregulla e totalizuar dhe totalizuese të cilës nuk i vërehet subjektiviteti partikular. Ajo ka zhdukur ndarjet shenjues-i shenjuar dhe brenda-jashtë. Çfarë është brenda është jashtë dhe anasjelltas. Jemi vetja kur flasim me gjuhën e tjetrit. Atë e konfirmojmë pikërisht me fjalët si “natyrisht”, “sigurisht” etj. Ajo na thërret e na përthithë duke na i vizatuar kufijtë si hapësirë mendimi.

Ideologjia duhet analizuar, kritika e saj çel sy e hap rrugë. Pa të nuk kuptohet dot pse situatat distopike të prodhuara prej neoliberalzmit veçse riprodhohen pa fund. Kemi pabarazi enorme, shohim popullsi të tëra në gjendje kampi, dëgjojmë çdo ditë për katastrofën ekologjike, ndërkohë ecim qetësisht brenda qerthullit vetëpërsëritës.

Por, në kohë krizash, kur revolta e zemërimi mbërrijnë pikun, sistemi ndesh limitet e tij. Në momente të tilla, ideologjia dominante rezulton e pamjaftueshme. Është ky momenti i përgjigjes populiste.

Populizmi i pasojave ekonomike vs. populizmi i politikave identitare

Tash nuk kemi totalitet të nënkuptueshëm, por theksim të kontradiktave deri në antagonizëm; nëse subjekti i ideologjizuar përbrendëson thirrjen (e njeh veten brenda ideologjisë), ai populist shfryhet dhe kërkon daljen jashtë nga matrica riprodhuese; gjuha racionale e fjalori korrekt i ka lënë vendin diskursit që zgjon afektet e masave; nëse ideologjia fsheh kokën, populizmi nxjerr krye. Më parë sesa vegla konceptuale e sisteme diskursive, këtu kemi kryesisht lidhje të shkurta adresuese. Këto lidhje adresuese kriter kryesor kanë efikasitetin sa i përket depërtimit të mesazhit, rrallëherë të vërtetën, saktësinë a koherencën.

Një zhvendosje nga ideologjia mbizotëruese drejt populizmave ka ndodhur gjerësisht pas efekteve që ka prodhuar në shoqëri kriza financiare e vitit 2008. Është me interes të shohim sesi ndodh që të njëjtat kushte, kanë vizatuar fushën dhe janë artikuluar në mënyra krejt të ndryshme.

Kemi dy forma të ndryshme populizmash: atë që fokusohet në adresimin e pasojave ekonomike nga kriza financiare, dhe populizmin e bazuar tek politikat identitare. Populizmi i majtë disi e identifikon popullin me klasën (një traditë kjo që nga antifashizmi) duke e ndarë atë nga oligarkia, ilustruar me dallimin sasior 99% vs 1%; ndërkaq, tek lëvizjet e partitë ksenofobe situata është ndryshe. Në kuadër të diskursit antisistem, për t’i njëjtësuar dy krahët politikë, republikanë e socialistë, Marine Le Pen kishte bashkuar akronimet e këtyre të fundit nën siglën UMPS. Sa për ta sulmuar status quo-në, e kërkon puna një kritikë të thjeshtë en block kundër elitave. Vazhdimi i saj zbret me rënie të lirë, pa përmendur financën e korporatat drejt tek emigrantët që po na i marrin vendet e punës, e po na e rrezikojnë civilizimin, ku bashkohen të dy krahët. Gishti drejtohet tek tjetri që zakonisht është i jashtëm, por kjo jashtësi nuk reduktohet veç me hapësirën dhe vendlindjen. Gjithçka që rrezikon konstruktin imagjinar mbi organikën homogjene të popullit është jashtë kufirit, paçka se këta kufij janë të brendshëm e të jashtëm dhe mund të lëvizin vazhdimisht, varësisht prej kontekstit të krijuar: emigrantët nga lindja, homoseksualët, lëvizjet feministe etj. Kështu, populli nuk është tërësia empirike e qytetarëve brenda vendit, ai është konstrukti imagjinar mbi vlerat, përkatësinë e identititetin, i veshur edhe me atribute morale. Ai është unik e homogjen, një dhe i vetmi. Por, një popull i tillë nuk prodhohet dot pa mbetje. Mbetja është mungesë; janë ata që nuk janë të denjë për të qenë pjesë e “popullit”. Kjo mbetje, kjo tepri nuk ka vend brenda polisit. Këtë mbetje sot e shohim të stigmatizuar, të emigruar, të burgosur. Kjo mbetje ka ndodhur që të përfundojë herë në Auschwitz herë në gulag.

Por, si ndodh që kriza ekonomike jo në pak vende ka forcuar rrymat më regresive e konservatore të shoqërisë. A nuk ishte pikërisht kriza momenti që e prisnim?! Ora e premtuar për finalen e madhe ku të nëpërkëmburit do t’i flaknin prangat?! Shpjegimi esencialist mbi klasën, duke e lidhur atë në mënyrë të vetvetishme me drejtësinë e barazinë, si një rol i garantuar nga historia, ia ka zbehur rëndësinë që kanë artikulimi e praktika politike në konstituimin e subjektit. Në fakt, subjekti është presupozuar, prandaj nuk është formuar.

Shpjegimi për populizmin nuk mund të reduktohet tek gjendja ekonomike. Ka diçka që nuk shkon edhe me sistemin. Një faktor me rëndësi Jan-Werner Muller e gjen tek partitë tradicionale nga të dy krahët që u bashkuan në qendër për konsensusin neoliberal. Burokratizimi dhe mungesa e mobilitetit brenda tyre, ka lënë jashtë masa të mëdha njerëzish; përderisa adoptimi i gjuhës së administrimit dhe efikasitetit nuk ka qenë apelues për identifikim. Si e tillë, demokracia përfaqësuese krijon hendeqe. Rritja e populizmit është tregues që hendeku tashmë është rritur shumë. Por, përgjigja që vjen prej populizmit nuk konsiston në përpjekjen për ta rritur pjesëmarrjen dhe zgjeruar fushën e politikës. Në fakt, heqja e burokracisë veçse ka vendosur lidhje direkte të liderit me masat. Një lidhje e tillë është kusht për pushtetin autoritar.

Përgjigja joefektive e antipopulizmit

Por, çfarë janë gjasat e suksesit dhe cila është forma e angazhimit pa e braktisur përparimin shoqëror? Si duhet të merremi me populizmin dhe a mund të flasim për populizëm të majtë?

Çështjes, vështirë mund t’i japim më shumë sesa disa elemente në formë indikacionesh. Për vete ndaj bindjen se nuk mund të flasim për diçka si “ideologjia populiste”. Populizmi mund të vijë, siç ka ardhur historikisht nga të dy krahët. Shikuar më këtë sy, pyetja për populizmin të shtyn të mendosh edhe për natyrën e politikës. Dy gjëra vlen t’i nënvizojmë këtu: së pari, nëse pranojmë se nocioni i kontradiktës është një nga elementet kushtetuese të politikës, në praktikën politike kjo e implikon ndeshjen, kufijtë dhe krijimin e kampeve; së dyti, politika, megjithëse shërbehet me dijet e shkencave shoqërore, vetë ajo vështirë të quhet shkencë; politika është edhe angazhim kolektiv edhe dije, edhe ndeshje edhe ligjërim. Shpesh të gjitha këto njëherazi. Ndaj, ndryshe prej katedrave universitetare, politika ka edhe ndjenja e pasione.

Shkalla e shkollimit në Kosovë, por edhe mënyrat e shpejta virtuale të komunikimit shtrëngojnë thjeshtëzim të porosive e shpjegime të shkurtra. Këta faktorë, kur kombinohen me ambiciet për pushtet dërgojnë në improvizime e zgjidhje të shpejta. Në anën tjetër, qëllimet emancipuese nuk të lejojnë të pyesësh çfarë kërkon populli tash dhe këtu, sepse gjithë arsyeja e angazhimit është tek ngritja e vetëdijes, tek ndryshimi i popullit. Vendosja e saktë e kufirit midis nevojës për t’u kuptuar me njerëzit në komunikim, pa rrëshqitur në trivialitetin e spektaklit është një kriter vlerësues. Ruajtja e një raporti të caktuar midis nevojës për të ndërhyrë në ndryshimet strukturore që vështirë bëhen pa pushtetin politik, pa rënë pre e formave populiste të oportunizmit elektoral është poashtu një gur prove.

Mundësi vlerësimi është çështja që zgjedhim për ta adresuar, por dhe mënyra sesi e bëjmë këtë. Ta zëmë, asnjë ide politike brenda të majtës nuk mund ta pajtojë qëllimin e shpallur për emancipimin e gruas me promovimin e religjionit; nuk mund të ndërtojmë kurrfarë lidhjeje të ekuivalencës midis filantropisë dhe ndërhyrjes politike për rishpërndarje të pasurisë; apo midis emancipimit kulturor dhe promovimit të familjeve të vjetra e të mëdha. Ky është thjesht oportunizëm elektoral. Këto grupe shoqërore edhe mundet të jenë mbështetëse të të njëjtit opsion politik, por jo mbi përputhje interesash e vlerash.

Mënyra sesi janë sjellë partitë jopopuliste me populizmin gjatë dekadave të kaluara ka qenë jo efektive. Fraza e përvjedhur nga kjo sjellje është ajo e një përjashtimi përçmues: “kordonet sanitare”. Udhëzimi ishte i thjeshtë: mos bashkëpuno me ta, mos lidh koalicion me ta, mos diskuto me ta, asnjë koncesion, asnjë diskutim mbi pretendimet e tyre. Por, ikja nga temat që ngrisin ata është ikje nga trajtimi i krizës prej të cilës ata përfitojnë. Veç tjerash, rritja e populizmit është mungesë e kritikës së ideologjisë. Kjo mungesë është kusht për lidhjet e shkurtra që ata sajojnë. Të japësh versionin tënd të shpjegimit mbi temat që shtrojnë ata, pa pretendimin moral dhe ekskluziv për “fjalën e popullit” është sot nevojë e domosdoshme.

Chantal Mouffe dhe dhe Jan-Verner Muller ndajnë bindjen e përbashkët se kritika ndaj populizmit nuk duhet të na zërë në grackën e qëndrimit indiferent karshi rrënimit që neoliberalizmi po i bën shoqërisë. Dallimet vijnë në shprehje tek mënyra e konceptimit të dyshes Njësh-Shumësi- trajtimi i popullit si një dhe i vetëm, dhe pluralitetit. Nëse tek e para, shkëputja nga përkufizmet e vjetra të esencializmit klasor e domosdoshmërisë historike na shpëton nga rreziku i një marrëdhënieje të jashtme e instrumentalizuese midis grupeve shoqërore duke mundësuar kështu një hegjemoni që e rrit demokracinë teksa bashkon njerëzit dhe ruan pluralitetin. Për Müller më parë sesa ta ndërtojmë një konstrukt unik mbi popullin, duhet të flasim për krijimin e shumicave të reja.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!