Analizë e Reporteri.net
Përfaqësuesi i deplomacisë amerikane në Kosovë, dje refuzoi të marrë pjesë në takimin LVV-LDK bashkë me ambasadorët e shteteve të QUINT’it dhe asaj të BE’së, të thirrur me qëllimin për të ndihmuar arritjen e një marrëveshje koalicioni në mes të dy partive që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit. SHBA’ja është më e angazhuara kohëve të fundit, si në mbështetjen për formim të qeverisë së re, e po ashtu edhe në dialogun me Serbinë, por, pse dje vendosi të mos i bashkohet ambasadorëve të BE’së në takimin me LVV’në dhe LDK’në?
SHBA’ja, fillimisht përmes ambasadorit Philip Kosnett, e më pas me ambasadorin e saj në Gjermani, Richard Grenell, i cili është edhe i deleguari i posaqëm i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ishin pothuajse i vetmi vend që u angazhua të ndihmojë fituesit e zgjedhjeve në Kosovë, që të formojnë qeverinë sa më shpejtë.
Disa herë pas zgjedhjeve të 6 tetorit e kemi parë ambasadorin Kosnett të takojë liderët Kurti e Mustafa, duke kërkuar prej tyre që Kosova të mos humb kohë në formimin e institucioneve të reja.
Përveç tij, ka qenë edhe ambasadori Grenell, që kishte takuar në Berlin, Agim Veliun, Avdullah Hotin e Skënder Hysenin. Përveç tyre, në një rast tjetër kishte takuar edhe Vjosa Osmanin. Më pas ai erdhi vetë në Kosovë, dhe u shkoi në zyrë Kurtit e Mustafës.
Pra, ky historik i shkurtër i përfshirjes amerikane në ndihmë partive fituese të zgjedhjeve për të formuar institucionet e reja, tregon se refuzimi për të marrë pjesë në takimin e djeshëm, nuk ishte refuzim për të ndihmuar lidhjen e një koalicioni LVV-LDK, por refuzim i një formati ndërmjetësimi të propozuar nga Kurti e të pranuar nga Mustafa.
Marrëveshja e koalicionit LVV-LDK, në publik reflekton se nuk po arrihet shkaku i mospajtimit për poste, por nëse analizohet më tutje, ka të bëjë edhe shkaku i një sfide të madhe që e pret qeverinë e re, e që është dialogu me Serbinë, së cilës do të duhej t’i printe Kurti.
Amerikanët të prirë në këtë proces nga ambasadori Richard Grenell, tanimë e kanë përjashtuar BE’në komplet nga ky dialog, dhe po kërkojnë që ai të zhvillohet me ritëm shumë të shpejtë, që para verës së këtij viti të arrihet një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Por, kjo formë e dialogut, nuk është ajo të cilën e dëshiron kryeministri në ardhje i Kosovës, Albin Kurti. Ai edhe vetë e ka thënë se posa të marrë postin e kryeministrit, do të marrë drejtimin e dialogut me Serbinë, por këtë do ta bëjë përmes një procesi të ngadalshëm dhe të kujdeshëm, duke dalë kështu në linjë të kundërt me atë që po e kërkon SHBA.
Pra, Kurti po preferon të ndjekë linjën e BE’së për dialogun, linjë e cila në të kaluarën është dëshmuar se ecën shumë ngadalë.
Në këtë linjë, Kurti ka vepruar edhe me vendimin për të thirrur në ndihmë vendet e QUINT’it, ku përfshihen shtetet kryesore të BE’së e edhe SHBA. Nëse shikohet nga ky këndvështrim, Kurti dje ka bërë një përpjekje që në lojë të kthejë ata që ambasadori Grenell, tashmë i ka nxjerrë nga loja.
Këtë e bënë edhe më bindëse, deklarata e ambasadorit Grenell që të mërkurën (sot) e ka dhënë për një media kosovare, ku thotë se BE tashmë nuk është fare e përfshirë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, dialog i cili veçse ka arritur një marrëveshje, atë për linjën ajrore Prishtinë-Beogard, dhe tjetra marrëveshje, ajo për linjën hekurudhore është në rrugë të mirë të arrihet shumë shpejtë.
Nga e gjithë kjo, mund të nxirret një përfundim, se refuzimi që ambasadori amerikan dje i bëri takimit LVV-LDK, është refuzim linjës së ngadalshme të BE’së për zgjidhjen e problemeve të Kosovës. /Analizë e Reporteri.net/.