Nuk është e qartë nëse duhet të qeshim apo të shqetësohemi. Mediat në Kosovë, rrjetet sociale dhe një pjesë e opinionit publik reaguan me entuziazëm ndaj ardhjes së një imami nga Qabeja. Vizita u trajtua si një ngjarje që meriton jo vetëm vëmendje, por edhe përulje, hare dhe përkushtim ceremonial.
Dhe po, spektakli ishte aty. Ceremonialitet, oratori fetare dhe simbolikë e importuar. Një ambient që duket gjithnjë e më i uritur për shfaqje dhe gjithnjë e më indiferent ndaj përmbajtjes.
Ironikisht, në të njëjtën kohë, fundi i një kapitulli të gjatë politik në Shqipëri, rënia pa zhurmë e Lulzim Bashës nga skena elektorale, nuk përbënte më lajm. Askush nuk trazohej nga ky zhvillim, ndoshta sepse cikli i mos-përfaqësimit të tij ishte bërë aq i gjatë, saqë vetë mungesa e efektit të tij ishte bërë e zakonshme.
Përmasat e këtij spektakli ceremonial u shtrinë deri në zyrat më të larta të shtetit. Imami u prit edhe nga Kryeministri i Kosovës. Me protokoll, kamera dhe mirësjellje të amplifikuar. Ishte si të thuash një moment solemniteti institucional përballë një autoriteti fetar që nuk kishte as përgjegjësi, as mandat në këtë vend. Pyetja që shtrohet është kjo: a po shndërrohet shteti në spektator të ritualeve që nuk i kupton, por i duartroket?
Ndoshta Bashkësia Islame e Kosovës nuk e ftoi imamin për të frymëzuar, por për të fryrë. Dihet që në folklorin e besimit popullor, kur dikush nuk i bindet logjikës, thuhet se duhet “me i fry hoxha”. Mos ndoshta pritja e ngrohtë nga Kryeministri ishte thjesht për një seancë kolegjiale të eksorcizmit institucional? Një përpjekje për t’i dhënë shtetit qetësi shpirtërore, në mungesë të rendit politik?
E gjithë kjo ndodh ndërkohë që Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet katërmbëdhjetë herë. Sot pritet të tentohet për të pesëmbëdhjetën. Nuk është më lajm, është rit. Një rit që ngjan më shumë me një farsë parlamentare sesa me një proces demokratik. Me shpejtësi më të madhe është zgjedhur Papa në Vatikan sesa Kryetari i Kuvendit në Prishtinë.
Dhe kjo nuk është më shaka. Është diagnozë. E një sistemi që vuan jo nga mungesa e rregullave, por nga mungesa e karakterit institucional. Në vend të një momenti solemn përfaqësimi popullor, jemi kthyer në publik të një teatri politik ku askush nuk e di nëse aktorët po luajnë sipas një skenari apo po improvizojnë nga halli. Nuk ka më turp, vetëm përshtatje.
Këtu lind një pyetje që meriton më shumë se një buzëqeshje ironike. Në çfarë shoqërie jetojmë, kur një vizitë simbolike fetare trajtohet si e jashtëzakonshme, ndërsa një ngjarje politike me pasoja reale për strukturat e përfaqësimit publik kalon pa u vënë re? Kur një figurë e jashtme, me shumë pompozitet ceremonial, bëhet objekt adhurimi mediatik, ndërsa realitetet që na prekin drejtpërdrejt nuk regjistrohen më as në kujtesën kolektive?