×
Opinione

Rrëfimi për fundin e dy milicëve serbë

Reporteri
17 Shkurt 2023 | 17:55

Autor: Faton Ismajli


Copëza të ngjarjeve për një kohë të shkurtër historike. Për një shoqëri që ishte e robëruar dhe fitoi lirinë. Të një rrëfimi që sot një 15 vjeçar, aq sa është i vjetër shteti i Kosovës, i duket sikur po lexon tregime letrare.

Jam lindur pas vdekjes së vrasësit të shqiptarëve dhe të tjerëve, Josip Broz – Tito. Fëmijërinë e kam kaluar në kohën kur Sllobodan Millosheviçi po kryente krime kundër njerëzimit me vrasjen e kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve. Kam përjetuar luftën dhe daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jam rritur në kohën kur shtetin e kanë qeverisur edhe UNMIK-u, edhe EULEX-i. Nëpër të gjitha këto sisteme kam kaluar bashkë me secilin shqiptar që është lindur në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar dhe që ka vendosur të jetojë bashkë me gjithë të tjerët në shtetin që sot po mbush 15 vjet. Në histori një periudhë e tillë 30-40 vjeçare është e shkurtër. Por, për një popull që ka luftuar për mbijetesë, pastaj për ekzistencë dhe ka fituar lirinë, është përmbysje e madhe. Gati e paimagjinueshme.

101-shi

Si fëmijë, brutalitetin e shtetit serb e kam përjetuar në vitet e 90-ta kur dy milicë – quheshin Antiqi dhe Spasiqi – me një veturë 101-sh të lodhur, shkonin lagje për lagje për të kërkuar armë dhe për të ushtruar dhunë zakonisht ndaj burrave. Ndër arritjet më të mëdha shoqërore, të asaj kohe, ishin kur këta burrat arrinin t’i kërcenin muret ndarëse të oborreve për të mos rënë në duart e dy serbëve të uniformuar. Kushdo që nuk kishte fatin, nuk kishte fuqinë fizike të ikte, përballej me kërkesën për të dorëzuar armë. Për të shkuar deri në stacionin e milicisë serbe dhe përjetuar tmerrin. Të njëjtit milicë shkonin edhe nëpër shtëpitë shkolla dhe maltretonin ata mësimdhënës që kishin vendosur të mbanin mësim të improvizuar nëpër shtëpi.

Kjo përafërsisht ishte jeta e shumicës së qytetarëve të Kosovës para se të niste lufta. Para se milicët serbë të ballafaqoheshin me rezistencën e një numri të vogël të shqiptarëve që vendosën t’ia kthenin armët brutalitetit shtetëror serb. Një numër i vogël i shqiptarëve ishin aktivë edhe në vitet e 60-ta, 70-ta, 80-ta e 90-ta, por pa ndonjë ndikim të madh, sepse Kosova po vazhdonte nën Jugosllavi e Serbi.

Kur në skenë doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës, atëherë nisi të ndryshonte e përfundonte rrëfimi për dy milicët që torturonin njerëzit nëpër lagje të tëra. Deri në atë kohë shqiptarët po jetonin për mbijetesë. Pas fillimit të luftës, jeta u rëndua edhe më shumë, pasi shumica po përballej me luftën për ekzistencë. E kjo ekzistencë sigurohej kryesisht nga familjarët që i kishin në diasporë. Secila shtëpi fokusohej në sigurimin e gjërave elementare për ditë, javë e muaj.

S’shkonin më veç dy milicë

Kur nisi lufta, gati 1 milion shqiptarë u larguan nga vendbanimet e tyre dhe një pjesë u deportuan në vendet e rajonit e botës. Atëkohë, ka pasur rrëfime se largimi nga shtëpitë do të zgjaste vetëm dy javë. Sepse ndërkombëtarët përkatësisht amerikanët nuk do ta toleronin gjatë spastrimin etnik dhe masakrat që po kryheshin ku numëroheshin mbi dhjetë mijë të vrarë kryesisht fëmijë, pleq e gra.

Mirëpo, tmerri për gjithë ata që mbetën në Kosovë vetëm sa po thellohej. Tashmë nuk ishin dy milicët. Ishin mijëra milicë, ushtarë të shtetit serb që zbarkuan në Kosovë dhe po kryenin vrasje, dhunime dhe masakra ndaj shqiptarëve.

Në prillin e vitit 1999 teksa po kalonim nga Koliqi në Grashticë, kolonën ku ndodhesha me familje, e ndaluan ushtarët serbë. Aty, për herë të parë, para syve, po shihja se çka është saktë vrasja, plaçkitja dhe terrori. Katër ushtarë, me shamia në kokë, filluan të kërkonin para me një shqipe të çalë. “Hiljade maraka”, bërtiste njeri prej ushtarëve dhe vizitonte mjetet e ndalura në rrugë. Kushdo që nuk arrinte t’ia numëronte paratë në dorë përballej me plumbat e ushtarëve serbë. Ende e kam në kokë zërin e njërit prej ushtarëve, i cili këndonte këngën shqipe “Moj Kosova oj nana eme kurr s’kam me t’harru”.

Terrori i shtetit serb mbi shqiptarët e Kosovës përfundoi në qershor të 1999-s. Kur Serbia pranoi kapitullimin dhe nisi hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë e rrënuar e shkatërruar. Por, serbët kurrë nuk kanë hequr dorë për të marrë edhe diçka prej Kosovës.

Pas kapitullimit të Serbisë, për herë të parë, Shtetin e Kosovës e kam përjetuar kur si 12-vjeçar, diku më 14 qershor 1999, kam parë duke rënë emërtimet në gjuhën serbe nëpër dyqane dhe të njëjtat duke u zëvendësuar me gjuhën shqipe.

Ndërtimi i shtetit të Kosovës nga 1999 deri më sot ka kaluar nëpër ngjarje dramatike e traumatike sikur ishte Konferenca e Rambujes që solli bombardimet e NATO-s mbi Serbi, ngjarjet enigmatike të marsit 2004, negociatat e Vjenës që përfunduan me shpalljen e pavarësisë, me negociatat e Brukselit që deri diku futën një pjesë të serbëve nën ligjshmërinë e Republikës e deri te “Plani franko-gjerman”.

Në këto vite të pasçlirimit janë ndërruar dhe zëvendësuar pushtete në Kosovë filluar nga i UNMIK-ut e vazhduar me udhëheqjet vendore.

Dhe, ka përfunduar në pakthim rrëfimi për dy milicët serbë që dikur bënin çfarë të donin mbi shqiptarët. Përmbysja është aq e madhe për këto vite sa burrat dhe gratë e Kosovës nuk kanë problemin kryesor si të mos bien në duart e dy milicëve serbë, por janë në gjendje të mbrojnë atdheun, marrin pjesë dhe shpëtojnë jetët e njerëzve jashtë shtetit siç ishte rasti në Turqi.

Tash, shteti i Kosovës, ky që sot po i mbush 15 vjet, po përballet me një kërcënim të ri. Ikjen e vajzave dhe djemve më të mirë për në vendet e BE-së. Fatmirësisht nuk po ikin nga dy policët serbë siç bënin gjeneratat e të rriturve në vitet e 90-ta.

Për të mos ardhur në një gjendje që përvjetori i 30-të i Republikës ta festojnë vetëm të pensionuarit, shteti duhet të hartojë plane, të bëjë investime dhe bëjë këtë vend atraktiv, që edhe ata që janë larguar të kthehen për të investuar dhe punuar në shtetin e dytë të shqiptarëve në Ballkan.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!