×
Opinione

Si ta presim Gabriel Escobar-in?

Reporteri
20 Nëntor 2021 | 14:46

Autor: Afrim Kasolli


Dje mediat vendore, duke iu referuar një komunikate të qeverisë, e transmetuan një lajm, sipas së cilit, Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pasur një bisedë telefonike me Gabriel Escobar-in, të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor. Sipas këtij informacioni, ky komunikim në masë të madhe për bosht tematik ka pasur negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohen në Bruksel dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet këtyre dy vendeve. Po ashtu në këtë komunikatë thuhet se Escobari ka shprehur vullnetin që ta vizitojë Kosovën.

Nëse këto informacione janë të sakta, atëherë ky zhvillim i ri flet për një vullnet dhe gatishmëri të qeverisë së Kosovës për ta përafruar qëndrimin e saj me atë të Uashingtonit për çështjen e dialogut. Personalisht, nuk besoj se i dërguari i ShBA-ve do ta merrte mundin për ta vizituar Prishtinën nëse biseda telefonike më kryeministrin nuk do të kishte shenja të tilla. Natyrisht, është herët që të konkludohet mbi bilancin e mundshëm të kësaj “kthese” diplomatike dhe politike për Kosovën.

Mirëpo, simptomatikisht një zhvillim i tillë tregon se dinamika e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e lehtësuar nga Brukseli dhe e mbështetur nga SHBA-të në prapaskenë, do të mund të futet në një fazë më intensive. Ky proces ka kohë që ndodhet në gjendje komatoze, për shkak të shumë faktorëve.

Në anën tjetër zhvillimet që lidhen me këtë ecurinë e negociatave ndërmjet dy vendeve ka kohë që janë shndërruar në barrë dhe ngarkesë të tmerrshme për Kosovën. Ka pothuajse një dekadë që zhvillimet politike në Kosovë janë bërë peng i kësaj teme. Kurse pas vitit 2015 e këndej thuajse çdo gjë është kushtëzuar nga ky proces. Janë rrëzuar dhe ngritur qeveri kryesisht nga presionet që ka prodhuar ky stagnim. Zhvillimet rreth tij janë përdorur nga partitë politike si një instrument për t’i agravuar deri në ekstrem përçarjet e brendshme politike.

Sulmet brutale, akuzat, etiketimet, konsiparicionet dhe shpifjet kundër njëri tjetrit e kanë dominuar vokabularin politik, në masë të madhe kryesisht për shkak të dialogut me Serbinë. Dhe kështu do të jetë për aq kohë sa kjo çështje do të jetë e hapur.

Sa më shumë që janë ngushtuar mundësitë diplomatike të Kosovës, aq më tepër është shtuar kërkimi i brendshëm i fajtorit për këtë degradim të pozicionit ndërkombëtar të shtetit. Për pozitën, mungesa e vullnetit të opozitës për konsensus të brendshëm politik është konsideruar përgjegjëse për këtë dështim, kurse për opozitën lëshimet, kompromiset dhe gabimet strategjike në raport me kërkesat e palës serbe, e kanë përbërë thelbin e këtij degradimi.

Pra mbi këtë sfond të tensionit të vazhdueshëm është shtresëzuar dhe akumuluar kjo atmosferë militanteske sa i përket zhvillimeve të brendshme, e që, deshëm apo s’deshëm ta pranojmë, e ka lënduar tej mase pozitën negociuese të Kosovës. Sepse ndryshimi i koniunkturës dhe ambientit ndërkombëtar që po ashtu ka pasur një impakt në këtë bllokim është tjetër rrëfim.

Sidoqoftë, nëse politika kosovare dëshiron të dalë nga ky rreth vicioz, ku është katandisur tash e sa kohë, e ka të nevojshme dhe të domosdoshme ta gjejë rrugën e “shpëtimit” nga kjo gjendje “humneruese” dhe amulli e tmerrshme ku është katandisur. Ky objektiv është një imperativ strategjik në rrethanat në të cilat ndodhemi.

Gjithsesi, kjo detyrë shtetërore, politike dhe historike s’është obligim vetëm i njërës palë, por i gjithë spektrit politik. Si i pushtetit ashtu edhe i opozitës. Asnjëra palë s’mundet të sillet me stilin e “gjuetisë së shtrigave” për ta pritur me kënaqësi të heshtur dështimin e palës tjetër, si shans për sukses të brendshëm politik. Çdo strukje në këtë drejtim është me pasoja për të gjithë.

Kuptohet, këtu kryeministri ka përgjegjësi më të madhe. Madje edhe pas rezultatit jo të favorshëm në zgjedhjet lokale që mori partia e tij, përsëri ai ka legjitimitet për t’i prirë këtij procesi. Por, duke e kërkuar mbështetjen e opozitës në ndërtimin e nja strategjie shtetërore dialoguese se si Kosova duhet t’i qaset këtij problemi. Kurse opozita nuk e ka luksin e refuzimit dhe eskivimit nga ky obligim. Ajo nuk mund t’i lajë duart si Ponc Pilati, me arsyetimin se ne s’kemi asgjë me këtë punë. Sepse të gjitha temat që po i imponohen shtetit të Kosovës në tavolinë janë trashëgimi e kohës kur ajo kishte participuar në këtë proces.

Madje, në fund të fundit, janë vetë liderët e partive opozitare që edhe pas suksesit që arritën në zgjedhjet lokale janë shprehur kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Dhe ky qëndrim kuptohet nuk rrjedh nga dashuria e tyre për ta parë Albin Kurtin si kryeministër, por nga kalkulimi se mos i pari i qeverisë do të fundoset politikisht pikërisht nga dega mbi të cilën është ngritur. Kjo shpresë mund të jetë edhe legjitime. Mirëpo, shtrohet një pyetje, nëse Albin Kurti dështon në këtë proces, cila do jetë oferta e opozitës kur të ngjitet në pushtet përballë këtij obligimi? Edhe ajo do të përballet me të njëjtat vështirësi dhe pengesa. Prandaj kjo fitore do të ishte një fitore e Pirros. Fati politik i kryeministrit aktual po e dëshmon këtë. Ai sot po detyrohet të merret pikërisht me ato tema që dikur i ka refuzuar me një patos dhe retorikë të zjarrtë thuajse “revolucionare”. Nga kjo logjikë nuk do të përfitonte askush. Prandaj roli proaktiv, gatishmëria dhe vullneti i opozitës për të kontribuar në këtë ndërrmarrje, nëse kërkohet ndihma e saj, në instancë të fundit, përbën një interes afatgjatë për Kosovën.

Kosova duhet të shmang me çdo kusht situata të tilla, si ajo ku u zhyt para Marrëveshjes së Uashingtonit. Me këtë nuk po them se një gjendje e tillë mund të riprodhohet në mënyrë identike. Por gjurmët e asaj atmosfere trazuese dhe acaruese kanë mbetur ende. Ajo ishte kriza më e madhe politike dhe diplomatike e Kosovës në raport me aleatin e saj kryesor strategjik. Dhe nuk mund të mohohet fakti se përgjegjës kryesor i atij tensioni ishte kryeministri Kurti.

PDK-ja si duket, po ashtu nga kalkulime të brendshme, u përfshi në një qëndrim nebuloz. Ka mbetur “engimë” refuzimi i kësaj partie për një marrëveshje që e rikonfirmonte pozicionin e Kosovës brenda paradigmës së sigurisë dhe sistemit të vlerave të promovuar nga SHBA-të. Akord ky po ashtu që shërbente si një mjet i domosdoshëm dhe afatgjatë për të kufizuar penetrimin e interesave të armiqve strategjikë të Amerikës në rajon. Dhe i cenonte rrënjësisht premisat strategjike të Politikës së Jashtme të Serbisë të fundamentuara mbi katër shtylla kryesore edhe me SHBA-në edhe me Rusinë edhe me Kinën dhe me BE-në.

Në fund të fundit, Kosova ka përfituar politikisht dhe strategjikisht nga dominimi gati unipolar i Uashingtonit pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Dhe stabilizimi i shtetit të Kosovës, e pranuam apo s’e pranuam ne, varet kryesisht nga konfirmimi dhe fuqizimi i interesave amerikane, si në nivel global ashtu edhe në rajon. Çdo alternativë tjetër e mbars skenarin e kaosit.

Në këtë klimë të acaruar barrën e tejkalimit të kësaj krize e mori mbi supe ish-kryeministri Abdullah Hoti. Ai ia doli që të kryejë me mision këtë obligim historik. Ndonëse e pagoi një çmim publik për këtë guxim diplomatik. Vetë kryetari aktual i LDK-së u tërhoq atëbotë nga skena, me arsyetimin se nuk dëshiron të jetë ministër në një qeveri e cila e shmangu këtë konflikt me pasoja të paparashikueshme për vendin. Dhe u shfaq në teatrin e jetës politike pas një “pauze relaksuese” vetëm pasi kaloi furtuna. Me këtë qëndrim të çuditshëm lideri aktual i LDK-së tregoi se nxitet nga kalkulimi për të mos u bërë pjesë e valles në agjenda që mund edhe të mos jenë popullore, por që reflektojnë interesa shtetërore. Qëndrim ky i kundërt me atë të ish-kryeministrit Abdullah Hoti, i cili edhe përkundër disponimit negativ popullor ndaj veprimeve që ndërmori, megjithatë u përcaktua katërcipërisht për ta ruajtur me çdo kusht këtë interes shtetëror të Kosovës.

Kuptohet që ekuilibri dhe menaxhimi i situatave të tilla kontradiktore mbetet gjithmonë një çështje delikate. Sepse, siç ka thënë Henry Kissinger, “një udhëheqës që e kufizon rolin e tij me përvojën e popullit të vet është i dënuar të ngecet në vend; një udhëheqës që e tejkalon eksperiencën e popullit të vet rrezikon të mos kuptohet”.

Kosova e ka të domosdoshme që t’i shmang njëherë e përgjithmonë skenarë të tillë fatalë. Politika kosovare duhet të distancohet nga trajtimi populist i temës së dialogut apo pozicioni se vetëm nëse një parti është në pushtet i pranon rezultatet e tij. Qëndrime të tilla ekstreme janë përgjegjëse për situatën në të cilën kemi ardhur, sa u përket zhvillimeve të brendshme. Korrigjimi i sjelljeve të tilla është bërë një nevojë e pashmangshme. Mbase është koha që ky pozicion i ri politik të sforcohet para vizitës së Gabriel Eskobar-it në Kosovë dhe marrjes së detyrës nga ambasadori i ri amerikan në Prishtinë, Jeffrey M.Hovenier. Kjo do ishte një shenjë e ndërgjegjësimit, pjekurisë dhe seriozitetit përballë interesave shtetërore të partive tona politike. Me këtë qëndrim do të mund t’i jepej fund mendësisë ironike të viteve të fundit, e cila nuk njeh asnjë realitet tjetër, pos egos personale.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!