×
Opinione

Turizmi është industria më e madhe në botë

Autor:Petrit Hasanaj
27 Shtator 2023 | 12:43

Në Ditën Botërore të Turizmit 

Dita Botërore e Turizmit feston fuqinë e turizmit për të nxitur përfshirjen, mbrojtjen e natyrës dhe promovimin e mirëkuptimit kulturor.

Turizmi është një shtytës i fuqishëm për zhvillimin e qëndrueshëm. Ai kontribuon në edukimin dhe fuqizimin e grave dhe të rinjve dhe avancon zhvillimin socio-ekonomik dhe kulturor të komuniteteve. Ai luan një rol kritik në sistemet e mbrojtjes sociale që formojnë themelin për zhvillim të qëndrueshëm dhe prosperitet.

Ne duhet të krijojmë vende pune të denja dhe të sigurojmë që investimet të sjellin përfitime për vendin pritës dhe komunitetet lokale.

Turizmi viteve të fundit po dëshmon qëndrueshmëri zhvillimi dhe ka përjetuar investime me interes për ekonominë, duke e sjellë në nivel të cilin Kosova kurrë nuk e kishte, me kontribut edhe në buxhetin e shtetit, edhe kontribut në GDP-në vendore.

Ky zhvillim i turizmit pasqyrohet me ngritjen e vazhdueshme të lakores së të dhënave hoteliere nga viti në vit. Këtë e thonë edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat na tregojnë më shumë rreth gjendjes së këtij sektori në vendin tonë.

Në vitin 2022, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 460 467, prej tyre 35,37%, ishin vendorë dhe 64,63% ishin të jashtëm. Numri i net-qëndrimeve ishte 818 832, prej tyre 33,47% nga vendorët dhe 66,53% nga të huajt.

Në vitin 2022, numri i vizitorëve vendorë është rritur për 14,0% në raport me vitin 2021, net-qëndrimet e vizitorëve vendorë janë rritur për 23,0%. Ka rritje të vizitorëve të jashtëm për rreth 40,0%, kurse net-qëndrimet e vizitorëve të jashtëm janë rritur për 52,0% në raport me vitin 2021.

Në TM4 2022, në aktivitetet e akomodimit dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim janë regjistruar 232 ndërmarrje (8.8%) e të gjitha ndërmarrjeve të regjistruara gjatë këtij tremujori.

Në muajin prill 2023, indeksi i qarkullimit të shërbimeve të Hotelierisë kishte rritje 31.60% sipas të dhënave nga ASK. Po ashtu, në muajin prill 2023, indeksi i numrit të të punësuarve kishte rritje në sektorin e Hotelerisë prej 13.89%, sipas të dhënave të ASK-së.

Qeveritë, bizneset dhe konsumatorët duhet të përafrojnë praktikat e tyre të turizmit me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të ardhmen. Vetë mbijetesa e kësaj industrie dhe e shumë destinacioneve turistike, si shtetet e vogla në zhvillim, varet prej tij.

Nuk ka kohë për të humbur. Le të rimendojmë dhe rishpikim turizmin, së bashku të ofrojmë një të ardhme më të qëndrueshme, të begatë dhe më ndryshe për të gjithë.

*Autori, Prof. As. Dr. Petrit Hasanaj, është dekan i Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!