×
  • Prospect
  • Prospect / Tregim

    “Kthimi i babait”

    Autor:Adil Olluri
    26 Gusht 2023 | 17:53

    Sa i papeshë qenke bërë, baba! Asnjëherë nuk më ka vajtur mendja se do të mund të të bartja vetëm në njërin krah e vetëm me njërën dorë. Mbi këtë qese ngjyrë korbi qenka e varur një letër e bardhë, në të cilën i paskan shënuar disa numra që të takonin ty, të vetmet gjëra që tashmë të dallojnë nga të tjerët, që patën fatin tënd të ktheheshin kaq të lehta në atdheun, që tashmë nuk u duhet gjë.

    Fol, baba, fol! Ma thuaj të paktën një fjalë! Nxirre një zë dhe më trego ç’t’u desh atdheu për të cilin u bëre kaq i lehtë e i pamish?! Nuk të mjaftuam ne?! Nuk të mjaftoi nëna, që u përkujdes për ty, si murgesha për tempullin e saj të shenjtë, nëna që t’u bind sikurse më e devotshmja besimtare një profeti, duke t’u përulur, sikurse më kokulura robëreshë një prijësi shpirtëror?! Nuk të mjaftova unë, që të kisha yrnek në çdo gjë që bëja, në çdo fjalë që flisja?! Nuk të mjaftoi qyteti që i hapi dyert për ty, rrugët e të cilit t’i puthnin hapat çdo të lumin mëngjes e çdo muzg vetullngrysur të mbrëmjeve?! A nuk ishim ne për ty atdheu, apo ai gjendej diku në katet e epërme dhe të padukshme të qiellit, të cilat unë nuk mund t’i shihja, e të cilat nuk mund t’i shoh as tash?!

    Gjersa të bart mbi supe, më vijnë ndërmend kohët kur ti më mbaje në krahë e më shëtisje rrugëve e parqeve të qytetit apo edhe fushave të blerta të fshatit tënd të lindjes apo rreth e rreth oborrit të shtëpisë së gjyshit. M’i fshije buzët dhe faqet sa herë që zhytesha nga ëmbëlsirat që m’i blije vazhdimisht, edhe atëherë kur unë nuk doja. Më ndiqje sa herë që unë arrija të të ikja nga dora. Ah, sa më pëlqente kur të shihja duke vrapuar pas meje. Ngazëllehesha, shkrihesha në gaz, kur nuk arrije të më zije, edhe pse më afroheshe aq afër sa me një zgjatjeje dore mund të më kapje. Unë hareshëm u gëzohesha fitoreve të mia, që krenarisht ia kumtoja nënës dhe gjyshit, që më donin po aq sa ti. E mbaj mend që, fill pas një viti, nuk më pëlqenin më ato ndjekje, meqë nisa të ndiej se ti mund të më zije sa hap e mbyll sytë, por me kast bëje kinse nuk më arrije, vetëm e vetëm që ta nxirrje të qeshurën time. Më pëlqente të më mbaje në krahë çdo kund që shkonim, pos në rrugën që dërgonte te mjeku, veçmas te ai syzemadhi, pamja e të cilit më ishte bërë si gogol nate. E urreja jo vetëm atë, por secilin mjek. Nuk mund ta duroja atë aromë ilaçesh që kishin ato vende. Nuk mund t’i duroja ato gjilpëra të pashpirta, që aq me gjakftohtësi ma shponin trupin. Më ishin bërë ëndërr tmerri ato shiringa dreqi, që më thernin thuajse për çdo ditë. Nëna më ka treguar se dy herë më kishe menduar për të vdekur në atë kthinë të ngushtë ambulante, që për mua ishte shndërruar në një kënd truptherës, kënd që nuk doja ta shihja me sy, por ti vazhdimisht më dërgoje aty, sepse urreje të më kapte edhe më e vogla grimcë e ndonjë sëmundjeje.

    Më pëlqenin çastet, kur ti më merrje në kafene me miqtë e tu. Më nxisje t’ua tregoja emrin kur ata më pyesnin se i kujt isha, emrin tënd, të cilin unë e thosha me mburrje. Ua ktheja fjalët dhëmb për dhëmb, kur ata thoshin se ti nuk ishe ashtu siç mendoja unë. Sa shumë qeshnin kur u thosha se të tillë ishin vetë, se e kishin hundën të shtrembër, se e kishin barkun tëmadh sa koshi i gjyshit në fshat, se djemtë e tyre ende shurronin në shtrat, ndërsa unë dilja vetë në tualet. Sa bukuri kishin e sa lumturi ngjallnin ato ditë me ty, të cilat nuk do t’i harrojë kurrë.

    Çdo gjë u prish në një ditë kur ti u ktheve më herët se zakonisht në shtëpi dhe i the nënës se më nuk do të shkoje në punë, jo pse më nuk doje, por pse nuk të linin më aty. I the që do të niseshe, qysh në javën e ardhshme, në një vend të largët, në të cilin askush nuk do të thoshte që të mos punoje. Unë nuk të pashë duke u nisur, sepse ti kishe marrë udhë në orët e vona të natës dhe nuk doje të ma prishje gjumin. Nëna nuk e mbante mend në më kishe puthur në ballë, sepse miku yt me veturë nuk guxonte të të priste gjatë, por i kujtohej se kishe hyrë në dhomë dhe më kishe mbuluar me të portokalltën e të trashën batanije mua, shpinëzbuluarin, dhe se i ishe lutur asaj, edhe pse ishte natë fillimshtatori, të më ruante nga të ftohtit e mbrëmjes.

    Na vinin shpeshherë letrat e tua me bukurshkrimin tënd, të cilin përpiqesha ta kopjoja me javë të tëra. Isha i fiksuar ta shkruaja secilën germë si ti. Na vinin kartolinat e zbukuruara, ngjyrëndezura, të cilat i ruaja pranë fletoreve kopertinëtrasha që m’i kishe dërguar, e që dallonin nga ato që bliheshin në qytetit tonë. Krekosesha me to para shokëve të mi të klasës së dytë. Na vinte edhe zëri yt nga telefoni i bardhë i xhaxhait, me numra gjysmë të fshirë, që e mbante ngjitur në murin e korridorit të banesës së tij, që ishte dy herë më e madhe se jona. Na vinte çdo gjë nga ti, por vetë nuk na erdhe asnjëherë, baba.

    Ishin mbushur tetë vjet pa trokitur në derën e banesës sonë. Unë isha bërë katërmbëdhjetë vjeç. Ti nuk pate mundësi të më shihje duke u rritur. Na thanë se ishe kthyer në vendin tonë dhe rrije në një fshat të thellë malor, sepse nuk guxoje të vije në qytet. Na thanë se kishe vendosur të na sillje lirinë dhe të na hiqje frikën nga të uniformuarit që nuk flisnin si ne. Doje t’u hakmerreshe atyre që nuk të lanë të punoje, që të ndoqën e të larguan nga ne. Nëna nuk mund të besonte se ti, aq i qetë e zemërbutë, mund të kapje armë dhe t’ia drejtoje atë dikujt, ndërsa unë për çdo ditë e torturoja veten, duke thurur plane në mendjen time se si të vija në atë fshat e të të shihja ty tok me të gjithë lirisjellësit.

    Lufta mbaroi. Unë dhe nëna kishim marrë rrugën e ikjes, që sillte më kollajshëm shpëtimin. Liria erdhi, por ti nuk u duke gjëkundi. Të pritëm rreth dy muaj pas përfundimit të luftës që të shfaqeshe në banesën tonë dhe të gëzoheshim për këto ditë ngadhënjimi, por ti nuk u bëre i gjallë, nuk na dhe asnjë shenjë, derisa e morëm vesh që ti ishe zënë rob dhe nuk dihej se në ç’burg ishe a se në ç’vend të kishin degdisur.

    Për çdo natë të shihja në ëndërr të varur kokëposhtë në tavanin e një dhome të errët, këmbë e duar lidhur me një litar të pazgjidhshëm, që e mbante një tra i vjetër, si dhe tre policë shëmtakë që të godisnin pamëshirshëm. Sa herë që t’i ofshaje dhimbshëm nga goditjet e tyre të fuqishme, ata binin në një ekstazë kënaqësie, duke qeshur me zë deri në kupë të qiellit. I gëzoheshin triumfit, meqenëse kishin robëruar dikë që kishte guxuar t’ua kthente plumbin. Ata, për të bërë edhe më të kënaqshëm argëtimin e tyre, të zhvishnin të tërin dhe të godisnin edhe më vrazhdë, me tërë fuqinë që e kishin. Të ishte gjakosur tërë trupi dhe buzët e tua nuk kërkonin gjë tjetër pos ujit, por të pamëshirshmit as që donin të dëgjonin dhe etjen mund ta shuaje vetëm me pikat e gjakut tënd nga balli dhe vetullat e shqyera. Pikonte trupi yt në atë dhomë të errët, duke e mbuluar ngjyrën e saj të zezë me njolla të së kuqes. Ato net ishin të mbushura me përplot ëndrra makthi, që po të mos ishte nëna afër, do ta merrja malin.

    Unë dhe nëna të kërkuam me vite. Nuk lamë njeri pa pyetur, nuk lamë gjurmë pa ndjekur. Donim ta dinim se në ç’vend të kishin zhdukur. Edhe pse kaloi një dhjetëvjeçar lirie, së cilës ti iu bëre fli, ne ende kishim shpresë se një ditë do të ktheheshe i gjallë, se një ditë krejt papritmas do t’i bije ziles së banesës, ose pa bërë zhurmë do të hyje brenda në orët e vona, mu ashtu siç kishe dalë nga ajo, për të mos u kthyer më kurrë. Shpresonim dhe vetëm shpresonim, derisa një ditë morëm një lajm se e kishin gjetur trupin tënd. Tash po i bart eshtrat e tu, të mbështjellë me këtë qese të zezë. Tash po të dërgoj në shtëpi.

    *Tregimi “Kthimi i babait”, i shkrimtarit kosovar Adil Olluri, ditë më parë është përkthyer edhe në gjuhën hungareze dhe botuar në revistën e njohur letrare “Tiszataj”. Përkthimi dhe botimi në këtë gjuhë e rritë në dymbëdhjetë numrin e gjuhëve në të cilat flet “Kthimi i babait”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect
    Prospect
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!