×
Prospect

Kur Kleopatra ishte gjallë, nuk u përshkrua nga ngjyra e lëkurës

Autor:Kenan Malik, The Guardian
24 Prill 2023 | 15:14

Në 1751, polimati i madh amerikan, Benjamin Franklin, shqetësohej për numrin e vogël në “botë të njerëzve të pastër të bardhë”. “E gjithë Afrika”, shkroi ai, “është e zezë ose e errët. Azia është kryesisht e kuqërremtë … Dhe, në Evropë, spanjollët, italianët, francezët, rusët dhe suedezët janë përgjithësisht ata që ne i quajmë si fytyra të zbehta; siç janë edhe gjermanët”. Vetëm “saksonët … [dhe] anglezët e përbëjnë trupin kryesor të të bardhëve në faqen e dheut”.

Pyetja se “kush është i bardhë?” sot mund të na duket si gjë e qartë. Megjithatë, gjatë tre shekujve të fundit ajo ashpër është kontestuar. Shumë grupe që ne tani i mendojmë si të bardha, sigurisht që nuk shiheshin si të tillë për pjesën më të madhe të asaj periudhe – nga irlandezët te sllavët, nga italianët te hebrenjtë. U desh një proces i gjatë negociatash shoqërore dhe konflikteve, përpara se ata të pranoheshin në klubin e bardhësisë.

Edhe sot, kufijtë racorë mbesin të diskutueshëm. Kontroversa e fundit se “kush është i bardhë?” ka dalë nga vendimi i Netflix-it që Kleopatrën ta luajë një aktore me ngjyrë, Adele James – në serialin e ri dramatik, Mbretëresha Kleopatra.

Ashtu si në shumë debate të tilla, çështjet janë mbuluar me shtresat e miteve dhe të ideologjisë. Pjesa më e madhe e polemikave u shtrua nga dëshira për t’i imponuar nocionet bashkëkohore të racës dhe të identitetit, të bardhësisë dhe të zezës në një botë të lashtë që mendonte shumë më ndryshe për çështjet e tilla. Edhe identitetet si “egjiptian”, “grek”, “maqedonas” dhe “afrikan” kanë konotacione dukshëm më të ndryshme sot sesa që kishin dy mijë vjet më parë.

E lindur në Aleksandri në vitin 69 p.e.s., Kleopatra VII – mbretëresha e fundit e dinastisë helenistike të ptolemenjve – ishte sundimtare egjiptiane me trashëgimi maqedonase, dhe ndoshta me një prejardhje persiane dhe të afrikanes së zezë – megjithëse kjo gjë është kontestuar shumë. Sidoqoftë, vendosja e Jamesit në rolin e Kleopatrës ka të bëjë po aq me ndjeshmërinë bashkëkohore, aq sa edhe me faktet historike. “Ne shpeshherë nuk arrijmë të shohim ose të dëgjojmë histori për mbretëreshat e zeza”, theksoi Jada Pinkett Smith, producente ekzekutive e dramës, “dhe kjo ishte me të vërtetë e rëndësishme për mua, si dhe për vajzën time dhe sidomos për komunitetin tim që ata të jenë në gjendje që t’i dinë ato histori”.

Ideja se Kleopatra ishte e zezë ka një histori të gjatë në mendimin afrikano-amerikan, veçanërisht brenda lëvizjeve nacionaliste dhe afrocentriste zezake. Shumë kanë pretenduar se Egjipti është komb i zi nga i cili Greqia e lashtë vodhi kulturën dhe idetë e veta. Për një popull të skllavëruar dhe të shtypur që jetonte brenda një bote raciste që shpallte me zë të lartë se ata kishin ardhur nga një kontinent pa histori, shpeshherë ishte e papërmbajtshme joshja për Egjiptin dhe për Kleopatrën me ngjyrë të zezë.

Botimi i vitit 1987 i vëllimit të parë të Athinës së Zezë nga Martin Bernal – studiues britanik i historisë politike kineze – e solli këtë diskutim si në akademinë ashtu edhe në ndërgjegjen më të gjerë të publikut. Bernali argumentoi se pjesa më e madhe e kulturës klasike greke i kishte rrënjët në atë të Egjiptit të lashtë, por kjo lidhje ishte fshirë nga ngritja e pikëpamjeve eurocentrike të shekullit XVIII. Shumë prej pretendimeve të tij janë hedhur poshtë, por debati i ashpër – nga të dyja palët – mbi librin është nxitur sa nga polemika aq edhe nga fakti.

Kohët e fundit, klasicistja Shelley Haley ka argumentuar se megjithëse është “anakronike” të imagjinohet se të lashtët e shihnin racën ashtu si ne, ndjeshmëria moderne mund të jetë e dobishme në aspektin e mënyrës se si e perceptojmë Kleopatrën. “Gjyshja ime ishte e bardhë”, shkruan Haley, “kishte flokë të drejtë të zinj dhe hundën e gjyshes së saj [autoktone amerikane] Onondagan, por ajo ishte ‘me ngjyrë’ për shkak të ‘rregullit të gjakut’ – këmbënguljes se ‘nëse ne kemi një paraardhës të zi, atëherë ne jemi të zinj’”. Në mënyrë të ngjashme, Kleopatra ishte padyshim “produkt i martesave të përziera”; kështu që “pse të mos jetë ajo e zezë”? Haley shton se “Kleopatra reagoi ndaj fenomeneve të shtypjes dhe shfrytëzimit si grua e zezë. Prandaj, e mbështesim si motrën tonë”.

Kjo është historia si alegori, këndvështrimi i së kaluarës – kryesisht – si burim nga i cili mund të mbështetemi për t’i përmbushur nevojat sociale dhe psikologjike të së tashmes. Është gabim, gjithashtu, në nivelin e konfuzionit bashkëkohor mbi racën dhe gjakun që u imponua nga racistët për ta ruajtur “pastërtinë” e bardhë, e që tani duhet të përdoret nga studiuesit dhe aktivistët zezakë si mjet për t’i ngritur lart afrikano-amerikanët.

Nëse projeksioni i Kleopatrës si e zezë është i rrënjosur në mite dhe në përmbushje të dëshirave, ai i saj si “e bardhë” prek njësoj fabulat racore. Kleopatra ishte mbretëreshë egjiptiane me origjinë maqedonase. Por, kjo nuk e bën atë “të bardhë”. Bardhësia e Kleopatrës është produkt i të menduarit racor që u rrënjos në modernitet.

Të lashtët sigurisht se e kanë ndarë njerëzimin në grupe të ndryshme dhe i njihnin dallimet e ngjyrave. Por, ata nuk i kategorizuan njerëzit në termat racialë, sikurse ne, dhe as nuk ia atribuonin dallimeve njerëzore të njëjtat kuptime shoqërore. Nëse flasim për Kleopatrën apo për Aristotelin, t’i portretizosh ata si “të bardhë” do të thotë ta projektosh në të kaluarën një ndjeshmëri bashkëkohore racore.

Edhe në botën moderne, shumica e mendimtarëve euro-amerikanë, si Benjamin Franklin, deri në shekullin XX nuk do ta kishin parë si të bardhë një egjiptian, një maqedonas ose një grek të kohës së vet. Në të njëjtën kohë, Greqia e lashtë u mbështet si burim i traditës intelektuale dhe artistike perëndimore, kështu që, derisa grekët modernë nuk ishin domosdo të bardhë, grekët e lashtë ishin. Historia e racës është plot me kontradikta të tilla absurde.

Në vetë Egjiptin, shumëkush është skandalizuar nga etiketimi i Kleopatrës si e zezë, duke e shpallur atë si “falsifikim të fakteve” dhe “fshirje të identitetit egjiptian”. Është reagim që bazohet në shumë tema, nga dëshirat nacionaliste për ta projektuar një identitet unik egjiptian në cekëtinën kundër të zezës dhe një dëshirë për ta diferencuar botën arabe nga Afrika “nën-Sahariane” – një kategori kjo që u shfaq vetëm në shekulli XX. Sigurisht, jo të gjithë egjiptianët i miratojnë pikëpamjet e tilla, por polemikat për Kleopatrën pashmangshmërisht kanë përparësi të veçantë brenda vendit.

Nuk ka asgjë të keqe ta paraqesësh Kleopatrën si të zezë. Problemi qëndron në rezonancat që rrjedhin prej saj. Jamesi nuk është as më shumë e as më pak një Kleopatër autentike sesa ishte Elizabeth Taylor. Të dhënat e lashta për Kleopatrën shpërfaqin pak interesime për ta diskutuar identitetin e saj në mënyrën se si bota moderne e bën këtë sot me këmbëngulje.

Sido që të paraqitet Kleopatra, ky është vendim i formësuar nga dëshirat apo fantazitë moderne politike. Pyetja se “a ishte Kleopatra e zezë apo e bardhë?” dhe përgjigjet që japim na flasin shumë më tepër për veten tonë, për botën tonë, dhe për konfuzionet që rrethojnë njohurinë tonë të racës dhe të identitetit, sesa për Kleopatrën dhe për botën e saj. /Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme
Prospect
Prospect
Prospect
Prospect
Prospect
Prospect

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!