×
  • Prospect
  • Prospect

    “The Literary Digest” më 1914: Ndërhyrja në Shqipëri

    Autor:The Literary Digest
    27 Nëntor 2023 | 14:19
    “The Literary Digest”, artikulli “Intervenimi në Shqipëri”, publikuar më 27 qershor 1914 (artikulli flet për Shqipërinë nën Vidin dhe kryengritjen e Haxhi Qamilit)

    Analizë e publikuar më 27 qershor 1914, nga botuar në revistën dikur të njohur amerikane, The Literary Digest (që është botuar në vitet 1980-1938), ndërsa flet për situatën kaotike në Shqipëri pas shpërthimit të kryengritjes së Haxhi Qamilit. Për shkak të kësaj situate, Fuqitë e Mëdha evropiane planifikonin ndërhyrjen në vend. Natyrisht, këto plane dështojnë një muaj më vonë, meqë shpërthen Lufta e Parë Botërore (më 28 korrik 1914). Shkrimi është përmbledhje e artikujve nga Evropa, por pjesa më e rëndësishme janë karikaturat me të cilat ilustrohet (po ashtu të botuara në shtypin evropian).

    Edhe pse Princi i ri i Shqipërisë, ose Mpreti [sic.] – siç e quajnë nënshtetasit e tij duke e përdorur një fjalë që rrjedh nga “Imperator” në gjuhën latine – me shtatëdhjetë valixhe është kthyer në pallatin e tij në Durrës, kjo nuk e nënkupton paqen, meqë për momentin jemi të informuar se Shqipëria po çoroditet po aq sa Meksika. Kryengritësit janë pothuajse pranë portës së pallatit dhe sulmet bëjnë me dije se nëse aty nuk do të ishin marinarët austriakë dhe italianë, për ta ndihmuar, Vilhelmi [Wilhem zu Wied] do të detyrohej të ikte prej nënshtetasve të vet. Situata mbush shtypin e Evropës me bisedimet për ndërhyrje, që mbase një ditë pritet të vijnë. Organi shqiptar Tasfiri Efaiar [sic.], i botuar në Kostandinopojë [Stamboll], deklaron se shqiptarët – të cilët kryesisht janë myslimanë – nuk e pëlqejnë praninë e një sundimtari të krishterë në mesin e tyre. Për të cituar këtu fjalët e kësaj gazete:

    Meqë nuk e kanë humbur besimin e tyre të fortë fetar, shqiptarët nuk mund të durojnë më me vendosjen e një sovrani të krishterë në krye të kombit të tyre, ose të ndryshojnë shprehitë dhe zakonet e veta. E kanë shfrytëzuar çdo mundësi për ta shfaqur pakënaqësinë e vet. Në veçanti, Shqipëria veriore asnjëherë nuk iu bind qeverisë së Durrësit dhe as nuk i pranoi taksat e vendosura prej saj. Këtë e vërteton njoftimi se flamuri osman ende valëvitet në rajonin verior të Strugës dhe se atje populli qeveriset në emër të Kalifit. Më shumë se 10 mijë ushtarë myslimanë, të cilët nuk duan t’i binden Princ Vidit, janë mbledhur në këtë rajon. Një pjesë e madhe e ushtarëve të Princit, përmes grupeve të vogla po dezertojnë për t’u bashkuar me ta. E gjithë kjo mjafton për ta shpjeguar frymën e veriut. Duke pasur parasysh këtë pakënaqësi të natyrshme të shqiptarëve myslimanë, të cilët e përbëjnë shumicën e popullsisë së shtetit të ri, në një farë mase është e lehtë të kuptohen shkaqet dhe shpërthimi i revoltës së tanishme, si dhe marshimi për në Durrës, në një kohë kur një marrëveshje armiqësore për interesat e Shqipërisë – për pjesën më të rëndësishme të Epirit – ishte në pikën e finalizimit bashkë me grekët e rrëmbyer dhe agresivë.

    Barometri shqiptar: Kur stuhia kërcënon, Princi i vogël del dhe mësynë vaporin dhe nuk kthehet derisa moti të përmirësohet (Le Rire / Paris)

    Natyrisht, të interesuara janë Italia dhe Austria si dy të ashtuquajturat “mbrojtëse” të Shqipërisë. Ato haptazi janë akuzuar se dëshirojnë ta ndajnë dhe gllabërojnë Mbretërinë foshnjore, një plan ky i dyshimtë që i jep peshë vërejtjes së Orientit (Kostandinopojë) se “Fuqitë po konsultohen për nevojën për një ndërhyrje të menjëhershme nga jashtë, si e vetmja mënyrë për të parandaluar komplikimet dhe anarkinë e mëtejme”. Por, Italia është e gjymtuar nga fushata e fundit në Tripoli dhe nga trazirat brenda vendit, kështu që ushtria e saj vështirë se do të jetë në gjendje që të dalë me forcë të plotë në terren. Gjendja e ushtrisë austriake është e mjerueshme, nëse mund t’i besojmë Reichspost-it (Vjenë), organ ky që përfaqëson qarqet më të larta ushtarake të vendit. Në këtë gazetë autoritare lexojmë:

    Ushtria austriake ka rënë në ditët e këqija. Gjendja e këmbësorisë në forcat austro-hungareze, mund të cilësohet si e mjerë. Për njëzet vjetët e fundit, nga këmbësoria janë përzgjedhur personeli i korpusit të modernizuar në terren dhe në artileri të rëndë, në departamentet teknike dhe të artilerisë së lehtë. Mund të merret me mend gjendja e ushtrisë kur mësojmë se asnjë rekrut nuk po ofrohet për këto degë të reja të ushtrisë. Gjërat kanë arritur në nivelin e tillë saqë çeta austriake e këmbësorisë ka një numër prej mezi 80 vetëve. Në Gjermani dhe Francë çeta numëron mbi 160 vetë, në Rusi mbi 170, ndonëse trupat kufitare janë shumë më të forta në aspektin çetë për çetë. Çeta prej 70 deri në 80 burrave as nuk mund të trajnohet për luftë aktive, as oficerët nuk mund t’ia dalin t’i zotërojnë komandat për të mësuar aftësitë e nevojshme teknike për udhëheqje.

    Raundi i dytë: Italia dhe Austria – “Çohu Villi; fat të mbarë për herën tjetër” (De Amsterdammer / Amsterdam)

    Vlerësimet e tilla të forcës italiane dhe austriake nuk e arsyetojnë veprimin kombëtar ushtarak, ndërsa Gjermania është e pasigurt. Dhe, kjo gazetë vazhdon:

    Anglia është edhe më e pasigurt. Një raport thotë se po pranon, porse do të dërgojë vetëm oficerë; një tjetër e jep vendimin për të ndihmuar mbrojtjen e Princit, por jo me ndonjë ndërhyrje të drejtpërdrejtë; ndërsa një i tretë dhe më autoritar thotë se ministrat britanikë janë ende duke e shqyrtuar këtë propozim. Vetë Rusia nuk do të dërgojë trupa, por nuk do të kundërshtojë dërgimin e trupave nga pesë Fuqitë e tjera. Përfundimi më i mirë që deri tash mund të arrihet është se nëse Fuqitë ndërhyjnë, Italia dhe Austria do t’i shtyjnë ato drejt këtij hapi. Nëse ndërhyrja shmanget, ndikimi i Anglisë do t’i frenojë ato.

    Ky shkrim deklaron se në Shqipëri ka pasur shumë “ndërhyrje të dëmshme të huaja” dhe se “një pjesë jo e vogël e halleve të Shqipërisë janë rezultat i intrigave apo paaftësisë së të huajve që fshehurazi apo haptazi përpiqen ta drejtojnë vendin”. Princi von Vid është i paaftë, thuhet aty; një marionetë, lëvizjet e së cilës kontrollohen nga fijet që mbahen në duart e Austrisë dhe të Italisë. Për të cituar më tej nga ky punim:

    Rezultati i tashëm i politikës së fundit të Princit, është se ai e ka humbur fuqinë e vet jashtë kufijve të ngushtë të Durrësit. Sigurisht, ai ende mund t’ia dalë të rimarrë veten nëse mund ta arrijë ekuilibrin e drejtë midis pjesëve të ndryshme të popullsisë dhe të sigurojë ca pajtime mes liderëve të tyre. Por, nuk mund të shoh dritën e ditës nëse propozon të mbështetet tek Austria dhe tek Italia dhe nëse këto – për ta forcuar kontrollin e tyre mbi Shqipërinë – nën mbrojtjen e vet i marrin të krishterët dhe po ashtu fiset myslimane, dhe nëse i nxisin ata kundër njëri-tjetrit. Duhet të dihet se Austria dhe Italia mbase nuk e dëshirojnë paqen dhe rendin në Shqipëri.

    Si të paqësohet Shqipëria: Vilhelm Vidi – “Ata që nuk më duan e kanë lirinë E plotë për t’u larguar” (Novoye Vremya / Shën. Petersburg)

    Italia është e gatshme të ndihmojë me ndërhyrjen, deklaron Tribuna (Romë), e cila mohon çdo plan egoist. Siç lexojmë në këtë organ qeveritar:

    Me energji të palodhshme, Qeveria italiane ka punuar për ndërhyrje dhe nuk e humb shpresën se do të shohë rezultate pozitive në përpjekjet e veta. Franca deklaroi se është i pëlqyeshëm propozimi që i është bërë për këtë rast dhe se nuk do të refuzojë t’i bashkohet lëvizjes – në mirëkuptimin të plotë me të gjitha fuqitë, pa përjashtim – për të marrë pjesë. Anglia deri tash ka rezistuar. Italia, nëse mund të themi kështu, e ruan qëndrimin që vazhdimisht e kemi vënë në pah. Do të jetë vigjilente në mbrojtjen më të përpiktë të çdo gjëje që ka të bëjë me ekuilibrin e Adriatikut dhe do t’i kontrollojë punët e brendshme të Shqipërisë vetëm në përputhje me dëshirat e të gjitha fuqive.

    Duke folur për qëndrimin e Austro-Hungarisë dhe Italisë ndaj çështjes shqiptare, Norddeutsche Allgemeine Zeitung (Berlin) paralajmëron:

    Ka pasur deklarata të kohëve të fundit nga njerëz kompetentë publikë, të cilët na ndihmojnë t’i kuptojmë rrethanat reale të gjendjes së Shqipërisë. Konti Berhtold [Leopold Berchtold] – duke i prirë delegacionit austriak në Budapest – dhe Markezi i San Xhulianos [Antonino Paternò Castello], në Odën Italiane kanë folur për detyrat e të dy aleatëve në Shqipëri. Në ekspozetë e tyre të shumta, të dy ministrat kanë rikonfirmuar domosdoshmërinë e një marrëveshjeje të qëndrueshme ndërmjet dy fuqive të Adriatikut – përkitazi me ngjarjet e fundit në Shqipëri. Bashkëpunimi austro-italian mbetet temë thelbësore në përpjekjet e ardhshme të diplomacisë evropiane, për të cilën besojmë se ndoshta hap pas hapi do të ketë sukses që të kapërcejë vështirësitë lokale të situatës shqiptare.

    Bukuroshi i Fjetur i Shqipërisë: Dhe, Princi që e zgjoi atë (Kikeriki / Vienna)

    Përkthimi: Agron Shala, Telegrafi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect
    Prospect
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!