“Komshiu im më dhunoi dhe më trafikoi nga Kosova në Serbi” – Miss Kosova tregon si u shpëtua nga Interpoli

Miss Universe Kosova, Tuti Sejdiu, i tronditi të gjithë para disa ditësh me historinë shokuese të fëmijërisë së saj. Ajo tregoi se në moshën 13-vjeçare është përdhunuar e trafikuar nga disa persona.


Së fundmi në një rrëfim për “Prive”, Tuti ka zbluar të tjera detaje shokuese. Ajo ka treguar se është trafikuar nga një komshi i saj nga Kosova drejt Serbisë. Miss Universe Kosova ka treguar se në ditën e tetë të atij makthi e shpëtoi Interpoli dhe e dërgoi në Kosovë.

“Komshiu im më dhunoi dhe më trafikoi nga Kosova në Serbi. Në atë kohë unë isha fëmijë 13 vjeç dhe nuk e kuptoja gjithçka dhe gjuhën serbe nuk e di e nuk e kam ditur as atëherë. Në ato momente e kam kuptuar se diçka nuk ishte në rregull. Mirëpo ditën e 8, kur shkova në Serbi më shpëtoi Interpoli dhe më solli në Kosovë pranë familjes time. Unë atë kapitull e kam mbyllur nuk merrem me të shkuarën, po luftoj vetëm për t’u vendosur drejtësi.

Kur më mori Interpoli më çoi në një qendër rehabilitimi dhe pastaj erdhi familja më mori. Po për t’i kaluar ato ditë dhe ato vite më është dashur të bëjë shumë sakrifica për t’i tejkaluar këto sfida. Por sfidat të bëjnë shumë të fortë”, ka rrëfyer Sejdiu.

Ndërkohë që shumë njerëz e akuzuan se e tregoi historinë për viktimizim, ajo është shprehur se ka pasur në të vërtetë 2 arsye të tjera.

“E tregova historinë e jetës për dy arsye: babain tim që ka kërkuar drejtësi dhe t’ju tregoj gjithë femrave se ne nuk duhet të heshtim, por ta mbajmë kokën lart dhe të flasim”.