×
  • Show Time
  • Show Time

    Aktori shqiptar që vdiq sot nga coronavirusi kishte luajtur edhe te seriali i famshëm ‘Sylejmani i Madhërishëm’

    Reporteri
    25 Mars 2021 | 21:03

    Luran Ahmeti, aktori shqiptar nga Maqedonia e Veriut, ka ndërruar jetë si pasojë e infektimit me COVID-19. Aktori 46 vjeçar, pos rolit të profesorit të historisë në serialin “O sa mirë”, që e bëri të njohur tek publiku shqiptar, ka lënë një bagazh të pasur në aktrim.


    Ahmeti kryesisht ka luajtur në filma dhe seriale të realizuara në Turqi, por ishte pjesë edhe e filmit të famshëm të Hollywood-it “Taken 2” ku ishte kundërshtar i aktorit të njohur, Liam Neeson, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    Në mesin e serialeve të famshme, Ahmeti ishte pjesë në serialin e njohur turk “Shekulli i Madhërishëm”, që ndryshe njihet si Sulltan Sylejmani. Ky serial ishte shfaqur edhe në televizionet në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut, ka luajtur rolin e Divane Hysrev Pashait, për të cilin rol mori kritika të mira nga njohësit e kinematografisë në Turqi, shkruan Reporteri.net.

    Hysrev Pashai në serialin “Shekulli i Madhrishëm”, ishte kunat i Sulltan Sylejmanit.

    Ai kishte rrëfyer për përvojën e tij në këtë serial ku luajti krahas aktorit turk Halit Ergenç e Meryem Uzerli.

    Ai ishte edhe pjese e serialit “Kaukazi, dëbimi i madh”, Ahmeti luajti rolin e një komandanti të ashpër rus.

    Në një intervistë për gazetën Yeni Safak, Ahmeti deklaronte se është zor të luash një karakter që e urren.

    “U përpoqa që në mënyrën time të shpjegoj rusët, të cilët na bënë të vuajmë shumë gjatë të kaluarës. Për një aktor është e vështirë të portretizohet një karakter që e urren”, thoshte Ahmeti, që sot humbi betejen me COVID-19, përcjellë Reporteri.net.

    Për publikun në Kosovë mbahet mend për rolin e tij në komedinë “O sa mirë” ku portretizonte një profesor të historisë.

    Por, Ahmeti ishte pjesë e Teatrit Shqiptar të Shkupit, ku ka luajtur në shfaqje të shumta teatrale.

    E për ikjen e hershme të aktorit, ngushëllime kanë shprehur figura të ndryshme të politikës në Kosovë e Shqipëri.

    “Mutlu Ol Yeter”, “Son Yaz-Balkanlar 1912”, “Elveda Rumeli”, “Balkan Dugunu”, “Bahar Dalları”, “Tek Başımıza”, “Reis”, “Karakol – Herkes Adalet İster”, “Limonata” etj., janë disa prej realizimeve të tjera të kinematografisë turke, në të cilat ka luajtur Luran Ahmeti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!