Prej disa kohësh qarkullon në mediat online lajmi i largimit të emisionit të humorit “Portokalli” nga televizioni Top-Channel.
Panorama realizoi një intervistë me regjisorin e njohur, Altin Basha, i cili prej 17 vitesh përgatit “Portokallinë” në televizionin e njohur kombëtar.
Altin Basha ka hedhur poshtë zërat e një lëvizje të mundshme nga Top-Channel. Ai thekson se ofertat nga televizionet e ndryshme nuk kanë munguar, madje ato janë të përvitshme.
“Oferta ka gjithmonë. Unë çdo vit kam oferta nga televizionet. Dhe për shkak se jam regjisori i trupës më kërkohet kjo gjë. Aktorëve u kërkohet. Thjesht për shkakun që jemi fiksuar me Top-Channel, s’kemi patur interes për ofertat e tjera. Vetëm tani kanë qenë 4 televizione të interesuara për emisionin tonë. Kjo nuk do të thotë asgjë, është një proces normal. Nuk ka për ne ndonjë çudi, jemi 20 veta, njëherë kontaktohet njëri, njëherë tjetër një aktor tjetër. Madje ne tallemi shpesh herë me këtë gjë. Kjo është e vërteta”.
Por ai ka sqaruar se aktualisht, trupa e “Portokallisë” është në punë dhe po përgatitet bashkë me aktorët në skenë. Zërat sipas Altin Bashës kanë nisur pas një interviste që ka dhënë në AbcNews, dhe ku është parë në parkingun e këtij televizioni.
“Problemi i disa njerëzve është që punojnë diku tjetër dhe mendjen e kanë te Portokallia. E vërteta është se kam shkuar në ABCNews për të bërë një intervistë për Teatrin. Mesa duket këtë, dikush e ka parë dhe e ka keqkuptuar si negociatë me ABCNews për shkak të thashethemeve që janë përhapur”.
Regjisori, Basha foli për edhe për çështjen e shumë debatuar të Teatrit Kombëtar, teksa u shpreh se godina që ishte, edhe po të ndërtohet nga e para po në atë formë, do të jetë një efektive dhe jo e përshtatshme për Teatrin Kombëtar.