Autoritetet turke i kanë kërkuar gjigandit të filmave “Netflix” të heqë nga skenari i filmit “If Only” një personazh homoseksual, në mënyrë që të marrin të drejta për ta transmetuar filmin.
Krijuesja e serialit, skenaristja Ece Yorenc, tha se Netflix e kishte anuluar filmin në prag të xhirimeve, pasi qeveria e kishte bllokuar projektin, sipas faqes së internetit turk të filmave Altyazi Fasikul.
Burimet pranë Euronews thanë se leja e projektit për të xhiruar serialin ishte refuzuar nga autoritetet dhe do t’i kthehej vetëm në rast se skenari do të ndryshonte duke hequr personazhin homoseksual.
Netflixi vendosi ta anulonte serialin pasi krijuesja nuk mund ta realizonte filmin pa atë personazh.
“Është shumë e frikshme për të ardhmen”, tha Yorenc.
Ajo shtoi se seriali përqendrohej tek një personazhe e quajtur Reyhan, një grua e mërzitur me martesën e saj, e cila kthehet 30 vite pas në kohë, në ditën kur burri i saj i propozoi.
Yorenc shtoi se raportimet e mediave që pretendonin se në serial përfshihej një skenë seksuale mes një çifti homoseksual, nuk ishin të vërteta dhe se në skenar nuk kishte asnjë kontakt fizik mes dy burrave.
Ilhan Tasci, anëtar i Këshillit të Lartë të Radios dhe Televizionit (RTUK) tha për Euronews se këto ndryshime janë bërë në nivel qeveritar dhe se organizata “nuk ka biseduar zyrtarisht me Netflix”.
“Është e qartë që kanë ndërhyrë disa burokratë të qeverisë për të bërë këto ndryshime, por nuk e dimë me saktësi se cili karakter është hequr dhe nga cila seri”, tha Tasci.
“Këto bisedime jozyrtare me Netflix janë duke u zhvilluar pa djeninë tonë”, tha ai duke shtuar se kjo po ndodhte me “40 filma të ndryshëm dhe jo vetëm me një film”.
“Kjo është një shkelje e ligjeve të Autoritetit Turk të Transmetimeve. Qeveria e pranon se janë bërë disa ndryshime, por nuk kanë dhënë detaje”, shpjegon Ilhan Tasci.