Bahtiri ka drejtuar kritika për Qeverinë për lejen që ia dhanë Mozzikut.
Reperi Mozzik sot kishte takuar fansat nga afër në Mitrovicë, ku edhe u dhuroi albumin e ri, shkruan lajmi.net.
Por, për këtë tubim u krijua zhurmë e madhe ngase fansat e reperit ishin grumbulluar duke mos e respektuar distancën.
Pasi udhëtoi në Vushtrri, Pejë e Deçan, Policia ia ndërprenë këtë iniciativë Mozzikut.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke thënë se Qeveria ia ka dhënë lejen Mozzikut, pa e pyetur fare komunën.
Bahtiri thotë se janë shkelur të gjitha udhëzimet e dhëna nga institucionet shëndetësore, kurse veprimin e reperit e konsideron të paparanueshëm.
Ky është postimi i Bahtirit pa ndërhyrje:
“Tubimit të organizuar nga këngëtari Gramoz Aliu në Mitrovicë i është dhënë leje nga Qeveria e Kosovës pa e pyetur fare komunën dhe pa një dakordim të përbashkët. Më këtë rast janë shkelur të gjitha udhëzimet e dhëna nga institucionet shëndetësore për masat mbrojtëse ndaj koronavirusit COVID-19.
Kjo Qeveri me çdo veprim të saj po tregon që është e papërgjegjshme dhe nuk i shërben jetës së qytetarëve të Kosovës.
Inspektorët komunal me vetmohim po e kryejnë punën e tyre çdo ditë, në bashkëpunim të plotë edhe me stacionin policor ne Mitrovicë, po leje të tilla të dhëna nga niveli qendror tregojnë se kjo Qeveri mbron vetëm interesa grupore dhe nuk janë të interesuar për bashkëpunim ndër-institucional në të mirë të të gjithë qytetarëve.
Nga e hëna komuna e Mitrovicës do të ndërmerr veprime të reja në shërbim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, por tash do ta marrim vet përsipër mbrojtjen nga COVID-19, sepse ata që e vodhën pushtetin qendror vetëm dëme me efekte të pariparueshme po shkaktojnë.
Kam respekt për gjithë këngëtarët, por veprimi i sotëm është i papranueshëm dhe i dëmshëm.
AB”.
https://www.facebook.com/Agim.Bahtirii/posts/1277896905888152