Artistët e tillë si Dua Lipa, “Coldplay” dhe “The Beatles”, kanë luajtur rol të madh që industria britanike e muzikës Brenda një viti t’i arkëtojë 519.7 milionë funte në tregun ndërkombëtar. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.
Sipas të dhënave të reja të siguruara nga Industria Fonografike e Britanisë së Madhe, mësohet se të ardhurat nga eksporti i muzikës në vitin 2020 u rritën me 6 për qind në vitin 2019, falë edhe platformave për transmetim të muzikës.
Po ashtu është konfirmuar se një në dhjetë këngë të cilat transmetohen anembanë globit, janë nga artist britanik.
Por, ishte Dua Lipa ajo e cila e regjistroi hitin më të madh britanik të vitit, me këngën “Don’t Start Now” e cila u transmetua 1.62 miliardë herë në total. Kurse albumi i saj i dytë, “Future Nostalgia”, ishte albumi i dhjetë më i shitur i vitit 2020.
Një sukses i ngjashëm është arritur edhe nga këngëtari, Harry Styles, albumi i dytë i së cilit, “Fine Line”, u bë albumi i pestë më i shitur në botë.
Geoff Taylor, shefi ekzekutiv i Industrisë Fonografike në Britani të Madhe dhe i ceremonisë shpërblyese “BRIT Awards”, në një prononcim për media tha: “Rritja e popullaritetit të platformave të transmetimit të muzikës anembanë botës, paraqet një mundësi të paparë për muzikën britanike. Me intensifikimin e konkurrencës globale, tani është koha për t’i përkrahur dhe për t’i promovuar në mënyrë aktive artistët tanë tek audienca e gjerë, në mesin e së cilëve janë Dua Lipa, Harry Styles, Lewis Capaldi, Stormzy, ‘The 1975’ dhe Mabel, të cilët janë duke e dominuar tregun muzikor krahas yjeve të tjerë, si Adele, ‘Coldplay’, ‘Arctic Monkeys’ dhe Ed Sheeran”.
Derisa Britania e Madhe është duke e rimarrë veten nga goditja e rëndë e pandemisë së koronavirusit, dhe po e krijon të ardhmen e saj si një komb i pavarur tregtar, muzika duket se luan rol thelbësor dhe tejet të rëndësishëm në kulturën dhe ekonominë e shtetit.