Për herë të parë, gjigantët e Hollywoodit, “Disney” dhe “Universal“, kanë paditur kompaninë e inteligjencës artificiale (AI), “Midjourneyn”, për shkelje të të drejtave të autorit.
Padia prej 110 faqesh, e dorëzuar të mërkurën e javës së kaluar në një gjykatë federale në Los Angeles, përmban shembuj të detajuar dhe vizualë që sipas paditësve tregojnë se “Midjourney“ ka përdorur në mënyrë të paligjshme “sasi të pamatshme” të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit për të trajnuar motorin e saj të krijimit të imazheve me AI, ka raportuar NPR.
“’Midjourney’ po shet një shërbim të inteligjencës artificiale për gjenerimin e imazheve, i cili funksionon si një automat virtual që prodhon kopje pafund të paautorizuara të veprave të mbrojtura të ‘Disneyt’ dhe ‘Universalit’”, thuhet në padi.
Disa kompani të tjera tashmë kanë ngritur padi kundër firmave të AI-së për shkelje të të drejtave të autorit. Gazeta “The New York Times” ka paditur “OpenAI” dhe “Microsoft”, “Sony Music Entertainment” ka paditur startup-et “Suno” dhe “Udio” që krijojnë këngë me AI, si dhe “Getty Images” që ka paditur “Stability AI”.
Por kjo është hera e parë që emra të mëdhenj të Hollywoodit hyjnë në këtë betejë ligjore kundër industrisë së AI-së.
Sipas padisë, “Midjourney”, një prej platformave më të njohura në krijimin e imazheve me inteligjencë artificiale, me rreth 20 milionë përdorues të regjistruar sipas të dhënave të kompanisë “Demandsage”, ka shkelur të drejtat e autorit të figurave të famshme si “Shrek”, “Homer Simpson” dhe “Darth Vader”.
Gjigantët e Hollywoodit po kërkojnë që “Midjourney” të ndalojë zhvillimin e një shërbimi të ri për krijimin e videove pa vendosur masa të duhura për mbrojtjen e të drejtave të autorit. Ata gjithashtu kërkojnë kompensim financiar, por në dokumentet e padisë nuk është specifikuar shuma.