Faqja zyrtare e grupit “TROJA” bëri të ditur lajmin se tashmë grupi janë përçarë, e krejt kjo shkak i tubimit të VV-së.
Madje TROJA i quan këto tubime ahengje politike e që sipas tyre këta nuk kanë qenë dhe nuk do jenë kurrë pjesë e tyre.
Në një prononcim për Gazeta Blic, vokalisti Bujar Berisha tha se nuk zbret në nivelin e anëtarëve tjerë të grupit pasi nuk e sheh si aheng pjesëmarrjen e tij në tubimin e VV-së.
“Jemi ndarë grupa. Unë kam dalur në një protestë, në manifestim e që anëtarët tjerë po e quajnë aheng por nuk zbres une në atë nivel të tyre, pasi për dikë mund të jetë aheng, por për dikë protestë”, tha fillimisht Bujar Berisha.
Gjithashtu, vokalisti ka treguar se ai nuk ka pasur nevojë të konsultohej me grupin për pjesëmarrjen e tij në këtë tubim, dhe se grupi nuk njihej para se ky të bëhej pjesë e tij.
“Nuk kam nevojë të konsultohem me askënd për këngët e mia që i kam shkruar vet, në asnjë drejt të autorit nuk thotë ashtu, ato këngë mund t’i këndoj ku të dua unë. E emri i grupit është tjetër gjë. Dhe atë ditë kur kam kënduar në tubim kam kënduar si Bujar Berisha, emri i grupit nuk përmendet dhe se di kujt mund t’i jap llogari, shpirtin n’grusht nuk ma ka askush. Pashë falemnderimin që unë nuk isha pjesë e tij, atëherë pse se ka njoft askush grupin atëherë, para se të bëhesha unë pjesë e tij.”, vazhdoi ai.
Berisha tha se ai nuk dëshiron të jetë neutral, ndryshe nga të tjerët.
“Këngët tona kanë mesazh politik. Njerëzit po dojnë me qenë neutral, e kjo është esenca pse ka ndodh e gjithë kjo.E në momente të caktuara njeriu s’mundet me qenë neutral. Ato kangë janë të gjitha të mijat, pikë më pikë, presje më presje, e kur vie puna te ekzekutimi i tyre, atëherë unë i këndoj ato. Llogari nuk i jap askujt, në vend timin s’mund të jem neutral”, përfundoi Bujar Berisha.