Luran Ahmeti, aktori shqiptar nga Maqedonia e Veriut, ka ndërruar jetë si pasojë e infektimit me COVID-19. Aktori 46 vjeçar, pos rolit të profesorit të historisë në serialin “O sa mirë”, që e bëri të njohur tek publiku shqiptar, ka lënë një bagazh të pasur në aktrim.
Ahmeti kryesisht ka luajtur në filma dhe seriale të realizuara në Turqi, por ishte pjesë edhe e filmit të famshëm të Hollywood-it “Taken 2” ku ishte kundërshtar i aktorit të njohur, Liam Neeson, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
Në mesin e serialeve të njohura turke ku ai mori pjesë ishte edhe Kurtlar Vadisi Pusu (Lugina e Ujqërve: Kurthi), një nga prodhimet kinematografike më të famshme turke.
Ahmeti në serialin e njohur turk “Shekulli i Madhërishëm”, që ndryshe njihet si Sulltan Sylejmani, i cili shfaq edhe në televizionet në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut, ka luajtur rolin e Divane Hysrev Pashait, për të cilin rol mori kritika të mira nga njohësit e kinematografisë në Turqi, shkruan Reporteri.net. Hysrev Pashai në serialin “Shekulli i Madhrishëm”, ishte kunat i Sulltan Sylejmanit.
E në serialin “Kaukazi, dëbimi i madh”, Ahmeti luajti rolin e një komandanti të ashpër rus.
Në një intervistë për gazeten Yeni Safak, Ahmeti deklaronte se është zor të luash një karakter që e urren.
“U përpoqa që në mënyrën time të shpjegoj rusët, të cilët na bënë të vuajmë shumë gjatë të kaluarës. Për një aktor është e vështirë të portretizohet një karakter që e urren”, thoshte Ahmeti, që sot humbi betejen me COVID-19, përcjellë Reporteri.net.
Për publikun në Kosovë mbahet mend për rolin e tij në komedinë “O sa mirë” ku portretizonte një profesor të historisë.
Por, Ahmeti ishte pjesë e Teatrit Shqiptar të Shkupit, ku ka luajtur në shfaqje të shumta teatrale.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur gazetari Rilind Gërvalla.
E për ikjen e hershme të aktorit, ngushëllime kanë shprehur figura të ndryshme të politikës në Kosovë e Shqipëri.
“Mutlu Ol Yeter”, “Son Yaz-Balkanlar 1912”, “Elveda Rumeli”, “Balkan Dugunu”, “Bahar Dalları”, “Tek Başımıza”, “Reis”, “Karakol – Herkes Adalet İster”, “Limonata” etj., janë disa prej realizimeve të tjera të kinematografisë turke, në të cilat ka luajtur Luran Ahmeti.