Reperja kosovare Loredana Zefi, po akuzohet nga një çift zviceran nga Valais se ua zhvati përmes mashtrimit 700 mijë franga.
Të martën, reperja u ndalua nga autoritetet zvicerane në Luzern të Zvicrës, ndërkaq banesa e saj u bastis.
Pak çaste më parë në një konferencë për media Loredana ka pranuar se paratë janë marrë nga çifti zviceran, mirëpo siç është shprehur ajo kjo ka ndodhur me vullnet të plotë nga çifti dhe jo me kërcënime apo me dhunë, shkruan Reporteri.net.
“Për mua çka është me rëndësi me ditë ju shteti shqiptar, gjerman e i Zvicrës, është se prej asnjë personi nuk janë marrë paret me dhunë, mashtrime dhe kërcënim. Këto para, shumën nuk e di janë marrë me vullnet të plotë”, është shprehur ajo.
Loredana në një mënyrë ka pranuar se familjarët e saj janë të përfshirë në këtë rast, mirëpo është shprehur se ajo nuk ka qenë e involvuar.
“Kjo ka filluar në vitin 2016, por unë nuk kam qenë e involvume. Në vitin 2018 disa anëtarë të familjes Zefi, më kanë tregu që është mundësia me mbyllë këtë rast. Unë nuk e di se çka kanë bërë këta persona mes vete, pse nuk është mbyllë ky rast. Familja ime është mbi të gjitha. Unë jam e kënaqur dhe gjithmonë kam me qenë lojale ndaj familjes time në kohë të mira dhe të vështira”, ka thënë ajo.
Loredana po ashtu ka pranuar se është marrë në pyetje nga policia zvicerane, mirëpo në asnjë rast nuk ka qenë e arrestuar.
“Rasti ka për t’u sqaruar, besoni ju ose jo. Është e vërtetë që kam dhënë deklaratë në polici por e mbyllur nuk kam qenë asnjëherë”, ka thënë ajo. /Reporteri.net