Sean “Diddy” Combs po përballet me një tjetër akuzë serioze, këtë herë nga një grua që thotë se është sulmuar seksualisht prej tij në korrik të vitit 2001. Padia është depozituar më 14 maj në Gjykatën Supreme të Qarkut të New York-ut dhe përfshin edhe kompaninë e tij, Bad Boy Entertainment.
Gruaja, e cila në dokumente identifikohet si “Jane Doe”, thotë se e ka njohur Diddy-n në një ashensor në maj 2001, ku ai i kërkoi numrin dhe më pas u takuan në një klub nate. Në takimin e dytë, ai tentoi ta puthte, por ajo e shmangu fizikisht. Sipas padisë, në korrik ai e kontaktoi sërish dhe e ftoi në studio, ku ajo shkoi bashkë me një shoqe.
Pas një nate që nisi në klub dhe përfundoi në apartamentin e Diddy-t, Doe pretendon se ai e çoi me forcë në dhomën e gjumit, i vuri dorën në fyt duke i thënë: “Do të të thith shpirtin.” Ajo tregon se ai vazhdoi duke e shtrënguar dhe përdhunuar, pavarësisht thirrjeve të saj për ta ndaluar.
Ajo shton se pas aktit, shkoi në tualet për të pastruar trupin dhe më pas iku me shoqen e saj me një SUV të zi. Dy ditë më pas, Combs tentoi ta kontaktonte sërish, por ajo nuk iu përgjigj më asnjë telefonate apo ftese.
Në padi thuhet se pas këtij incidenti, ajo u tërhoq nga jeta sociale, kishte frikë të ishte vetëm me burra dhe filloi terapi çdo javë për rreth gjashtë muaj.
Kjo është vetëm një nga shumë akuzat që rëndojnë mbi Combs, i cili është aktualisht në hetim për trafik seksual dhe krijim të një organizate të strukturuar kriminale. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.