Ditë më parë në Radio Televizionin Shqiptar janë transmetuar këngë të këngëtares serbe Ceca të cilat nuk janë pritur mirë nga publiku.
Për këtë ka reaguar sot edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), duke i tërhequr vërejtjen RTSH-së, për transmetimin e këngëve të këngëtares serbe.
E për këtë për rast ka reaguar edhe vetë këngëtarja serbe Svetllana Razhnatoviq. Ndër të tjera ajo ka thënë se nuk ka informacion që këngët e saj janë ndaluar në Shqipëri, transmeton Reporteri.net.
“Nuk jam në dijeni se këngët e mia janë ndaluar në Shqipëri. Mendoj se muzika nuk duhet të ketë kufij dhe pengesa, të paktën ky është rregulli që unë kam ndjekur për më shumë se tridhjetë vjet në karrierën time, duke mos dërguar kurrë mesazhe politike ose urrejtje përmes këngëve të mia, sepse këngët e mia lidhen me njerëzit, ashtu si i dua të gjithë njerëzit”, u shpreh këngëtarja serbe.
Ndër të tjera ajo tha se bëhet fjalë për manipluime klasike dhe se ajo do të jetë gjithmonë e pranishme aty ku publiku e kërkon.
“Sa i përket qëndrimit tim personal, unë jam një patriote dhe e dua popullin tim, unë gjithmonë do të jem me të. Dhe për t’u kuptuar, kjo nuk do të thotë se e urrej dikë tjetër ose nuk kam respekt për kombet tjera. Unë jam vetvetja. Bëhet fjalë për manipulime klasike, kërkoj që emri im të mos përmendet në këtë, audienca ime është llojllojshme dhe kështu do të qëndrojë, unë do të këndoj për audiencën time kudo që të jetë dhe kudo që duan”, shtoi Ceca. /Reporteri.net