Regjisori kosovar, Fatos Berisha, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar ndaj rrënimit të objektit të Teatrit në Tiranë.
Ai ka thënë se mënyra se si shemb ky objekt kulturor ishte e dhimbshme dhe e padinjitetshme.
Ky është postimi i tij i plotë:
Sot, askush nuk do duhej të gëzohej. As ata që ishin pro shembjes së Teatrit Kombëtar. Mënyra se si u shemb teatri ishte e dhimbshme dhe e padinjitetshme.
Sot, jam përlotur duke parë shembjen e Teatrit. Sikur që do të isha përlotur po ta shihja prerjen e një druri 100 vjeçar.
Sot, besoj secili nga ne të komunitetit të teatrit, kemi qarë. Disa haptas, disa fshehurazi. Kemi qarë ndoshta më shumë se për Teatrin, për veten tonë. Për katandisjen dhe polarizimin e skajshëm të shoqërive tona.
Politika e 2 anëve na e bëri të vështirë edhe të mërzitemi për ndërtesën e vjetër, edhe të gëzohemi për të renë. Se na bënë që të mbajmë anë politikisht.
As këta politikanë që duan me aq zell ta ndërtojnë të riun, as këta politikanë që me aq zell e mbrojnë të vjetrin, nuk e bëjnë për teatrin e për kulturën. Po ta donin teatrin dhe kulturën do ta çmonin më shumë. Do të investonin më shumë në prodhimin e shfaqjeve teatrore, filmave, në skenën e pavarur artistike e kulturore. Po ta donin aq shumë teatrin (të riun a të vjetrin) do të shifnin së paku 2 shfaqje në vit.
Sot, u varros pa ceremoni mortore Teatri Kombëtar i Shqipërisë, por teatraliteti morbid i politikës shqiptare mbetet si zombie. As i gjallë e as i vdekur.